Tensionet në veri, krisja e raporteve me ndërkombëtarët, si dhe keqqeverisja e partisë në pushtet, janë disa nga arsyje që sipas partisë opozitare, PDK-së, duhet që të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme, shkruan Gazeta Enigma.
Madje për ta jetësuar këtë, nga PDK-ja kanë thënë se do ta bëjnë të pamundurën, teksa kanë theksuar se do ta “paralizojnë” të drejtën e tyre për të votuar ligje në Kuvendin e Kosovës, si revoltë për gjendjen e krijuar.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka folur rreth paralajmërimeve për rrëzimin e Qeverisë Kurti, duke e kritikuar partinë në pushtet se e ka rënduar situatën politike në vend.
Berisha potencoi se PDK duhet ta përgatisë sa më parë planin për largimin e kësaj Qeverie.
“PDK, tani duhet të përgatitë planin e saj për largimin e kësaj Qeverie! Kauzat e PDK-së, që do i ngris për realizimin e planit, nuk ka nevojë të jenë kauza mashtruese, si të partive tjera siç ishin ‘vrasjet politike’, ‘thikat mbi harta’, ‘demarkacioni’, por kauzat tona do të ngritën mbi fakte, siç është keqqerverisja, keqmenaxhimi, kapja e shtetit, korrupsioni, humbja e aletaëve, acarimi i raporteve me Tiranën në favor të Beogradit, ne si PDK nuk do t’i ndjekim agjendat e të tjerëve”, u shpreh deputeti i PDK-së për “Enigmën“.
“Në mes propozimeve këtu për ta mbështet Mocionin e AAK-së, apo propozimin për Revolta të LDK-së, atëherë, mocioni, teknikisht edhe në mungesë të votavë, do ta qonte këtë keqqeverisje komode në vitin e rregullt zgjedhor, kurse të paktën përmes Revoltës do të kishim sensibilizim popullor”, tha tutje ai për “Enigmën“.
Deputeti Berisha theksoi se në rast se Kurti nuk reflekton në lidhje me partnerët ndërkombëtarë duhet të bëhet mobilizim mbarë popullor për rrëzimin e tij nga pushteti.
“Nëse kjo Qeveri nuk reflekton në thirrjet ë partnerëve ndërkombëtarë më theks ShBA-të dhe spektrit politik të Kosovës, atëherë duhet mobilizim mabrë popullor për rrëzimin e tyre nga pushteti”, tha Berisha.
Por sa janë gjasat reale për rrëzimin e Qeverisë Kurti?
Politologu Fidan Ukaj, në lidhje me rrëzimin e Qeverisë shprehet skeptik, sepse sipas tij mundësitë për rrëzimin e Qeverisë Kurti janë minimale.
“Mundësia me pasë zgjedhje përmes rrëzimit të Qeverisë Kurti janë minimale, mirëpo nësë mund të ketë përplasje brenda partisë në këtë rast të VV-së, largimi i deputetëve nga ky subjepkt politik apo bashkimi i tyre me mocionet e mundshme me partitë opozitare mund të ndodhë një gjë e tillë, por, përndryshe gjasat për ta rrëzuar Qeeverinë Kurti janë minimale”, përfundoi Ukaj për “Enigmën“.
Kujtojmë se përpos PDK-ja, rrëzimin e Qeverisë e kanë përmendur edhe përfaqësues të LDK-së dhe AAK-së./GAZETAENIGMA/