Qeveria Kurti ka prezantuar programin 60-faqësh, ku analistë, krijues e artistë vlerësojnë që kulturës i është kushtuar fare pak vëmendje, ndërsa i tërë programi kulturor është përkufizuar në pika të shkurta – gjithsej 5 faqe, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në lidhje me pjesën kulturore të këtij programi, të paraparë për t’u implementuar në afatin qeverisës 4-vjeqarë, reagimet e artistëve e krijuesëve kanë qenë të ndryshme.
Skena kulturore në programin Qeverisës – Kurti II, opinone për dhe kundër
Partitë opozitare e kanë cilësuar “program të natyrës dëshirore, pa fokus dhe pa masë konkrete që do të qonte në forcimin e subjektivitetit të Republikës së Kosovës, ‘i dizajnuar pa strategji, pa plan veprimi e pa afate për realizimin e projekteve’, i cili nuk përmbanë asnjë fjali të vetme për anëtarsim të Kosovës në Këshillin e Evropës, INTERPOL-i e UNESCO.”
Për disa subjekte opozitare, ky program i prezantuar në fillim si draft e më pas i diskutuar në seancë të jashtëzakonshme parlamentare, u cilësua pa vizion për njohje të reja dhe me mungesë strategjie për avancim të konsolidimin të shtetit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtarë, kurse për liberalizimin, ndonëse proces i vonuar i konstatuar, u tha se akoma nuk ka një orientim të qartë për hapat e mëtejmë që duhet ndjekur.
Besa Luzha, profesore në Fakultetin e Arteve, vlerëson që, si i tillë, programi është i fokusuar në reformim administrativ të institucioneve kulturore për të siguruar autonomi financiare, përmirësim të infrastrukturës fizike e ligjore, zhvillim të librit dhe fondit librar, si dhe investime në infrastrukturë qenësore, pastaj edukim kulturor të rinisë; zhvillim të kapaciteteve në fusha deficitare kulturore, me fokus në dokumentimin e menaxhimit kulturor; trajtim të avancuar të skenës së pavarur si partnere qenësore strategjike; zgjerim të hapësirave kulturore, forcim të mëtejmë të diplomacisë kulturore e avancim të bashkëpunimit me Shqipërinë si formë integrale e bashkëpunimit mbarëkombëtarë.
“Të gjitha këto pika janë të qëlluara dhe do duhej të zbatoheshin. Mungon një plan veprimi me afate dhe masa të kostove financiare për secilën veç e veç”, ka thënë ajo.
Programi Kulturor i Qeverisë “Kurti -II”, do duhej të fokusohej në edukim artistik të rinisë dhe ndërtim të institucioneve të reja kulturore, ka shtuar më tej Luzha.
“Në kuadër të edukimit artistik duhet pasur kujdes, pasi edhe shkollimi artistik si pjesë e kurikulës është i menaxhuar nga Ministria e Arsimit, ndaj duhet bashkërenduar veprimet mes MKRS-së dhe MAShTI-t. Kjo e fundit duhet të përkrahë më fuqishëm shkollimin e kuadrove deficitare, ndërsa pjesën e institucioneve të reja që parashihet të ngriten gjatë këtij mandati, MKRS-ja do duhej paralelisht ta forconte dhe pajiste me hapësira, e të mundësonte njëherit qëndrueshmëri financiare për institucionet ekzistuese. Do të doja të shihja aty ndërtesën e Filarmonisë së Kosovës brenda dy viteve të para të qeverisjes aktuale, pastaj ristrukturimin apo ndërtimin e objektit të ri të Teatrit Kombëtar. Pikat e tjera i shoh shumë pozitive, por, përderisa nuk ka një plan veprimi me afate dhe kosto financiare mbetet të përcjellim punën e qeverisë dhe të vlerësojmë në fund të mandatit.”
Piktori Hajrush Fazliu, për Gazetën “Enigma”, ka thënë se e vlerëson të rëndësisë së veçantë përceptimin e drejtë të nocioneve ‘Popull’, ‘Komb’ e ‘Atdhe’ si inspirime hyjnore që determinojnë domosdoshmërinë e investimeve në art për brezat e ardhshëm, pasi sipas tij, ky investim është i patjetërsueshëm sepse arti është shpirti i një kombi.
“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ketë ndër prioritetet e saj kulturën e artin në përgjithësi. Me theks të veçantë do të sygjeroja ngritjen dhe afirmimin e institucioneve shtetërore, veçmas në kryeqytet, dhe atë: Qendrën Kombëtare me hapësira përcjellëse; Galerinë e Arteve të Bukura; Filarmoninë; Sallën e Operës dhe Baletit; Sallën e Teatrit dhe Ansambleve Kombëtare, si dhe hapësirave përcjellëse të kulturës.”
“Formimi i grupeve profesionale të ekspertëve për grumbullim të vlerave nga trashëgimia jonë kulturore e historike, për UNESKO, do duhej të bëhej domosdoshmëri, sikundër që do duhej pashmangshëm të investohej në galeritë e arteve nëpër qytetet e Kosovës, dhe t’i kushtohej rëndësi e posaçme rihapjes së kolonive artistike. Rol të veçantë do duhej kushtuar bashkëpunimeve konkrete mes instutcioneve e manifestimeve të përbashkëta të gjeografisë mbarëkombëtare”, ka shtuar Fazliu, duke sygjeruar patjetërsueshmërinë e i përfshirjes të gjitha trevave: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e V., Mali i Zi e Luginë të Preshevës.
Objektet e Teatrove dhe stimulimi i ansambleve rezidente kërkesë imanente e artistëve
Padyshim që njëra nga segmenetet kryesore kulturore që kërkon përkushtim dhe mbështetje të mëtejme është skena teatrale përfshirë stimulimin e krijimtarisë artistiko-skenike dhe dramaturgjisë kombëtare.
Ligji për teatrot i draftuar vite më parë dhe i ngelur në sirtar ka qenë shqetësim kryesorë i artistëve të kësaj fushe dhe drejtuesve të institucioneve teatrale nëpër komuna.
Dramaturgu Agron Gërguri, ka potencuar për Gazetën “Enigma”, domosdoshmërinë e vënies së produktit si kriter primarë, e jo procedurave të administrimit.
“Ndoshta diku mes rreshtash ishte fshehur një qëllim i tillë, porse si përcaktim programor decidiv nuk e gjeta”, tha ai.
Inkurajues sipas tij është synimi që të kodifikohet emërtimi i punës së artistit, i cili kohë të gjatë ka qenë shërbyes civil. Sado që ky ndryshim ka gjetur zbatim më heret, siç thotë ai, e mira është që tani do parashihet me ligj.
“Çështjen e dëshiruar të pavarësimit të institucioneve publike të kulturës dhe mbështetjes për artistë të lirë, përkatësisht për skenën e pavarur, gjithashtu e gjeta nē program, edhe pse në formë të përgjithësuar”, shtoi Gërguri.
Më tej ai është shprehur skeptik sa i përket kontinuitetit të skenës teatrale në Kosovë, si pasojë e mungesës së interesimit institucional.
“Përmirësimi i gjendjes së Infrastrukturës fizike dhe ligjore në institucionet e kulturës është orientim i mirë që duhet mbështetur gjithësesi. Por, nuk e gjeta trajtimin programor të teatrove të qyteteve dhe pavarësimin e tyre, përveç nëse nuk nxirren analogji me trajtimin që i bëhet Teatrit Kombëtar. Ndryshimi i ligjit për teatrin dhe harmonizimi i tij me ligjet tjera, veçmas me ligjin për financa publike, është domosdoshmëri urgjente, që është gjë e mirë. Poashtu në program vërejta se librit i ishte kushtuar hapësirë më e madhe, me intencën që të shtohet leximi përmes mbështetjes se krijuesëve letrar, përkthimit të veprave dhe pasurimit të fondit librar nëpër bibliotekat e Kosovës, sikurse edhe trajtimit të planifikuar të trashëgimisë kulturore si çështje esenciale e identitetit kulturor”, ka shtuar ai.
Gërguri në fund është shprehur optimist që ky draft-dokument do të shoqërohet edhe me dokumentin e operacionalizimit të punëve dhe afateve për realizimin e programit në mandatin kohor të planifikuar, ndërsa ka theksuar të rëndësisë veçantë ndërtimin e objektit të Teatrit të Operas dhe Baletit, si dhe Teatrit Kombëtar, brenda afatit qeverisës 4-vjeçare.
E për drejtorin e teatrit “Adriana” në Ferizaj, regjisorin Fatmir Hyseni, Programi i Qeverisë Kurti – II, për sferën e kulturës, e sidomos për teatër, është i përgjithësuar dhe i fokusuar në institucionet kombëtare (TK), të cilat janë nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës, ndërsa risi sipas tij është fondi për skenën e pavarur, për çka thotë se edhe pse përmendet në program, nuk sqarohet se si do të konkretizohet.
“Ka vite që teatrove të qyteteve u nevojiten kodet buxhetore, të cilat i kanë por nuk janë funksionale pasi duhet të gjenden zgjidhje konkrete, si logaria bankare e tyre, apo punësimi i zyrtarëve administrativ financiarë. Në këtë program përmenden vetëm institucionet qëndrore, si Teatri Kombëtar, ai i Baletit, Biblioteka Kombëtare etj.”
Hyseni, në një deklaratë për Gazetën “Enigma”, programi nuk sqaron funksionimin e teatrove të qyteteve, të cilat janë nën ombrellën e komunave përkatëse, e të cilat kanë probleme të mëdha sa i përket funksionalizimit të pavarësisë financiare, si dhe çështje tjera të natyrës së përgjegjësive ligjore, ku ligji për teatro bie ndesh me ligjet tjera.
“Duhet që sa më shpejtë Qeveria e Republikës së Kosovës ta rregulloj çështjen legjislative të teatrove, si dhe ta definoj statusin e artistëve, ngase, edhe pse të punësuar, ata tajtohen si shërbyes civil!”
Ndërsa, sipas tij, problem i madh është mosmbështetja financiare nga Ministria e Kulturës, për teatrot e qyteteve, pasi sipas tij, duhet të gjindet mënyrë për përkrahje të prodhimtarisë teatrale.
“Nuk më ra në sy përkrahja e festivaleve, të cilët kanë një rrugëtim dhe janë mjaft të suksesshëm, bie fjala ai i teatrove në Ferizaj, i cili tani mbushë 51 vjetë, si dhe festivali “Talia e Flakës” në Gjilan, si pjesë e tërësisë së Manifestimit “Flaka e Janarit”. Ndërsa përveç kësaj, shqetësuese është që në programin për miratim të ligjeve për vitin 2021, nuk ishte edhe ligji për teatrot, i cili është punuar paraprakisht si draft”, ka thënë ai.
Një vlerësim analogjik programit të Qeverisë së Kosovës, me atë të Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë pjesës për kulturë, i ka bërë edhe regjisori Ylber Nuredini nga Dibra, i cili njëherit është drejtor i teatrit të këtij qyteti. Ai për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se në shiqim të parë ky program duket i lakmueshëm, ndonëse i kufizuar.
“Programi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është më i përmbledhur, por jo edhe më i mirë, dhe pak a shumë i krahasueshëm me vendet që pretendojnë aderim në BE. Programet e këtilla qeveritare janë diskutabile kur ato vihen në funksionim praktik apo të përditshmërisë së institucioneve kulturore! Unë personalisht do të doja që teatrot, ashtu siç e thonë në program, të drejtohen nga profesionistë të dëshmuar, por pavarësi financiare nuk mund të krijojnë kurrë me këtë kosto jetese që ka spektatori i rajonit. Pra, buxheti duhet të jetë dinjitoz për sa i përket teatrit dhe artistit. Dua të theksoj poashtu se rreth reformave që thuhet se do të bëhen, e të cilat duhet të ndodhin gjithësesi ‘një orë e më parë’ në Qendrat për Kulturë ose shtëpitë e Kulturës duhet të rrënohet koncepti i “relikteve të së shkuarës” dhe të funksionalizohen me profesionistë të fushave të ndryshme për të prodhuar art, e jo për të qenë servis i aktiviteteve të të tjerëve dhe objekt punësimesh partiake!”, ka shtuar ai, duke vlerësuar në përgjithësi se programi i Qeverisë së Kosovës duket solid në letër, porse duhet praktikim për realizim.
E programi i Qeverisë së Kosovës, është diskutuar në qarqe të ndryshme, përfshirë debatin në Kuvend, porse ka kaluar pa u trajtuar sa duhet, ndaj vet ministri Hajrullah Çeku, në mungesë të trajtimit adekuat në seancë ka mbajtur një konferencë prezantuse me media.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit deri tani ka funksionuar si ministri e skemave sociale për artistë, sportistë e të rinjë. Me skema të subvencioneve, të gjithëve ngapak e askujt mjaftueshëm, për dy dekada është mirëmbajtur mjerimi. Vizioni ynë është të zhbllokojmë potencialin zhvillimor të rinisë, kulturës e sportit. Të trajtojmë kulturën si kontribues në mirëqenien shoqërore e ekonomike; trashëgiminë kulturore si promovuese të vlerave, ka thënë ai.
Sipas tij “fokusi i ministrisë do të jetë i koncentruar te Institucionet kombëtare të kulturës dhe skena e pavarur kulturore, reformim të administratës, autonomi financiare dhe qëndrueshmëri institucionale të institucioneve kombëtare të kulturës.”
Ai ka premtuar rishikim të kornizën ligjore dhe akteve të brendshme, të cilat janë ngritur si shqetësim nga ana e artistëve, duke u shprehur i gatishëm për të siguruar logaritë bankare, kodet buxhetore dhe zyrtarët financiarë, ndërsa në krye të institucioneve të kulturës, ka thënë se do të zgjedhen profesionistët, si dhe do të sigurohet mbështetje e qëndrueshme financiare.
“Do të konsolidojmë dhe zhvillojmë infrastrukturën kulturore. Fillimisht do të ngrisim disa ndërtesa të institucioneve kulturore. Pastaj do të bëjmë konceptimin dhe themelimin e institucioneve të reja kombëtare të kulturës: Teatri i Operas dhe Baletit, Teatri i ri Kombëtar, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Rrjeti i kinemave të Kosovës. Ndërsa, institucionet dhe krijuesit e skenës së pavarur kulturore do t’i trajtojmë si partnerë strategjikë. Në bashkëpunim me skenën e pavarur do të themelojmë Fondin Kulturor si instrument më efikas për rritjen e mbështetjes financiare dhe zhvillimin e skenës së pavarur. Do të kujdesemi për njohjen ligjore të skenës së pavarur kulturore dhe definimin e statusit të krijuesit.”
Ministri Çeku ka premtuar edhe përfshirje të nxënësve në programet edukuese artistike si pjesë të programeve shkollore, mbështetje për promovim ndërkombëtar për artin dhe kulturën tonë në tërësi, fuqizim të qendrave kulturore të Kosovës në diasporë, përmirësim të praktikave për mbrojtje të të drejtës së autorit përmes zbatimit të tarifës së ritransmetimit dhe bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale, si dhe një sërë çështjesh tjera, përfshrë Trashëgiminë Kulturore, hartimin e qendrave historike dhe zonave të veçanta të mbrojtura, për të vazhduar me ndërhyrje restauruese dhe revitalizuese në qendrat historike të Kosovës, mbrojtje të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe përfshirjen e tyre në dokumente të planifikimit hapësinor.
Edhe trashëgimia shpirtërore sipas tij do të jetë në fokus të trajtimit adekuat të ministrisë, ku synohet krijimi i inventarit shtetëror të saj, zhvillimi i muzeve ekzistuese dhe lansimi i projekteve të reja muzeale e zhvillimi i kapaciteteve profesionale të shërbyesve civil për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
(Përgatiti gazetari, Xhemail Veseli)