Në prag të ndeshjes së dytë në “ALBI MALL” Superligën e Kosovës, FC Ferizaj – KF Prishtina, kryetrajneri i FC Ferizajt, Arbnor Morina, drejtori sportiv, Agron Selmani dhe lojtarët Astrit Fazliu dhe Florim Berisha u deklaruan për media rreth përgatitjeve dhe pritshmërive për ndeshjen e nesërme.
Me këtë rast, trajneri Morina theksoi se kanë bërë përgatitjet dhe ekziston një atmosferë shumë e mirë brenda epikes, e që synim do kenë pikët e plota.
“Nesër na pret një ndeshje që e ka peshën si çdo ndeshje tjetër. Kundërshtari është i komponuar dhe kompletuar, me një traditë pas vete por as ne nuk jemi prapa. Unë kam besim të plotë në futbollistët e mi sepse gjatë javës kanë stërvitur në mënyrën më të mirë, pa u kursyer aspak. Nesër ne duhet të besojmë në vetvete dhe përmes lojës së mirë, ta arrijmë një rezultat pozitiv”, tha para mediave kryetrajneri Morina.
Morina gjithashtu deklaroi se gabimet që ndodhën në ndeshjen ndaj SC Gjilanit, nuk duhet të përsëriten dhe kanë punuar për të evituar ato gabime.
Ndërsa drejtori sportiv, Agron Selmani është shprehur se presin që nesër ta kenë përkrahjen maksimale nga i gjithë qyteti.
“Nesër kemi datë festive, pa dashur me e prediku rezultatin sepse qyteti i Ferizajt e ka ndeshjen e pare si vendas në ligë. Ne i ftojmë të gjithë ata që na kanë përkrahur deri tash, të mbushin shkallët e stadiumit dhe të arrijmë pikët e plota”, tha Selmani.
Ndërkaq kapiteni, Florim Berisha theksoi se “ne jemi të mobilizuar në maksimum duke e ditur kundërshtarin, por gjatë javës kemi zhvilluar përgatitjet dhe mendoj se fitorja do të mbetet në Ferizaj”, tha Berisha.
Edhe lojtari Astrit Fazliu ka potencuar se ndeshja e nesërme është ndaj një kundërshtari të fortë dhe për të cilën kanw punuar gjatë tërë javës.
‘’Ne do të përmbushim detyrat tona, është ndeshja e parë si vendas në ligë dhe padyshim se do të hyjmë për fitore”, tha Fazliu. /Gazeta Enigma/