Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që t’i japin përkrahjen e tyre Kodit Civil, i cili sipas tij përbënë një ngjarje të veçantë për vendin, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas tij, është rregulluar pjesa statusore e personave fizik.
“Është rregulluar pjesa statusore për personat juridik. Janë rregulluar punët juridike kontratat, testamentet. Te familja, këtu duhet të theksojmë dy çështje të rëndësishme, është pasuria e përbashkët është caktuar të jetë e barabartë. Këtu risi është edhe ndalimi i martesave të hershme. Është një pikë e rëndësishme gjithashtu që është diskutuar e keqkuptuar që ka të bëjë me regjistrimin e bashkësive civile të personave me gjini të njëjtë. Në fund të fundit të drejtat e njeriut janë të drejtat e të gjithë njerëzve”, ka thënë ai.
Sipas tij, me këtë kod është paraparë mundësia që këta persona të regjistrohen si bashkësi civile, kodi nuk e ka rregulluar martesën mes tyre.
“Ajo do të rregullohet me një ligj të veçantë. Kodi nuk është i mjaftueshëm kjo është në pajtim edhe me kushtetutën. Kodi nuk rregullon martesat. Martesa dallon nga Bashkësia civile sepse kjo mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera”, ka thënë ai.