Përkundër që është rritur numri i të infektuarve në Kosovë me COVID-19, ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, ka deklaruar për media se gjendja në vend është stabile, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Por, ndryshe mendojnë infektologët.
Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, në një prononcim për Gazetën ‘Enigma’ ka theksuar se numri i rasteve pozitive me COVID-19 në vendin tonë është shqetësues.
“Këto shifra kaq të larta me raste pozitive me COVID-19 në Kosovë është shqetësuese për vendin tonë, kur dihet që ne jemi një vend i vogël dhe kemi një numër të vogël të popullsisë krahasuar me vendet tjera”, ka deklaruar Ramadani.
“Shtrëngimi i masave anti-COVID që vetë Qeveria i ka miratuar më herët nuk është zbatuar dhe praktikuar, një gjë të tillë e tregojnë edhe shifrat alarmante që i kemi gjatë këtyre ditëve në vendin tonë”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, për ministrin Latifi më shqetësuese është mosvaksinimi i qytetarëve se rritja e rasteve
“Ne kemi diskutuar për gjendjen aktuale me COVID dhe kemi bërë konstatimin se edhe pse gjendja është jashtëzakonisht stabile në krahasim me vende të tjera ne kemi rritje të rasteve”, ka thënë Latifi.
Ai ka shtuar se “këto raste nuk po shtohen edhe në mënyrë dramatike rritja e numrit të pacientëve nëpër spitale po megjithatë është shqetësuese se ne duhet të gjithë të vaksinohemi”.
“Ne kemi vdekshmërinë më të ulët në Evropë sa i përket vdekjeve nga COVID. Megjithatë jam i kënaqur sa i përket menaxhimit të pandemisë nga qeveria e Kosovës”, theksoi Latifi.
Megjithatë, Ramadani s’po pajtohet me mendimin e Latifit, pasi potencon se “shifrat tregojnë qartë për gjendjen e pandemisë në vend, ku çdo ditë kemi rritje të rasteve, për mua pandemia në vend është e rënduar dhe shqetësuese”.
Kreu i infektologëve ka shtuar “se kur kemi mbi 2 mijë raste pozitive në ditë kjo tregon seriozitetin e madh me pandeminë që po përballet vendi ynë”.
Ndryshe të enjten e 20 janarit, Komiteti për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është paralajmëruar ashpërsimi i masave, pas rritjes së numrit të rasteve ditëve të fundit.
Vetëm gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë janë regjsituar 2.943 raste pozitive me COVID-19 dhe është shënuar një rast i vdekjes ka njoftuar IKShPK-ja, përderisa numri i rasteve aktive ka shkuar në 12.396. /Gazeta Enigma/