Kryeministri Albin Kurti, është deklaruar të mërkurën për masat e reja që ka miratuar Qeveria e Kosovës dje, raporton Gazeta Enigma.
Kurti përmes një shkrimi në rrjetin e tij social Facebook ka thënë se masat e reja i përgjigjen situatës së tanishme pandemike në vend por edhe nevojës për të qenë të kujdesshëm ndaj virusit i cili me disa variante të tij vazhdon të jetë prezent në mesin tonë.
Kurti ka thënë se gjatë mbledhjes së djeshme kanë marrë 14 vendime, derisa ka thënë se kanë shtuar ligjshmërinë duke shfuqizuar edhe dy vendime të mëparshme, njëri i qershorit të vitit 2018 për emërimin e zëvendësdrejtorit për shërbime administrative-financiare në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror. Tjetri i qershorit të vitit 2019 për rekomandimin e ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes në lidhje me ristrukturimin e disa pozitave në këtë ministri.
Shkrimi i Kurtit:
Masa të reja kundër COVID-19, promovim dhe respektim i diversitetit e barazisë, katër projektligje të miratuara dhe dy vendime të mëhershme të shfuqizuara
Mbledhjen e mbrëmshme të Qeverisë, të 46-tën, e zhvilluam në mënyrë elektronike. Si vendim të parë, miratuam masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Ato i përgjigjen situatës së tanishme pandemike në vend por edhe nevojës për të qenë të kujdesshëm ndaj virusit i cili me disa variante të tij vazhdon të jetë prezent në mesin tonë.
Shpallëm vitin 2022 – Vit i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. Së bashku do të punojmë për një shoqëri me gjithëpërfshirje e mundësi për të gjithë.
Ndër 14 vendimet e kësaj mbledhje nga 408 sa kemi marrë gjithsej që nga fillimi i qeverisjes sonë, katër ishin për miratimin e projektligjeve nga fushëveprimi i Ministrisë së Mbrojtjes, tek ai i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve e deri te i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Shtuam ligjshmëri duke shfuqizuar edhe dy vendime të qeverive të mëparshme. Njëri i qershorit të vitit 2018 për emërimin e zëvendësdrejtorit për shërbime administrative-financiare në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror. Tjetri i qershorit të vitit 2019 për rekomandimin e ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes në lidhje me ristrukturimin e disa pozitave në këtë ministri.
Vazhdojmë punën si dhe përgatitjet për vendime tjera të mira…