Masat e BE-së ndaj Kosovës, Baraliu: Përderisa mund të jetë vetëm një shtet kundër nesh nuk hiqen masat

Masat e BE-së ndaj Kosovës, Baraliu: Përderisa mund të jetë vetëm një shtet kundër nesh nuk hiqen masat

Ende nuk dihet se kur mund t’i largojë Bashkimi Evropian masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pavarësisht se kërkesa e tyre ishte që të ndërrohej pushteti lokal në katër komunat veriore, shkruan Gazeta “Enigma”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Raportuesin Evropian për Kosovën, Riho Terras, të martën tha se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.

Krahas kësaj Osmani ka thënë se “vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm”.

Ajo ka kërkuar mbështetjen e Terras për heqjen e masave. “Kërkova mbështetjen e z. Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë. Heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave”, ka thënë Osmani.

“BE me sjellje raciste ndaj Kosovës”

Profesori universitar, Mazllum Baraliu tha Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij janë duke u treguar shumë të papërgjegjshëm dhe diskriminues ndaj Kosovës.

Në një përgjigje për Gazetën “Enigma” Baraliu ka theksuar se BE po tregohen që janë racistë, kanë sjellje raciste më shumë sesa diskriminuese.

Sipas tij pas përmbushjes së kërkesës për konstituimin e organeve nga zgjedhjet në komunat në veri, tani ata po kërkojnë edhe çështje tjera pa kufi.

“Për sjelljet jashtëzakonisht të papërgjegjshme dhe burokratike skajshmërisht për të mos thënë edhe diskriminuese dhe më shumë se kaq Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tij ndaj Kosovës. Njëherë kanë thënë se vetëm të fillojë konstituimi i organeve të reja nga zgjedhjet lokale në komunat veriore, ajo u bë tash po kërkojnë edhe çështje tjera pa kufi, ndërkohë që nuk e njohin shtetin e Kosovës, janë neutral ndaj tij, ka disa shtete që edhe nuk na njohin”, tha Baraliu.

Tutje ai ka shtuar se “faktikisht po tregohen që janë racistë, kanë sjellje raciste më shumë sesa diskriminuese dhe demokratike po bën Bashkimi Evropian i cili është në krizë të thellë dhe të veprimtarisë dhe të unitetit, por edhe të identitetit dhe prandaj në të gjitha planet është në dështim e sipër dhe tani po sillet me Kosovën sikur të ishte toka e askujt”.

“Përderisa mund të jetë vetëm një shtet kundër nesh nuk hiqen masat”

“Nuk mund të paragjykojmë ose të presim se kur do të hiqen këto masa sepse disa shtete kanë kushte disa shtete janë kundër, dhe dihet se nga ato që janë kundër mjafton vetëm njëra nga to të vazhdojë te jetë kundër nuk hiqen masat”, deklaroi Baraliu për “Enigmën”.

Tutje ai ka theksuar se sipas qëndrimeve diskriminuese dhe raciste  nuk mund të kemi limite kohore se kur mund të hiqen masat e tyre ndaj Kosovës.

“Prandaj nuk ka ndonjë limit kohorë ose ndonjë siguri as parashikuese për arsye të qëndrimeve të pakoordinuara dhe të qëndrimeve jo vetëm diskriminuese por më shumë se kaq ndaj Kosovës deri në diskriminime raciste sepse ndryshe kjo nuk mund të përkufizohet”, tha ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles