Sulmi agresor që Rusia filloi në Ukrainë ditë më parë, ka sjellë një momentum të ri për Kosovën, e cila vazhdon të mos jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, shkruan Gazeta “Enigma”.
Forma se s’i Rusia ndërhyri në territorin e Ukrainës, ka shkaktuar frikë e pasiguri edhe në Kosovë.
Aktualisht po vlerësohet se situata e krijuar në Ukrainë, e dëshmon urgjencën që bashkësia ndërkombëtare të përshpejtoj rrugën e Kosovës drejt NATO-s, por edhe drejt Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, ish-kryeministri, Avdullah Hoti i është bashkuar thirrjes publike që Kosova të anëtarësohet në NATO dhe në BE, me procedura të përshpejtuara.
Hoti thotë se situata në Ukrainë e dëshmon urgjencën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe BE.
“Situata në Ukrainë e dëshmon urgjencën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe BE. Anëtarët e NATO-s dhe BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën duhet të ndërrojnë qëndrim bazuar në situatën e krijuar, si dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nuk ka vend për qëndrime politike që krijojnë ambiguitet dhe lënë derë të hapur për destabilitet”, ka thënë ai
Tutje ai shtoi se “Kosova është e gatshme për anëtarësim në NATO pasi kapacitetet ushtarake të Kosovës janë ndërtuar nën mbikëqyrjen e partnerëve të NATO-s, në një proces që ka qenë historik”.
Ndërkohë nga ekzekutivi kosovar, nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës “Enigma”, se çfarë strategjie po përdoret me qëllim që anëtarësimi në BE dhe NATO të jetësohet.
Hasani: Anëtarësimi i Kosovës në NATO varet nga dialogu me Serbinë
Por ndryshe vlerëson ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili në një deklarim për Gazetën “Enigma”, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk përcaktohet prej agresionit rus në Ukrainë, por nga dinamikat e brendshme që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë.
“Çështja e anëtarësimit tonë në NATO, këtë duhet ta kuptojë çdokush se përcaktohet prej dinamikave dhe faktorëve të tjerë të brendshëm që kanë të bëjnë me raportet tona në dialogun me Serbinë. Anëtarësimi ynë në NATO është çështje e sigurisë rajonale këtu, jo çështje e sigurisë globale. Pasi ndikimi rus është shumë i dobët në këtë pjesë të botës dhe nuk mundet të projektojë forcë sepse është krejt e rrethuar me NATO-n”, theksoi ai.
Sipas tij “Anëtarësimi ynë në NATO është njëri prej mjeteve të fundit të presionit ndaj Serbisë për njohje të Kosovës dhe stabilizim të marrëdhënieve me Kosovën. Nuk është diçka që kjo krizë dhe kjo luftë që ne mund të përfitojmë me anëtarësim në NATO dhe as me anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare. Ato janë pjesë e dinamikave të tjera që lidhen me rajonin dhe fqinjësinë tonë të afërt dhe jo Rusinë”, vlerëson ai.
Në anën tjetër, në një prononcim për “Enigmën”, deputetja, Time Kadriaj ka thënë se aktualisht ekzekutivi kosovar duhet të fokusohet në sigurinë e territorit dhe popullit të vet.
“Ne tash duhet të fokusohemi në çështjen e sigurisë, sepse duke e pasur parasysh se ne e kemi një fqinj i cili nuk e ka njohur pavarësinë tonë, dhe në çdo moment minon pavarësinë e Kosovës dhe lobon kundër, dhe duke e ditur edhe afërsinë që Serbia e ka me Rusinë”, ka thënë ajo.
Tutje ajo është shprehur se partia e saj ka kërkuar debat parlamentar për çështjen e sigurisë së vendit, si dhe kanë kërkuar nga ekzekutivi që ta publikohet Strategjia Nacionale e Sigurisë.
Ndërkohë kujtojmë se të hënën, deputetja ukrainase Iryna Friz ka thënë se është momenti që Ukraina ta njeh shtetësinë e Kosovës.
Friz thekson se në këto kohë të vështira të vendit të saj, Kosova është rreshtuar karshi miqve të Ukrainës.
“Ne duhet t’iu bashkëngjitkemi partnerëve perëndimorë që tashmë e kanë njohur Kosovë dhe ta njohim edhe ne. Është koha të qëndrojmë me miq, jo të luajmë me armiq. Shtetet që janë betuar për miqësi me shtetin tonë, zgjodhën ta përkrahin okupatorin”, ka shkruar Friz. / Gazeta Enigma.