Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta në zgjedhjet e 9 shkurtit, me 22.05 përqind nga rezultatet preliminare, apo 184 mijë e 499 vota, shkruan Gazeta Enigma.
Pas rezultateve, kandidati për kryeminsitër nga kjo parti, Bedri Hamza, e përjashtoi absulutisht mundësinë e një koalicioni me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje.
Megjithatë një kandidat për deputet nga kjo parti, e cili ishte deputet në lëgjislaturën e kaluar, po pretendon se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka dashur të ketë një koalicion me LVV-në dhe Albin Kurtin.
Bëhet fjalë për Ardian Kastratin, i cili po ashtu akuzoi kryetarin Krasniqi se me qëllim ia ka bllokuar atij votat, duke ia pamundësuar një mandat të dytë në Kuvend.
“Arsyeja pse nuk jam i votuar në këto zgjedhje është sepse i kam prishur matematikat për koalicion Memli Krasniqit me Albin Kurtin dhe rrjedhimisht bandat e Memlit më kanë bllokuar votën. Arsyeja që “nuk jam votuar” është sepse unë i kam dalur kundër Memli Krasniqit për koalicionin PDK-VV”, pati shkruar Krasniqi ditë më parë në një postim në Facebook.
Kjo ngjalli dyshime për një përçarje të mundshme në Partinë Demokratike, por edhe ngriti teoritë mbi një mundësi bashkëpunimi për formimin e Qeverisë midis LVV-së dhe PDK-së.
Brenda PDK-së kundërshtojnë, por a është i mundshëm koalicioni LVV-PDK?
-Kandidati tjetër për deputet nga PDK, Rashit Qalaj, tha për Gazetën Enigma se ai vetë nuk do e votonte asnjëherë një koalicion mes PDK-së dhe LVV-së.
“Absulutisht jo. Në fund të ditës është një vendim i partisë, por unë personalisht, nëse jam pjesë e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit, në asnjë mënyrë, në asnjë formë, kurrë nuk e votoj. Ka shumë arsye pse jam kundër”, tha Qalaj për “Enigmën”.
Ndonëse foli për LVV-në, ai nuk i komentoi deklarimet e bashkëpartiakut të tij, Ardian Kastrati.
Çka thonë në LVV?
Ndërkohë, kandidati për deputet nga radhët e LVV-së, Mefail Bajqinovci, tha shkurt për Gazetën Enigma se LVV nuk do bëjë koalicion me asnjë parti opozitare.
“Hiq kurrëfarë koalicioni me askënd”, tha shkurt Bajqinovci.
Ndërkohë njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, nuk sheh një përçarje në PDK, por tha se Kastrati “thjesht po mundohet të gjejë arsye për dështimin e tij”.
“Nuk po bëhet kurrfarë përçarje, është thjesht një deputet i indinjuar dhe i dëshpëruar me rezultatin e tij të dobët, i cili si arsye për dështimin e tij, mundohet ta gjejë tek udhëheqësi i partisë”, tha Ramadani për Gazetën Enigma.
“Por kur shikohet mirë rezultatin i vitit 2021 dhe vitit 2025, vërehet që Ardian Kastrati nuk ka marrë vota në Drenicë as atëherë, ndërkohë që edhe tash nuk ka arritur të marrë vota mjaftueshëm, për shkak se pragu ka shkuar shumë lart”.
Ramadani tha se Kastrati duhet t’i gjejë asyet për mossuksesin e tij diku tjetër dhe jo tek lidershipi i partisë.
“Për shkak se deputetët që kanë marrë votat e mjaftueshme, i kanë marrë me meritat e tyre, ata që nuk janë bërë, nuk janë bërë për shkak të meritës së tyre po ashtu”.
PDK nuk do bëjë koalicion me LVV-në, por do synojë ta krijojë një koalicion me LDK-në dhe AAK-në, sipas Ramadanit.
“Edhe vetë zoti Krasniqi është kundër këtij koalicioni (PDK-LVV). Opozita po tenton ta bëjë një Qeveri PDK-LDK-AAK, pa Vetëvendosjen”, u shpreh ai.
Nga rezultatet perliminare, deri më tani në PDK, kandidati më i votuar është Bedri Hamza, me 135 mijë e 677 vota. Ai pasohet nga Memli Krasniqi me 77.341 vota, Uran Ismaili me 32.428 vota, Vlora Çitaku me 30.875 vota, Sala Jashari me 29.786 vota si dhe Enver Hoxhaj me 25.239 vota. /GAZETA ENIGMA