Makshana nga IKD: Dënimi ndaj të akuzuarit për masakrën në Izbicë të Skenderajt nuk mund të jetë më i lartë se 20 vite

Makshana nga IKD: Dënimi ndaj të akuzuarit për masakrën në Izbicë të Skenderajt nuk mund të jetë më i lartë se 20 vite

Një kosovar me shtetësi serbe dyshohet për krime kundër shqiptarëve në masakrën e Izbicës.

Rasti i fundit i ngritjes së një aktakuzë për krime lufte në Kosovë ishte më 29 mars 2022 kundër një të pandehuri me inicialet M.A, i nacionalitetit shqiptar, me vendbanim në Beograd, shtetas i Serbisë.

Prokuroria Speciale tha se aktakuza kundër M.A. është ngritur për shkak të dyshimit të b azuar mirë se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas Prokurorisë, rasti ka të bëjë me Masakrën e Izbicës, e cila ka ndodhur më 28.03.1999, në fshatin Izbicë, komuna e Skënderajt.

Lidhur me këtë çështje në një përgjigje për Gazetën Enigma ka folur, Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili ka deklaruar se vepra për të cilën po akuzohet Muhamet Alidemaj është “Krim i luftës kundër popullsisë Civile”.

“Vepra penale për të cilën po akuzohet Muhamet Alidemaj është “Krim i luftës kundër popullsisë Civile” vepër kjo e sanksionuar sipas Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale me dënim prej 5 vite ose dënim me vdekje”, ka deklaruar Makshana.

Tutje ai ka shtuar se kjo vepër penale me Nenin 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Ndërsa, aktualisht kjo vepër penale dënohet me Nenin 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës” 1. Kushdo që shkel rëndë nenin 3, që është i përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949, dënohet me burgim së paku pesë (5) vjet ose me burgim të përjetshëm”, ka thënë ai.

Makshana ka theksuar se Gjykatat nuk mund të shqiptojnë dënim më të lartë se 20 vite pasi në vitin 1999 u bë shfuqizimi i dënimeve me vdekje.

“Mirëpo, ajo çka mund të themi është se Gjykatat nuk mund të shqiptojnë dënim më të lartë se 20 vite pasi në vitin 1999 përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në atë kohë kur ka pasur kompetenca legjislative kishte miratuar një rregullore përmes të cilës ishte shfuqizuar dënimi me burgim të përjetshëm dhe dënimi me vdekje që kanë qenë në fuqi në kohën kur janë kryer veprat penale në vitin 1999 dhe me shfuqizimin e këtyre dënimeve atëherë dënimi maksimal që mund të jepet në këtë rast për vepra penale të krimeve të luftës është 20 vite”, ka deklaruar ai.

Sipas tij “Gjykatat nuk mund të shqiptojnë dënim më të lartë sesa ajo që përcakton ligji i aplikueshëm dhe ligji i aplikueshëm flas për veprat penale të vitit 99’ është që për veprën për të cilën është akuzuar nuk mund të jepet dënim më i madh se 20 vite”.

LEXO EDHE: 23 vite nga masakra në Pastasellë të Rahovecit, Prokuroria e Kosovë vetëm me një aktakuzë në vitin 2021

Makshana ka theksuar se UNMIK kur ka shfuqizuar dënimin dhe vdekje dhe burgim të përjetshëm për çdo vepër penale që është kryer para vitit 2000 vlen vetëm vitet paraprake të asaj kohe që kanë qenë në fuqi.

“Në kohën kur janë kryer veprat penalet të krimeve të luftës në Kosovë ligj i aplikueshëm ka qenë Kodi Penal i ish-Jugosllavisë. Është parim në drejtësi që ligji më i favorshëm zbatohet ndaj të pandehurit, respektivisht momentin kur UNMIK kur ka shfuqizuar dënimin dhe vdekje dhe burgim të përjetshëm për çdo vepër penale që është kryer para vitit 2000 vlen vetëm vitet paraprake të asaj kohe që kanë qenë në fuqi”, ka njoftuar ai.

“Çdo ligj tjetër që është më i ashpër dhe i cili shkon në disfavor të të pandehurit sigurisht që gjykatat por edhe avokatit dhe të pandehurit kanë të drejtën dhe privilegjin të shfrytëzojnë dhe të zbatohet ligji që është më i favorshëm për ta në kohën kur është kryer vepra penale”, ka thënë ai.

“Prandaj, dënimi ndaj të akuzuarit për masakrën në Izbicë të Skenderajt nuk mund të jetë më i lartë se 20 vite”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Ndërsa në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore.

Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës./Gazeta Enigma/

Related Articles