Ngërçi i Kuvendit vazhdon – bllokadën e përmendin të gjithë, por askush realisht s’ofron rrugëdalje

Ngërçi i Kuvendit vazhdon – bllokadën e përmendin të gjithë, por askush realisht s’ofron rrugëdalje

Ngërçit politik në të cilin gjendet Kosova, nuk po i duket fundi, kjo pasi edhe me tentimin e 12-të dështoi konstituimi i Kuvendit, dhe rrjedhimisht edhe zgjedhja e kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.

Duke tentuar ta zhbllokojë situatën e krijuar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përkundër kritikave të vazhdueshme gjatë fushatës për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), i dërgoi kësaj të fundit një “lutje” për bashkëpunim.

“Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kurtit.

Stoik karshi qëndrimeve të tyre qëndruan LDK-ja, e cila iu kundërpërgjigj LVV-së me propozimin për krijimin e një Qeverie Tranzicionale.

Abdixhiku në përgjigjen e tij drejtuar Kurtit, ofroi krijimin e një koalicioni qeverisës me të gjitha partitë shqipare.

“Zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK e konsideron të domosdoshme. LDK-ja propozon nisjen e procesit konsultativ me qëllimin e qeverisë nacionale të tranzicionit me afat të caktuar deri në zgjedhjen e Presidentit të ri”, u shpreh Abdixhiku.

Kundërpërgjigja e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, nuk u mirëprit nga LVV, nga disa deputetë të PDK-së dhe disa të AAK-së. Nga PDK thanë se do të dalin me qëndrim zyrtar, teksa kreu i AAK-së u shpreh i gatshëm për konsultime, por jo me LVV-në në tryezë.

Ndërkohë, kryetari i NISMA-së, Fatmir Limaj, theksoi se ka nevojë të dijë më shumë informacione rreth propozimit të LDK-së.

Kurse Emilja Rexhepi, thotë se Abdixhiku në thirrjen e tij ka injoruar komunitetet jo shumicë.

LEXO EDHE: Dështon sërish “abe tezja” e Kuvendit

‘‘Me këto fjalë mund ta përshkruaj deklaratën e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të cilën komunitetet jo-shumicë në Kosovë injorohen dhe eliminohen hapur nga dialogu politik. Një qasje e tillë është shoviniste, politikisht regresive dhe thellësisht e dëmshme për vizionin e një Kosove moderne dhe multietnike’’, ka shkruar ajo mes tjerash.

Propozim sa për “sy e faqe”?

Njohësi i çështjeve politike, Burim Ramadani, potencoi se partia e parë nuk e ka shumicën parlamentare, gjë që duhet të krijohet hapësirë për krijimin e një Qeverie nga ish-opozita.

“Njerëzit në politikë nuk duhet të jetojnë në iluzione. Bllokada tashmë disa javore duhet të zgjidhet në terma praktike. Është e qartë se partia e parë nga zgjedhjet nuk ka shumicën parlamentare. Opsioni i dytë është krijimi i një shumice tjetër, pra Qeveria e ish-Opozitës. Ndërsa, në mungesë potenciale të kësaj të dytës, Kosova shkon në zgjedhje sërish dhe kjo është e pashmangshme”, theksoi ai.

“Në këtë kontekst, partitë duhet të vendosin a duan të shkojnë në zgjedhje duke pasur VV-në në Qeveri në detyrë apo të ndërtojnë një Qeveri për Zgjedhje”.
Po ashtu, analisti politik Dritëro Arifi, duke i komentuar komunikimet zyrtare midis Kurtit dhe Abdixhikut, thotë se partitë parlamentare kanë krijuar një komunikim ‘virtual’ përmes letrave dhe Facebook-ut.

“Për fat të keq partitë politike në përgjithësi kanë ngecur në mentalitetin e fiseve, pra, nuk ka një komunikim normal, ne po e mashtrojmë vetveten duke pretenduar që i takojmë një shoqërie evropiane ku zbatohen normalisht demokracia dhe bashkëbisedimi, edhe atëherë kur nuk pajtohemi. Në një farë mënyre ky komunikim ‘virtual’, përmes letrave dhe Facebook-ut, nuk është qasje se si ndërtohet një politikë, apo raport serioz, pra, raportet e partive politike janë të fortifikuara si në vija të frontit”, deklaroi Arifi për Gazetën Enigma.

“JO-ja” e butë e LDK-së

Arifi tutje potencoi se përgjigja e Abdixhikut karshi Kurtit është një “JO” e butë dhe as një “PO” e fortë.
“Oferta e LDK-së për partitë politike ka të bëjë me disa aspekte: 1. Një JO e butë, por as një PO e fortë, që t’i drejtohet VV-së me një përgjigje tjetër, pra, topin ta hedh tek LVV-së, më shumë një përgjigje diplomatike sesa pragmatike”, thotë ai.

“Ideja e një Qeverie Tranzicionale është që partitë politike duhet të takohen për të biseduar për cilin do opsion që është i mundshëm në të mirë të Republikës. S’është me rëndësi një koalicion i dy partive apo tre partive, ose tek e fundit edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme. Kjo ftesë në një farë mënyre i kurthon partitë që të ulen e të bisedojnë, nëse ka dëshirë dhe vullnet për bisedime. Dhe i vendos partitë tjera parlamentare në një defanzivë, sepse tani duhet të rimendojnë një përgjigje, pra, a dëshirojnë që të bisedojnë dhe jo më me letra, por të takohen, a kanë ide tjetër – për të dalë nga kjo bllokadë”, shton tutje Arifi.

Ndërkohë, nga Lëvizja Vetëvendosje tashmë e kanë kundërshtuar këtë propozim të LDK-së. Ata vlerësojnë se realizimi i kësaj ideje nënkupton “injorimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, të cilët e kanë vendosur VV-në në pozitën e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kështu ka deklaruar pas dështimit të seancës së sotme, deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

“Është e papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve. Ne nuk është se kemi pasur zgjedhje para 2-3 vitesh, por para 3 muajve. Prandaj ka tendencë të hapur që ky vullnet i popullit të injorohet. VV-ja është subjekti më i madh në vend dhe kryeministri Kurti është kandidati me më së shumti mbështetje. Kushdo që tenton ta injorojë këtë vullnet e ka gabim dhe kjo fare nuk mendoj se mirëkuptohet nga qytetarët”, ka thënë ajo pas dështimit të seancës së 12-të për konstituim.

Haxhiu e ka cilësuar të pakuptueshëm pozicionin e partive opozitare që po refuzojnë të votojnë komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit./ GAZETA ENIGMA

Related Articles