Hekuran Murati nga LVV-ja, në kuadër të deklarimeve të njëjta që ka dhënë tash e disa ditë pas dështimit të seancës së Kuvendit, sot tha se “disa deputet nga oppozita kanë shprehur qëndrimin të votojnë pro”, emrit të kryeparlamentares së propozuar nga LVV-ja, raporton Gazeta Enigma.
Por një gjë e tillë sipas tij “nuk po lejohet nga subjektet opozitare”.
Këto komente ai i bëri pasi kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, kërkoi nga LVV-ja që të ulë presionin ndaj deputetëve, dhe kërkoi nga ta që ta zhbllokojnë situatën.
LEXO EDHE: Krasniqi: I kërkoj falje popullit të Kosovës për talljen që LVV-ja po i bënë atyre
“Kjo situatë po vjen nga ata që votojnë kundër. Ka akuza që po kërkohet të votohet me zor, por ne kemi dëgjuar që deputet nga opozita kanë shprehur qëndrimin që të votojnë për, por pikërisht subjektet opozitare nuk po i lejojnë të votojnë për. Pra kushtëzimi vjen nga ta”, tha Murati.
Tutje ai ka thënë se kompromisi që kjo parti ka ofruar për konstituim ka qenë që emri i Albulena Haxhiut si propozim për kryeparlamentare të përfshihet në pako me emrat e propozuar nga partitë opozitare për nënkryetarë të Kuvendit.
“Ajo që kemi ofruar si kompromis është dakordim politik që të tri partitë më të mëdha që u takon të propozojnë kandidatë për nënkryetarë, pos partive parlamentare të komuniteteve joshumicë, të mblidhen të dakordohen dhe në paketë të përfshihen emri i kryetares Albulena Haxhiu dhe i nënkryetarëve që të vazhdohet tutje”, ka thënë ai. / Gazeta Enigma.