Pse Kosova vazhdon të dështoj në testin e PISA-s?

Pse Kosova vazhdon të dështoj në testin e PISA-s?

Sot janë publikuar rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022 ku Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa për shkencë është renditur në vendin e 77-të nga 80 sa ishin gjithsej shkruan Gazeta “Enigma”.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, i cili tha se kjo është shqetësuese.

Por, sipas tij gishti nuk duhet të drejtohet vetëm kah mësimdhënësit.

“Rezultatet që u publikuan në media sot janë shqetësuese dhe askush nuk mund të ndihet mirë veçmas ne që jemi të ndërlidhur drejtpërdrejtë me sistemin arsimor, por uroj që të mos ndodhë si herëve të kaluara që një javë rresht të drejtohet gishti vetëm në një anë, uroj të mos ketë deklaratë të ashpra ndaj njërës palë, në këtë rast vetëm ndaj mësimdhënësve”, tha Jasharaj për “Enigmën”.

“Uroj që MAShT-i të organizojë konferenca me të gjitha palët, me akademinë e shkencave, me ekspertët e arsimit, me SBASHK-un, me prindërit, pra me të gjithë që të ulemi dhe të shohim ku janë problemet në arsimin tonë që po dalim kaq keq ne testin PISA i cili është vetëm njëri nga instrumentet matëse”, u shpreh tutje ai.

Sipas Jasharaj problem në këto rezultate mund të kenë edhe nxënësit, mbase edhe kurrikula nuk korrespondon me kërkesat e testit të PISA-s.

“Mbase nxënësit nuk po gjinden si duhet në këtë test, mbase kurrikula nuk korrespondon me kërkesat e testit PISA. Pra, duhet të ulemi e jo një javë të fyhemi e të shahemi e të bëjmë me gisht vetëm nga mësuesi e nga shkolla por të ulemi bashkë dhe të shohim cilat janë defektet”, ka deklaruar tutje ai.

Jasharaj: Me shkumës e shpuza, pa laptop e projektor në shkolla vështirë se mund të ketë rezultate

“Me shkumës dhe shpuza dhe me rastin siç ndodhi sivjet me shpërndarjen e librave, pa llaptop e projektor vështirë se mund të arrijmë rezultate që do të dëshironim ti kemi ngase nxënësit e Kosovës jashtë po dëshmohen tepër inteligjent, por këtu mund të jetë fajtor, kurrikula, tekstet shkollore, mund të jenë kushtet që i kanë. Nuk po dua t’i mbroj mësimdhënësit, pro duke u ulur bashkë me ta, duke u ulur me të gjitha palët besoj se mund të arrijmë një gjendje krejt tjetër edhe në testin Pisa por edhe në përpjekje tjera të vazhdueshme për rritje të cilësisë”, ka përfunduar ai.

Këto rezultate ishin të pritshme sipas ministres Nagavci, e cila tutje ka theksuar se e gjithë kjo ndodhur duke pasur parasysh problemet që janë shfaqur me mësimin gjatë pandemisë .

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se ka rënie të pikëve në fusha të ndryshme nga 12 deri në 6 pikë në krahasim me testin e vitit 2018, kur PISA u mbajt për herë të fundit.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.

Rron Gjinovci nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), i ka reaguar ministres Nagavci pasi e kjo e fundit ka thënë se e gjithë kjo rënie ka ndodhur si pasoj e probleme që janë shfaqur me mësimin gjatë pandemisë.

“E nderuar, duhesh me pasë parasysh që s’jena 100% analfabeta, por veç 83.1% (veç qaq). Do me thanë jena nja 16.9% që dijmë diçka. Ky arsyetim nuk vlen sepse pandemia ka qenë në krejt botën. Krahasimi është me vende ku ka pasë pandemi po ashtu, pra të gjithë e kanë pasë këtë pengesë. Nëse ju si ministri pritni rezultate ma të dobëta nga viti në vit atëherë diçka s’është në rregull. Detyrë e juja është me e përmirësu situatën e jo me pasë pritje negative”, tha Gjinovci.

Tutje ai ka drejtuar një pyetje drejt ministres duke i thënë se “si shpjegohet që, po ashtu në pandemi, ka vende që e kanë përmirësua performancën e Kosova jo?”.

Mbetet për tu parë nëse ky i fundit do të marr ndonjë përgjigje nga ministrja e arsimit.

Tutje në reagimin e ORCA-s thuhet se analfabetizimi është rritur.

“Analfabetizmi funksional është rritur fatkeqësisht, numri i nxënësve që nuk kuptojnë të lexuarit, nga 78% sa ka qenë në vitin 2018 është rritur në 83% në vitin 2022. Në matematikë kriza është thelluar, nxënësit kosovarë që kanë performuar nën nivel janë rritur nga 76% sa ishin në vitin 2018, në 85% në vitin 2022. Ndërsa në shkencë nga 76% në vitin 2018, numri i performuesve të dobët është rritur në 79% në vitin 2022”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i frustruar me rezultatet e Kosovës në testin PISA.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se vendi ynë është radhitur më keq se në vitin 2014 e 2018.

“Sot u konfirmua rënia e thellë e rezultateve të nxënësve të Kosovës në testin e PISA-s në lexim, matematikë dhe shkencë. Kosova renditet, praktikisht, në fund të tabelës së 80 shteteve pjesëmarrëse. E dhembshme! E tmerrshme”, shkroi ai.

Sipas tij, krejt kjo është si rrjedhojë e qeverisjes aktuale.

PISA është studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson kompetencat e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.

Studentët iu nënshtruan testeve prej dy orësh, secili kushtuar një lënde. Nxënësve të ndryshëm iu dhanë pyetje të ndryshme testimi dhe kombinime të ndryshme lëndësh (p.sh. matematika e ndjekur nga lexim, ose shkenca e ndjekur nga matematika, etj). Artikujt e testit ishin një përzierje pyetjesh me zgjedhje të shumëfishta të cilat kërkonin që studentët të formulonin përgjigjet e tyre.

Kosova mori pjesë për herë të parë në PISA në vitin 2015. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles