Kurti “sfidon” presionin ndërkombëtar, nuk stepet për “Zajednicën”

<strong>Kurti “sfidon” presionin ndërkombëtar, nuk stepet për “Zajednicën”</strong>


Shefi i Qeverisë së Kosovës po qëndron stoik karshi presionit të shtuar ndërkombëtar që erdhi javëve të fundit për arritjen e një marrëveshje me Serbinë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga ekzekutivi kosovar që t’i thotë “Po”, formimit të Asociacionit të Komunave serbe.

Kurti në secilin adresim publik të tij, po e rithekson se assesi s’do lejohet formimi i asociacionit një etnik, duke quar kështu mesazh të qartë tek përfaqësuesit e BE-së, por edhe të SHBA-ve.

Të martën ai theksoi sërish se Kosova e ka një Asociacion, dhe ai është i Komunave të Kosovës.

“E kemi thënë qëndrimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Asociacion njëetnik me Kosovën me kushtetutë shumetnike s’është i mundshëm. Kur e kemi shpallur pavarësinë thoshin se edhe pse Kosova i ka 93 për qind shqiptarë, s’mund të cilësohet shqiptare, por multietnike. Ama tash s’mund të bëhet asociacion njëetnik. Ne e kemi Asociacionin e Komunave të Kosovës”, theksoi Kurti të martën.

Në një intervistë për AFP, kryeministri i Kosovës Albin Kurti pohoi se ShBA-ja dhe BE-ja kishin kërkuar që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një marrëveshje deri në mars.

Presionin që po i bëhet Kurtit e kanë në shënjestër edhe mediat ndërkombëtare.

Mediumi “Euronews”, shkruan se “Nën presionin në rritje nga aleatët e tij amerikanë dhe evropianë për të arritur një marrëveshje me Serbinë, kryeministri i Kosovës paralajmëroi të mërkurën se nuk do t’i dorëzohej “shantazhit”.



Sipas tyre marrëdhëniet midis Beogradit dhe Kosovës janë përshkuar nga kriza në krizë dhe fuqitë perëndimore duan t’i japin fund ciklit të tensioneve në këtë cep të Evropës Juglindore.

Por cka realisht është Asoaciacioni i Komunave serbe?


E gjithë ideja për themelimin e një Asoaciacioni të dytë në Kosovë, por kësaj radhe i komunave serbe, ishte paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas plot 24 muajve, palët nga Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për ta projektuar këtë ide.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Çka thotë Gjykata Kushtetuese për Asociacionin?

Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Gjykata kishte konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës. / Gazeta Enigma.

Related Articles