Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ka thënë se SHBA dhe BE nuk kanë asnjë dallim dhe kundërthënie sa i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk janë kundërthënëse. Shkojnë në të njëjtin drejtim. Do të dëshironim një marrëveshje për normalizimi e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Serbisë dhe Kosovës, e cila në mënyrë ideale për ne përqendrohet në njohjen e dyanshme, e cila, siç e shohim ne, vërtetë e vë këtë çështje prapa krahëve dhe hap rrugëtim të pastër evropian për të dy vendet”, ka thënë tutje ai.
Sipas tij, SHBA-të nuk janë palë në negociata, por janë hisedarë në këtë proces. “Jemi partnerë të përkushtuar për Shërbimin për Veprim të Jashtëm Evropian (EEAS), për Miroslav Lajçakun, jemi partnerë të përkushtuar për Kosovën, jemi partnerë të përkushtuar për Serbinë. Pra, edhe nëse nuk jemi ulur në tavolinë apo në sallë kur debatohet për çështje të ndryshme, kemi folur për këto çështje me të gjitha palët në proces në raste të shumta. Kemi pamje shumë të mirë e të qartë për cilat çështje po debatohet. Jemi pjesë e bisedës. Pra, në këtë kuptim, po marrim pjesë në negociata edhe nëse nuk jemi palë në to”, tha Palmer.
I pyetur drejtpërdrejt nëse SHBA-të do të emërojnë një të Dërguar të Posaçëm për këtë proces, Palmer ka thënë se nuk dëshiron ta shikojë këtë në “sferën e kristaltë” dhe të thitë se çka do të sjellë e ardhmja.
“Por do t’ju them se tash për tash, SHBA-ja është e angazhuar në proces, po i kushton vëmendje të posaçme procesit. Jam këtu sot për të demonstruar se Miro Lajçaku dhe unë jemi miq të mirë, flasim në telefon për këto çështje të paktën një herë në javë, takohemi rregullisht. Jemi të përkushtuar dhe të angazhuar ndaj procesit të promovimit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, shtoi tutje ai.
Palmer më pas ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk po qëndrojnë në margjina të këtij procesi.
“Drejtpërdrejt jemi të angazhuar dhe të përfshirë në mbështetjen e negociatave. Kjo në të vërtetë është edhe pjesë e porosisë së vizitës sime të përbashkët me Miroslav Lajçakun për të theksuar sa thellë është e përkushtuar, e përfshirë dhe e angazhuar SHBA-ja në këtë proces. E sa i përket deri në ç’masë Kosova dhe populli i saj, udhëheqja e Kosovës shohin kah SHBA-ja për të avokuar në këtë proces, një aleate, mbështetëse e procesit të normalizimit, atëherë po, ata duhet jenë të sigurt që Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për këtë proces, janë mbështetëse të forta të lehtësimit të procesit nga ana e BE-së, por janë shumë të angazhuara dhe të përfshira në përpjekje për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe që hap perspektivën evropiane për Kosovën dhe për Serbinë”./RTK/