Gjykata Speciale e Kosovës ka reaguar ndaj një letre të dërguar nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) drejtuar gjyqtarëve të këtij institucioni, ku kërkohet që të mos gjykohen për një proces të padrejtë.
Sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e Presidentes së KSC-së, nuk mund të bëhen komente lidhur me çështjet që janë ende në shqyrtim nga gjyqtarët.
Në një përgjigje për Gazetën Enigma nga Gjykata Speciale theksuan se, “Siç parashikohet në rregulloren e Gjykatës, gjyqtarët kanë mundësinë dhe përgjegjësinë të bëjnë pyetje për të sqaruar çështje gjatë procesit të gjykimit, për të siguruar përcaktimin e të vërtetës. Sipas Rregullit 127(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave të KSC-së, çdo gjyqtar ka të drejtën të bëjë pyetje në çdo fazë të procedurës ndaj dëshmitarëve. Ky parim është në përputhje me praktikat e gjykatave ndërkombëtare si ICTY dhe ICC”.
Një vendim i fundit nga Paneli i Apelit në rastin “Thaçi dhe të tjerët” theksoi se, edhe pse një Panel gjykatësish nuk ka detyrimin të kërkojë prova të reja ose të bëjë pyetje për çështje që nuk janë shqyrtuar nga palët, ata kanë autoritetin dhe mundësinë për ta bërë këtë në përpjekje për të kontribuar në përcaktimin e të vërtetës.
“Ky është një praktikë e njohur dhe e aplikuar nga tribunale ndërkombëtare të ngjashme”, thuhej tutje në përgjigje.
Gjykata ka bërë të qartë gjithashtu se është vendosur një sistem mbrojtës për të siguruar që asnjë palë të mos dëmtohet dhe për të respektuar të drejtat e të akuzuarve, në përputhje me ligjin për të drejtat e njeriut.
Ata theksuan se mbrojtja ka të drejtën të rivendosë pyetje gjatë seancave, bazuar në pyetjet që mund të bëhen nga gjyqtarët.
Pavarësisht pyetjeve që mund të bëhen gjatë procesit, Gjykata ka paralajmëruar palët të mos supozojnë se pyetjet e gjyqtarëve sugjerojnë një paragjykim ose vendim të mëhershëm për çështjet e ndjeshme që shqyrtohen.
Ky reagim vjen pas shqetësimeve të ngritura nga disa ish-krerë të UÇK-së, të cilët kërkojnë të garantohet një gjykim i drejtë dhe pa paragjykime nga ana e trupës gjykuese.
Kujtojmë se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, kanë dërguar një letër në drejtim të gjyqtarëve të Gjykatës Speciale, ku janë ankuar për mos gjykim të drejtë.
Në letrën e tyre ata kanë thënë se gjyqtarët po mbajnë anën e prokurorisë./GAZETAENIGMA/