Lajçak: Do të ketë sanksione edhe për Serbinë, nëse nuk përmbush kërkesat e BE-së

Lajçak: Do të ketë sanksione edhe për Serbinë, nëse nuk përmbush kërkesat e BE-së

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se pas takimit me kryeministrin Albin Kurti janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet për shtensionim të situatës në veri.

Në paraqitjen para mediave të martën në Prishtinë, Lajçak ka thënë se ka mirëkuptim nga liderët e Kosovës që të ecet përpara në tri pikat e kërkuara nga BE-ja: shtensionim, zgjedhje të reja dhe kthim në normalizim.

“Nuk është detyrë e lehtë, as situatë e lehtë. Kam pasur takime të rëndësishme me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti. Diskutim të gjatë e sinqertë. Shumë të rëndësishëm. Duhet të zgjedh fjalët, ka mirëkuptim në nevojën për të ecur para në tri pikat që janë paraqitur nga BE-ja: shtensionim, zgjedhje të reja, dhe kthim në normalizim. Ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapat konkretë që duhet të merren. Ai [Kurti] ka prezantuar pikëpamjet e tij, unë të miat. Takimi i gjatë, por shumë i rëndësishëm për të kuptuar pozitat e njëri-tjetrit më mirë, por jemi pajtuar të vazhdojmë”, ka thënë ai.

I pyetur për sanksionet ndaj Kosovës, Lajçak ka thënë se nuk do donte t’i komentonte.

“Është e qartë që BE-ja nuk është e lumtur që është në pozitën të prezantojë masa”, ka shtuar Lajçak.

Lajçak e ka bërë të qartë se nëse kuptohet që Serbia nuk po vepron në raport me kërkesat e BE-së, atëherë sipas tij, ka sanksione të gatshme edhe për ta.

“BE-ja e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë, do të zbatohen nëse kuptohet se Serbia s’po vepron me kërkesat e BE-së. Është vendim i shteteve anëtare. Do të jem Beograd nesër. Dëshira ime është të mos kemi sanksione ndaj Kosovës e Serbisë. Dëshira ime është të mos kemi sanksione e të kemi dy palët në Bruksel e të negociojnë si të zbatojnë marrëveshjet”, ka thënë i dërguari i BE-së.

Lajçak të mërkurën do të jetë në Beograd. /Koha/

Related Articles