Në Qendrën e Vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë tashmë, pos vaksinave kundër COVID-19, do të jepen edhe vaksinat kundër gripit sezonal.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë 140 mijë vaksina kundër gripit sezonal të cilat kanë nisur sot të shpërndahen edhe në komunat e tjera.
Kategoritë me prioritet për vaksinim kundër gripit sezonal janë qytetarët mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe lehonat, personeli shëndetësor dhe fëmijët me indikacione shëndetësore.
Në mesin e këtyre dozave janë edhe 5000 vaksina pediatrike.
Klan Kosova ka provuar të kontaktojë me dikë nga Ministria e Shëndetësisë për të kuptuar se sa është numri i atyre që janë vaksinuar kundër gripit sezonal, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Në këtë qendër vazhdon paralelisht edhe vaksinimi kundër COVID-19, përkundër ekipeve mobile të vaksinimit të cilat janë vendosur në sheshin e Prishtinës, ashtu si edhe në gjashtë sheshe të qyteteve të mëdha të Kosovës./Gazeta “Enigma”/