Pas njohjes së Kosovës nga Kenia, shteti i Serbisë ka paralajmëruar se do të marrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike” ndaj këtij vendimi.
E për këtë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar duke e quajtur “një shkelje të rëndë të nenit të katërt të marrëveshjeve të Brukselit”, i cili ndalon bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Rohde ka shprehur mbështetje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Kenias dhe ka shprehur shpresën se shumë shtete të tjera do të ndjekin shembullin e saj, ashtu siç Gjermania e bëri 16 vjet më parë.
“Së pari, jam plotësisht dakord me ju. Është vërtet e mirëseardhur që Kenia e njeh Kosovën. Shpresoj që shumë vende të tjera të ndjekin këtë shembull, si Gjermania para gjashtëmbëdhjetë vitesh. Janë më shumë se njëqind shtete që e kanë njohur Kosovën. Reagimi i Serbisë, siç e përmendët, është shkelje e rëndë e nenit të katërt të marrëveshjeve të Brukselit për të mos e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ky është një veprim i pavend, që ruan status quo-në e kaluar, por në të njëjtën kohë, Kosova duhet t’i përmbushë detyrat e saj për Asociacionin,” tha ai në një intervistë për KTV.