Raportuesi për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Jashtëm të Bundestagut, Boris Mijatovic, ka deklaruar se Kurti dhe Vuçiç duhet të ulen në tryezën e bisedimeve për shtensionimin e situatës.
Ai në një intervistë për DW shton se nuk ka zgjidhje të lehtë, por duhet shumë punë.
“Kryeministri Albin Kurti është zgjedhur me shumicë absolute mbi 50% të votave. Ai sigurisht është në gjendje të zbatojë atë që ka premtuar tani dhe nuk mund të tregojë kompromise në një koalicion. Kurti është i përkushtuar për punë dhe drejtësi dhe vepron në këtë drejtim. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka fituar gjithashtu zgjedhjet, por duhet të përballet me forcat e tij revanshiste dhe nacionaliste në vend dhe të fillojë të përmbushë atë për çka është rënë dakord”, u shpreh Mijatovic.
Mijatovic tutje ka theksuar se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet realizuar dhe ai është një sfidë për të dyja palët.
“Ka një sugjerim shumë të mirë nga Fondacioni Friedrich Ebert. Ka shumë modele të tjera se si të zbatohet një shoqatë komunash. Vuçiq tani po flet sërish për autonomi. Nuk mendoj se është toni i duhur. Ne si bashkësi ndërkombëtare duhet të jemi të kujdesshëm që të dyja palët të qëndrojnë në tavolinë dhe të mos gjuajnë njeri-tjetrin me këmbë nën tryezë”, tha ai.
I pyetur rreth “kërcënimeve” nga ana e BE-së dhe SHBA-së për vendosjen e sanksioneve për Kosovën, raportuesi për Ballkanin Perëndimor, tha se duhet të jemi të kujdesshëm që të mos veprojmë shumë si lojtar në këtë situatë.
“Ne nuk jemi aktor politik në parlamente apo në qeveri. Ne kemi një rol të politikës së jashtme. Ne mund ta mbështesim situatën me shkëmbime diplomatike. Por gabojmë kur ndërhyjmë në politikë dhe bëhemi aktorë politikë në terren. Ky është një problem që haset edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, siç mund ta shohim nga Schmidt. Është më mirë t’i qasemi situatës dhe detyrës me përulësi dhe të përqendrohemi në atë që duam: që Vuçiq dhe Kurti të ulen në një tryezë dhe të mendojnë se si duhet ta trajtojnë situatën në kufi, në mënyrë që të sigurojnë një të ardhme paqësore të dy vendeve fqinje në Evropë”, tha Mijatovic.
Pa SHBA-në dhe BE si fuqi mbrojtëse, Kosova mund të humbasë shumë si: mbështetjen në organizmat ndërkombëtarë, anëtarësimin në Këshillin e Evropës apo liberalizimin e vizave. Për këto skenare të mundshme, Mijatovic u shpreh se janë sigurisht modele apo perspektiva që nuk janë të favorshme, por është më mirë të përqendrohemi te gjërat pozitive, dhe jo te frika.
“Kemi një marrëveshje, Marrëveshjen e Ohrit, në pranverë, ajo ka katër ose pesë anekse, që kanë mbetur për t’u negociuar. Ka punë për të bërë. Vuçiq dhe Kurti duhet të ulen në një tavolinë dhe të mendojnë së bashku se si e shohin situatën. Pak ditë më parë gjatë prezantimit të kryetarëve të komunave u plagosën njerëz. Jo vetëm 41 ushtarë të KFOR-it nga Hungaria dhe Italia, por edhe mbi 50 demonstrues. I uroj të gjithëve një shërim të shpejtë. Por do të doja të dija pse kishte plagë me armë zjarri. Do të doja të dija se nga vijnë bombat ndezëse. Unë do të doja të di se kush i dërgoi këta njerëz atje ose pse këta njerëz në mënyrë të pavarur sjellin armë në një demonstratë që lëndojnë njerëzit? Sulmet ndaj forcave të sigurisë janë të papranueshme dhe të patolerueshme. Pres që të gjithë, nga Vuçiq dhe Kurti si dhe nga aktorët ndërkombëtarë, t’i përgjigjen pyetjes se kush i ka kryer këto krime. Kjo është kërkesa ime për momentin. Ne jemi prezent aty me forcat e sigurisë. Nëse i kemi këta njerëz në terren, gjë që duan të dyja qeveritë, do të dëshiroja që qeveritë të punojnë për të garantuar sigurinë e tyre”, tha Mijatovic.