Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mohuar se Qeveria e Kosovës është e gatshme për hapjen e arkivave të UÇK-së, siç u la të nënkuptohej dje në një deklarim për media.
Kurti pas takimit me kancelaren Merkel në Tiranë, tha se nuk ka thënë se janë hapur arkivat e UÇK-së, pasi u pyet nga një gazetare nga Tirana.
“Kush ka thënë që janë hap arkivat e UCK-së, ma gjej atë deklarim timin. Nuk kam thënë ashtu! Shtet më të mbikëqyrur se Kosova nuk ka. Njëherë kishim UNMIK-un, pastaj EULEX-in, pastaj edhe sot e kësaj dite e kemi KFOR-in. Kur themi që duhet të hapen arkivat realisht duhet të hapen arkivat në Beograd”, u shpreh Kurti.
Por gjatë qëndrimit në Pejë, shefi i Qeverisë kishte përgjigje krejt tjetër. Teksa ka folur për këtë, Kurti i pyetur nga Ekonomia Online, tha se me hapjen e arkivave, do të ndihmohej të gjendeshin të pagjeturit.
Ai deklaronte se Kosova i ka arkivat, të cilat i përfshijnë edhe ato gjatë luftës dhe të gjitha dëshmitë dhe materialet që janë të UÇK-së.
“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë, të cilat i përfshijnë edhe ato gjatë luftës dhe të gjitha dëshmitë dhe materialet që janë të UÇK-së. Ne jeni shumë të hapur e transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të të pagjeturve. I kemi edhe 1630 dhe për këtë duhet t’i hapim arkivat në Beograd; sepse vrasjet në Kosovë, varrosjet e atyre të vrarëve në masakra, pastaj varrosjet në Serbi e zhvarrosjet prej andej nuk janë bërë nga qytetarët serbë por janë bërë nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuar. Të gjitha këto duhet të hapen një orë e më parë”, tha ai.
Shefi i Qeverisë ka thënë se shteti i Kosovës nuk ka çfarë të fsheh, pasi sipas tij, nga përfundimi i luftës, Kosova ka qenë nën administrimit e ndërkombëtarëve..
“Kosova që nga viti 1999 e këndej ka qenë nën administrim ndërkombëtar. Kemi pasur UNMIK-un, EULEX-in, e kemi pasur Tribunalin e Hagës, pra vend më transparent e më të hapur, jo vetëm për arkiva, se Kosova nuk ka. Ajo që duhet të hapet është Serbia. Gjenocidi në Bosnjë dhe në Kosovë kërkojnë që të zbardhet e vërteta, që të dihen edhe urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit dhe para së gjithash të merret vesh fati i atyre që na mungojnë”, theksoi Kurti.Sipas tij, për hapjen e arkivave duhet të flitet edhe në forume ndërkombëtare.” Pikënisja ime si kryeministër dhe e qeverisë sonë, nuk është imagjinata jonë mbi gatishmërinë e Serbisë, por mbrojtja e interesit të vendit tonë dhe vullneti ynë i pa epur për të drejtën tonë dhe drejtësinë. Në çdo forum ndërkombëtar ne duhet të kemi kryefjalë hapjen e arkivave atje, meqenëse ne kemi dukurinë që pasi lirohen nga Tribunali i Hagës kriminelët e luftës, ata bëhen profesorë në Akademinë ushtarake”.