Pandemia COVID-19 ndikoi që shumë biznese të falimentojnë, derisa edhe pronarët e lokaleve të ndryshme mbetën të izoluar duke u detyruar që t’i mbyllin ato, shkruan Gazeta Enigma.
Si pasojë e falimentimit të shumë bizneseve në Kosovë, shkaktarë janë shumë faktorë, derisa ekspertët e konsiderojnë si element kyç edhe mungesën e ofertës më të favorshme për të bërë biznes.
Një të tillë e thotë edhe njohësi i çështjeve të ekonomisë, Musa Limani, i cili potencoi se në vitin që lamë pas çështja e pandemisë ka ndikuar dukshëm në afarizmin e firmave, sidomos në ato të vogla.
“Në veprimin e ekonomisë së tregut normalisht që ka hyrje dhe dalje në degë dhe sektor të ndryshëm të ekonomisë dhe atë të ndërmarrjeve varësisht nga aksizmi ndërmarrjeve ose firmave.”
“Varet ekzistenca e tyre në veprimin e ekonomisë së tregut prandaj është e arsyeshme që edhe në Kosovë të kemi dalje në këtë kuptim të firmave të ndryshme të cilat nuk kanë afarizëm të mirë”, tha Limani.
“Shpenzimet e tyre të përgjithshme janë më të mëdha se sa çmimi që ja pranon tregu, por në të njëjtën kohë kemi edhe ndërmarrje që hynë në treg duke parë interesin e tyre, prandaj kjo hyrje dhe dalje e firmave është rezultat i afarizmit të tyre”.
Ai fajin për këtë ia lenë qeverisë, derisa thotë se masat e ndërmarra për të ndaluar hapjen kanë qenë efekt negativ i largimit të një numri të madh të punëtorëve dhe kështu as gastronomia nuk ka funksionuar.
Limani i bënë thirrje qeverisë të formojë një pako masash, të cilat sipas tij “ndikojnë në rimëkëmbjen dhe përmirësimin e gjendjes së ndërmarrjeve, veçmas në ato që kanë qenë të prekura nga masat që janë marrë për parandalimin e pandemisë”.
Ndërsa, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, thekson se si rezultat i performancës së dobët ekonomike të bizneseve në vend, është rritur në vazhdimësi numri i kompanive të shuara.
Krasniqi shpreson se Qeveria e Kosovës do të miratojë një pako mbështetëse për bizneset si rrjedhojë edhe krizës energjetike në vend.
“Kosova si çdo shtet tjetër ka falimentim të bizneseve, dhe hapje të bizneseve të reja, kjo mund të ketë ndodhur edhe për shkak të pandemisë, dhe për shkak të pamundësisë së bizneseve që të afrojnë në këtë gjendje që nuk është e lehtë. Është gjendje shumë e rëndë, po shpresojmë të kemi një ofertë më të mirë të bizneseve, një trajtim më të mirë të të bërit biznes në mënyrë që të kemi edhe rritje ekonomike, rritje të punësimit dhe mirëqenie”, potencoi Krasniqi.
Krasniqi shprehet optimist, duke thënë se presin nga qeveria që do të dalë edhe me një program të përkrahjes së bizneseve për dëmet që është duke i shkaktuar edhe me goditjen e radhës, që është energjia elektrike.
Njësoj mendon edhe Musa Limani, i cili thotë se edhe energjia elektrike është faktor kryesor që ka ndikuar së fundmi në moszhvillimin e gastronomisë.
Si po arsyetohet ky problem i kamotshëm në gastronomi?
Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, dy muaj më parë ka prezantuar pakon mbështetëse për prodhuesit.
“Të gjithë prodhuesit që dëshirojnë të zgjerojnë kapacitetet prodhuese do të subvencionohen me 20% të kryegjësë së kredisë investive”, ka thënë ai.
Murati ka shkruar edhe për mbështetjen e bizneseve që kanë nevojë për likuiditet.
“Të gjitha bizneset që kanë nevojë për likuiditet, që të vazhdojnë operimin dhe të mbajnë punëtorët në punë, mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë që marrin për nevoja të likuiditetit”, ka thënë ai.
Përkundër ekspertëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se që nga marsi i vitit 2021, numri i punëtorëve është rritur.
Kurti pati theksuar se në programin e Qeverisë një nga qëllimet strategjike është përmirësimi i konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve në rajon dhe më gjerë.
Por, deklaratën eKurtit, e demantojnë statistikat e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë.
Për një vit, rreth 3 mijë e 300 punëtorë mbetën pa punë
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, gjatë vitit 2021 janë shuar 1,330 biznese, të cilat kishin të punësuar rreth 3,300 punëtorë.
Numri më i madh i tyre ka ushtruar veprimtarinë në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga hoteleria dhe akomodimi, si dhe industria përpunuese.
Në listën e bizneseve të shuara figurojnë edhe biznese në fushën e ndërtimit, informimit, komunikimit e të tjera.
Mirëpo, jo të gjitha bizneset që figurojnë të shëruara, janë të çregjistruara në ATK, ku sipas të dhënave, numri i kërkesave për mbyllje të bizneseve dallon prej numrit të bizneseve të çregjistruara.
Gjatë këtij viti, vetëm 15 biznese kanë arritur të çregjistrohen në ATK.
“Kjo nënkupton që pas kërkesës së bërë për mbyllje, janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore për mbylljen e tyre. Mund të ketë numër të madh të kërkesave për mbyllje, mirëpo mund të jenë në proces të verifikimit, pasi që asnjë biznes nuk mund të mbyllet pa i kryer të gjitha obligimet tatimore ndaj ATK-së”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Ndryshe, në vitin 2021 u hapën edhe shumë biznese të reja, ku në statistikat e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve thuhet se nga janari deri në nëntor janë hapur mbi 9,000 biznese të reja.
Përfaqësues të bizneseve thonë se mbyllja, por edhe hapja e bizneseve në sektorë të njëjtë, ndodh për shkak se ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë e orientuar në sektorët e tregtisë me shumicë dhe pakicë e më pak në prodhim. /Gazeta Enigma/.