“Deklarimet e Presidentit Zeman, janë deklarime personale të tij”, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Jakub Kulhanek, në një përgjigje me shkrim për Gazetën “Enigma”, teksa e komentoi kërkim faljen publike të Presidentit të Çekisë, Millosh Zeman, për bombardimin që NATO i bëri Serbisë në vitin 1999, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ministri i Jashtëm i Çekisë, në përgjigjen e tij duke komentuar zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, shtoi se “politika e këtij rajoni ka shumë ndërlikime”, prandaj “nevojitet një dialog afatgjatë për të zgjidhur jo një, por dhjetëra, në mos qindra veprime të gabuara”.
Ndërkohë për deklarimet e Presidentit çek, Gazeta “Enigma”, ka kërkuar dërguar pyetje edhe tek Zyra e kryeministrit, Albin Kurti, si dhe nga Ambasada çeke në Prishtinë, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Kujtojmë se kërkim faljen e Presidentit çek, për bombardimin e ish-Jugosllavisë nga NATO-ja, më 1999 e ka mirëpritur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiq.
Ai madje e ka cilësuar atë si deklaratë historike. “Ajo që ndodhi sot në Pragë hyn në librat e historisë”./Gazeta Enigma.