Reagon FBK-ja pas sulmit të autobusit të KB Prishtinës

Reagon FBK-ja pas sulmit të autobusit të KB Prishtinës

Federata e Basketbollit të Kosovës ka dënuar ashpër incidentin që ka ndodhur mbrëmjes e së mërkurës para ndeshjes së dytë çerekfinale të Final 8 Kupës së Kosovës, kur është sulmuar nga persona të panjohur deri më tani, autobusi i skuadrës së KB Prishtinës para palestrës “Karagaçi” në Pejë.

“Imazhe të tilla si ajo që ka ndodhur mbrëmë janë të papranueshme për komunitetin e basketbollit, por edhe për sportin në përgjithësi. Federata e Basketbollit e Kosovës kërkon nga organet e rendit që të bëjnë përpjekje maksimale për të identifikuar këta persona në mënyrë që të tillët të mos kenë më vend në palestrat e sportit në vendin tonë”, thuhet në reagimin e FBK-së.

FBK-ja thotë se bashkë me organizatorin e Final 8 Kupës së Kosovës, KB Pejën, janë zotuar se organizimi i këtij eventi prestigjioz do ta ketë sigurinë më të lartë të mundshme, duke filluar nga ekipet, tifozët e të gjithë akterët e tjerë që janë të përfshirë në të.

“Federata e Basketbollit e Kosovës, KB Peja dhe organet e rendit në Pejë do të vazhdojnë të garantojnë siguri për të gjithë akterët deri në përmbyllje të këtij eventi. Federata e Basketbollit e Kosovës dëshiron ta bëjë të qartë se ne do t’i marrim të gjitha masat e nevojshme dhe do të shqiptojmë dënimet për akterët që bëjnë veprime të tilla, që nuk i kanë hije sportit, dhe që nuk përfaqësojnë asnjë vlerë sportive, por as edhe njerëzore”, shkruhet më tej në reagimin e tyre.

Theksojmë se autobusi i KB Prishtinës u sulmua nga disa persona me të mbërritur në Pejë, në prag të ndeshje kundër KB Pejës në kuadër të Kupës së Kosovës, të cilën e fituan “verdhezinjtë”.

Në rrjetet sociale ishin akuzuar tifozët e KB Trepçës, Torcidat, për sulmin ndaj autobusit. Por një gjë të tillë ata e kanë mohuar përmes një reagimin në Facebook.

Related Articles