Sot dy ministre të kabinetit qeveritar u përballën me sistemin e drejtësisë, njëra si dëshmitare, e ndaj tjetrës u ngrit kallëzim penal, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, këtë të martë ka shkuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës për t’u marrë në pyetje.
Kjo është konfirmuar edhe nga Prokuroria Speciale, por që të njëjtit nuk kanë dhënë detaje se për çfarë arsye është intervistuar ajo.
“Prokuroria Speciale informon se sot, ministrja Artane Rizvanolli, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, thuhej në njoftim.
Pas përfundimit të kësaj seance në lidhje më këtë çështje u deklarua edhe avokati i ministres Rizvanolli, Artan Qerkini.
“Ministrja Rizvanolli është dëgjuar në cilësinë e dëshmitares. Prokurori e ka lexuar një paralajmërim për shkaqe të hetimeve, detajet e hetimeve nuk duhet të behën publike, ngase çdo publikim paraqet vepër penale. Më shumë se kaq nuk mund të themi më shumë. Rizvanolli është dëgjuar në cilësinë e dëshmitares”, ka thënë ai para mediave.
Por Rizvanolli nuk ishte e vetmja që sot pati punë me Prokurorinë.
Pos intervistimit të ministres Rizvanolli, deputetët e opozitës, që janë anëtarë të Komisionit Hetimor për tekstet shkollorë kanë njoftuar se kanë dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, lidhur me tekstet shkollore.
Këtë për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar Shemsedin Dreshaj, kryetar i Komisionit Hetimor, i cili ka konfirmuar se ky komision ka dërguar raportin e ekspertëve në Prokurorinë Speciale ndaj ministres Nagavci.
“Ne e kemi dërguar raportin, vendimmarrja është në nivel të Prokurorisë bazuar në gjetjen e tyre”.
Ata kërkojnë përgjegjësi nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati.
Çka përmban raporti i hetimit të Komisionit?
Në përmbajtjen e këtij raporti ngritët dyshimi për keqpërdorimin e mbi 6 milionë eurove.
Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me Drejtorin Ekzekutiv të Institutit për Studime Evropiane dhe Global, Jeton Halimi, i cili ka deklaruar se përballja e vazhdueshme e ministrave me hetime dhe akuza mund të ndikojë në besimin e qytetarëve ndaj qeverisë dhe të ngadalësojë proceset vendimmarrëse.
“Nëse këto çështje nuk adresohen me seriozitet dhe transparencë, mund të krijohet një klimë mosbesimi që do të ndikojë negativisht në stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit.
“Këto ngjarje dikojnë shumë keq në opinion dhe këto do ti faturohen Albin Kurtit dhe Qeverisë së udhëhequr nga veti ai”,tha Halimi.
Tutje ai ka theksuar se “këto ftesa nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i dëmton edhe vete ministrat e apostrofuar pa paragjykuar se në çfarë cilësie është futu ministrja Artane Rizvanolli , deklarimi i saj para Prokurorisë Speciale”.
“Komisioni Hetimor ndaj ministres Nagavci konfrimon se ministrat e Albin Kurtit po dyshohen për këqërdorime gjatë punës së tyre si ministra”, deklaroi Halimi për “Enigmën”.
Tutje ai ka shtuar se Prokuroria dhe Gjykatat duhet ta kryejnë punë e tyre në mënyrë profesionale dhe nga ana tjetër nuk duhet të ketë ndërhyrje në drejtësi.
“Kuptohet është perzumimi i pafajësisë deri në Aktgjykimin e plotfuqishëm e nga ana e Gjykatës shkallës së pare dhe shkallës dytë nuk mundet të quhen fajtor personat e apostrofuar në mediume. Prokuroria & Gjykata duhet të kryejnë punën e tyrenë mënyrën ma profesionale dhe nuk duhet ti përzihemi gjatë gjithë procesit gjyqësor për ndryshe është ndërhyrje në drejtësi”, tha Halimi.
Në lidhje e këtë çështje ka reaguar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, e cila ka komentuar zhvillimet e sotme politike.
“Dy lajmet e mëngjesit sot: Kallëzim penal ndaj Ministres Arbërie Nagavci dhe Ministrja Rizvanolli paraqitet në Prokurorinë Speciale.
Ndërkohë, dje, Ministri Hekuran Murati tha se qe 20 vjet është shkatërrua gjithçka. Sikur Serbia e ka ndreq Kosovën, na e kemi prishë, ndërsa Vetëvendosja po e ndërton përsëri. Okay, ka logjikë”, ka shkruar Deliu.
Kujtojmë se në një kohë kur ministrat e Qeverisë së Kosovës po përballen me hetime dhe akuza për keqpërdorime, transparenca dhe llogaridhënia mbeten kyçe për ruajtjen e besimit të qytetarëve dhe stabilitetit institucional. /Gazeta Enigma/