Mbyllja totale, rritja e çmimeve – Hije e zezë për Kosovën në sektorin e ekonomisë

Mbyllja totale, rritja e çmimeve – Hije e zezë për Kosovën në sektorin e ekonomisë

Që nga shfaqja e rasteve të para me virusin COVID – 19,  në mars të vitit 2019, Kosova ka filluar të ballafaqohet me probleme të mëdha, me theks të veçantë në sektorin e ekonomisë, shkruan Gazeta Enigma.

Pandemia COVID-19, vazhdon të jetë një kërcenim për shëndetin e njeriut, por, është edhe një tronditje e madhe për ekonominë e vendit.

Pasojat e mëdha ekonomike janë të dukshme, dhe ato kanë bërë që shumë biznese edhe të falimentojnë. Prandaj, kjo shkakton frikë te disa individë sepse punonjësit e këtyre bizneseve rrezikojnë të mbeten pa të ardhura.

Që nga ajo kohë, Kosova ende i mbanë të mbyllura disa biznese, siç janë; dasmat, klubet e natës, ndërsa kafiteritë dhe restorantet janë të hapura, por, vetëm me dëshminë e testit negative ose t’a kenë dëshminë e vaksinimit.

E për këtë, gastronomët shumë herë kanë protestuar, dukë i bërë thirrje qeverisë që t’i hapin bizneset, sepse sipas tyre kjo po u shkakton dëme të mëdha, ndërsa në anën tjetër Qeveria nuk po iu del në ndihmë për asgjë.

Madje, gastronomet kanë kërkuar edhe lehtësim të masave për festat e fundvitit 2022.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet relevante, për asnjë moment të vetëm nuk e përkrahën digasterin e gastronomisë në mbijetesën e tyre, megjithatë, pa fije turpi ulë në kafiteri dhe restaurante dhe presin shërbimet e tyre. Nuk e di se si atyre u shijon kafeja që shërbehet nga një kamarier, i cili tash e sa kohë e merr rrogën me zbritje!’, ka shkruar kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi”.

Gjithashtu, gastronomët kanë kërkuar edhe lehtësim të masave për festat e fundvitit 2022.

Ata thonë se gjendja e këtij sektori vetëm se po shkon dhe po përkeqësohet.

Mirëpo, një aspekt tjetër i rëndësishëm i goditjes së ekonomisë është edhe sektori i jashtëm, sepse Kosova ka një varësi mjaftë të lartë nga remitancat, duke pranuar një shumë prej 10 përqind, në baza vjetore.

Kështu, BQK ka parashikuar se për vitin 2020, Kosova ka pësuar një rënie ekonomike në intervalin -2% deri -4%.

Për këtë, qeveria e Kosovës lansoi një pako fiskale emergjente që të pakësojë rrezikun e rritjes së falimentimeve gjatë asaj periudhe të vështirë.

Disa nga masat e ndërmarra në vitin 2020, janë të renditur më poshtë:

  • Ndërmarrjet që kanë shënuar rënie të të hyrave si rezultat i masave të qeverisë ose janë detyruar të mbajnë punonjësit e tyre në shtëpi, qeveria do të ndihmojë me mbulimin e shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 euro për 2 muaj; Subvencionimin e qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për dy muaj me një total prej 12 milionë eurove;
  • Ndërmarrjet publike që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së urgjencës së shëndetit publik, mund të kërkojnë likuiditet të përkohshëm nga qeveria në masën e nevojshme për të mbajtur operimin e rregullt të veprimtarisë, shumë këtë të cilën janë të detyruar t’ia kthejnë shtetit pas stabilizimit të operimit. Qeveria  alokon 20 milionë euro, dhe mjetet e alokuara bartin zero interes vjetor.
  • Qeveria e Kosovës merr përsipër pagesën e një asistence mujore në masën e 130 euro për 3 muaj. Maksimumi i shumës së alokuar në këtë masë do të jetë 4 milionë euro.
  • Mikro-ndërmarrjet dhe të vetë punësuarit mund të sigurojnë likuiditet financiar (për një periudhë maksimale prej 24 muajsh, dhe shumë maksimale prej 10.000 eurosh), me ç’rast Qeveria do të merr përsipër mbulimin e kostos së kredisë. Për këtë masë do të ndahen 15 milionë euro.
  • Buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është rritur për 5 milion Euro shumë kjo që do të përdoret për subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit.
  • Qeveria e Republikës së Kosovës do të sigurojë 10 milionë euro për mbështetje të eksportuesve, të cilët do të përfitojnë në raport me shtimin e vëllimit të tyre të eksporteve.
  • Shtyrja e afatit të  dorëzimit në KKRF të deklaratave të pasqyrave financiare vjetore, raporti i auditorit dhe raportet e rishikimit, për dy muaj (afati i ri 30 qershor 2020);
  • Shtyrja e deklarimit dhe pagesës së tatimeve për një muaj, përfshirë edhe trajtimin e kërkesave për rimbursim të tatimeve.;
  • Përjashtimi i përkohshëm i pagesës së TVSH-së në importet e grurit dhe miellit, për prodhimin e produkteve të bukës.
  • Shtyrja për tre muaj e pagesës së kësteve për tatimin në pronë.

Ndërsa, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë shtesa për fëmijë.

Sipas këtij vendimi, për fëmijët deri në dy vjeç, prindërit mund të marrin nga 20 euro në muaj. Për këtë kategori (fëmijët që kanë lindur në vitin 2020-2021). Kurse, aplikimi për të përfituar shtesa prej 10 euro për fëmijët deri në moshën 16-vjeçare do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm (2022).

Përveç shtesave të fëmijëve, nga kjo pako kanë përfituar edhe grate lehona.

Sipas vendimit të Qeverisë, lehonat që kanë qenë të papuna në 12 muajt e fundit të vitit 2021, do të mbështeten me 170 euro në muaj për 6 muaj radhazi, ndërsa lehonat që figurojnë të punësuara në ndonjërin prej muajve në 12 muajt e fundit, do të mbështeten me 170 euro në muaj për 3 muaj radhazi.

Pandemia COVID-19 problem për Kosovën, por jo i vetëm

Qeveria nuk i subvensionoi mjaftueshëm prodhuesit vendor, të cilët u ballafaquan me probleme të mëdha financiare, prandaj edhe janë detyruar t’i rrisin çmimet.

LEXO EDHE: A do të ketë rritje të çmimit të energjisë?

Rritja e çmimeve të produkteve bazike në Kosovë dhe i energjisë elektrike, ka ngritur sërish zërin e qytetarëve te institucionet, dhe jo vetëm.

Rritja e çmimeve ka nisur që në muajin prill me 1.2 për qind, duke shkuar në 4.9 për qind .

Mirëpo, pagat që marrin qytetarët e Kosovës, nuk u mjaftojnë që të mbijetojnë. Prandaj, si nga qytetarët poashtu edhe nga deputët e Kosovës kanë kërkuar nga Qeveria Kurti që të bëhet një balancim i pagave.

Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka thënë se ngritja e çmimeve e rëndon edhe me tepër gjendjen sociale të punëtorëve dhe të qytetarëve në vend, pasi nuk ka rritje të pagave, derisa ajo minimalja vazhdon të mbetet e njëjtë.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, vlera e pagës minimale në Kosovë ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2011, e cila është nga 130 deri 170 euro, varësisht nga mosha e punëtorit.

Ndërsa, në vitin paga mesatare bruto ishte 466 euro, sa është edhe aktualisht, derisa në vitin 2019 ishte 477 euro. Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020, ishte 380 euro, derisa në vitin 2019 ishte 411 euro.

Rritjen e pagave për t’iu përshtatur rritjes së çmimeve të energjisë dhe produkteve ushqimore, nuk e ka kërkuar vetëm zëri i qytetarëve dhe i deputetëve, por edhe Sindikata e Arsimit së Kosovës.

Këta të fundit kanë kërkuar nga qeveria që të miratohet Ligji i Pagave, derisa edhe analistët e vlerësojne se ky ligj duhet të miratohet, sepse në të kundërt vendi do të gjendet para një trazire sociale.

Zotimet e Kurtit për përmirësimin e ekonomisë së vendit

Kryeministri i Qeverisë, Albin Kurti, u ka premtuar të punësuarve në sektorin publik se Qeveria që ai udhëheqë do të hartojë Ligjin për Paga, me të cilin ka thënë se do t’u bëhet zgjidhje problemeve thelbësore të pagave.

“Hartimi i këtij ligji nuk është i lehtë dhe jemi të vetëdijshëm që ajo që nuk u bë për 22 vite nuk duhet të bëhet me nguti. Ligjin për pagat do ta bëjmë, do ta bëjmë ligj që zgjidh problemet thelbësore të pagave. Qeveria është e përkushtuar që t’i japë fund vendimeve ad hoc të ministrave dhe të drejtorëve të agjencive sipas preferencave dhe lidhjeve familjare. Me të marrë mandatin ne kaluam nga një kabinet me 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra, në një kabinet minimalist. Kemi ulur shpenzimet qeveritare, janë rritur të hyrat”, kishte thënë ai.

Më tutje, Kurti tha se me Ligjin e ri, përveç pagës bazë dhe kompensimeve, do të rregullohet dhe përcaktohet edhe çështja e shtesave.

Ndryshe, përkundër tërë këtyre thirrjeve për ndryshim si në sektorin e gastronomisë, dhe kërkesës së miratimit për Ligjin e Pagave, qeveria ende nuk ka ndërmarrë asgjë për ndryshim dhe për miratim.

Kosova vazhdon të jetë në pritje që të shfaqet drita e gjelbër, përkundër asaj që hija e zezë ka kapluar sektorin e ekonomisë në vend.

Por, vlen të theksohet se Kurti ka miratuar Projektligjin e buxhetit për vitin 2022.

LEXO EDHE: Qeveria miraton Projektligjin e Buxhetit 2022

/Gazeta Enigma/.

Related Articles