“Liria për shëndetin riprodhues nuk duhet kufizuar nga ndikimi i mentalitetit” – A është gati Kosova për këtë ligj?

“Liria për shëndetin riprodhues nuk duhet kufizuar nga ndikimi i mentalitetit” – A është gati Kosova për këtë ligj?

Ka kaluar më shumë se një javë prej kur Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka miratuar raportin përfundimtar për Projektligjin e Shëndetit Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ky vendim ka kaluar me pesë vota pro dhe një vote kundër.

Kundër ka votuar deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi.

Të gjitha kushtet për procedimin e këtij vendimi janë përmbushur, tani mbetet për tu pare nëse ky projektligj kalon në Kuvendin e Kosovës ose jo.

Kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku, ka deklaruar se komisioni ka bërë një punë të kujdesshme në hartimin e këtij ligji.

Tutje ajo ka shtuar se shpreson shumë që ky ligj do të sjellë përparim në fushën e shëndetit riprodhues.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me Arjeta Maka nga OJQ Gruaja Hyjnore, e cila ka deklaruar se ky ligj nuk bie ndesh me Ligjin e Familjes në Kosovë dhe me Ligjin e Shëndetësisë dhe Ligjit Civil.

“Komisioni luan një rëndësi e rol kyç, sa i përket ligjeve për të shtyrë para këtë proces, ku në tetor të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës në parim, ka miratuar Ligjin për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të asistuar mjekësor, rregullon organizimin, funksionimin, rolin dhe përgjegjësinë institucionale dhe profesionale, mbikëqyrjen, inspektimin, për kujdesin shëndetësor të sigurt dhe cilësor që ofrohet në fushën e Shëndetit Riprodhues, me qëllim të ruajtjes, promovimit, përmirësimit të të drejtave të shëndetit seksual dhe riprodhues. Për ne është një hap para për të mundësuar shërbim e planifikimit familjar. Vlen të theksohet se ky ligj nuk bie ndesh me Ligjin e Familjes në Kosovë, Ligjin e Shëndetësisë dhe të Ligjit e Civil”, tha Maka.

Tutje ajo ka shtuar se çdo grua ka të drejt të vendos për të gjitha çështjet që lidhen me seksualitetin e saj dhe shëndetin seksual.

“Çdo grua është e lirë dhe e përjashtuar nga çdo formë diskriminimi, detyrimi dhe dhune, ka të drejtë për t’u kontrolluar e për të vendosur lirisht për të gjitha çështjet që lidhen me seksualitetin e saj dhe shëndetin seksual ku gëzon të drejtën për kujdes të kualifikuar për shëndetin riprodhues e seksual po ashtu me respektimi reciprok i marrëdhënieve të barabarta nga ana e grave dhe burrave”, ka deklaruar Maka për “Enigmën”.

Sipas saj liria e shëndetit riprodhues seksual nuk duhet të ndikohet ose të kufizohet nga mentaliteti i rrethit ku jeton.

“Liria për shëndetin riprodhues e seksual nuk duhet të kufizohet nga ndikimi i mentalitetit, stigmës, e filozofisë ose e kulturës dhe ideologjisë e rrethit e vendit ku jeton sepse është  drejta që ta garanton Kushtetuta si Akti më i lartë Juridik  për edukim shëndetësor që përfshin mundësinë për t’u informuar në mënyrë të përshtatshme dhe edukimin në fushën e të drejtave shëndetësore për shëndetit tonë”, tha ajo.

Maka ka theksuar se duhet ta mendojmë anën pozitive të këtij ligji. Mos të harrojmë që shumë çifte janë kuruar jashtë vendit dhe kanë pasur edhe kosto më të mëdha të shpenzimeve.

Tani më kjo mund të bëhet edhe në vendin tonë dhe kjo do ishte një ndihmes shumë e madhe për të gjithë pasi që kosto do të jetë më e përballueshme.

“Çiftet duke respektuar dëshirën e secilit partner, kanë të drejtë të vendosin lirisht, për kohën, numrin e intervalin e lindjeve, të informohen për mjetet e duhura të realizimit të tyre, të kërkojnë standardet më të larta të shëndetit riprodhues dhe atij seksual ne kemi mirëpritur këtë Ligj në Kosovë sepse janë dhënë mijëra euro jashtë vendit për të gëzuar epitetit e mëmësisë e prind, disa raste janë mbajtur shumë sekrete vetëm të mos bien e bëhen cak i sulmeve të pa nevojshme të mentalitetit tek ne e si formë e vetme mbrojtëse për ti evituar këto fjalë janë shmangur me sekret tek ne tani me kosto më të vogël financiare e shkurtimi i rrugëve të gjata e pa sakrifica mundë të bëhet tek ne”, ka përfunduar Maka.

Kujtojmë se Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të asistuar mjekësor ishte në shqyrtim prej muajit mars 2023 në Kuvend, ku disa herë është hedhur në votim mirëpo për të njëjtin nuk ka pasur vendimmarrje.

Ky projektligj për disa herë me radhë ka dështuar të miratohet për shkak të mungesës së votave dhe kuorumit për miratimin e tij.

Ky projektligj i cili ka ngritur debate disa herë në Kuvendin e Kosovës, ka dështuar tre herë që të miratohej nga deputetët, nga të cilët ka pasur edhe që e kanë kundërshtuar kalimin e tij, derisa në tetor të vitit 2023 kaloi në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles