Rrëfimi rrëqethës i gruas që thotë se burri e rrahu për 14 vjet: “Gruaja nuk bënë me fol, nuk bënë me lypë”

Rrëfimi rrëqethës i gruas që thotë se burri e rrahu për 14 vjet: “Gruaja nuk bënë me fol, nuk bënë me lypë”

Jeta nuk u tregua shumë “fer” me të. Për 14 vite me radhë ajo përjetoi dhunë fizike dhe psiqike nga ish-bashkëshorti i saj. Në një rrëfim rrëqethës për Gazetën Enigma E.H (emër i njohur për redaksinë), flet me dhimbje për një nga ngjarjet më të trishtuara të jetës së saj.

Fëmijëria e saj ishte krejt e zakonshme, e qetë, madje ajo po bënte jetë mes Kosovës dhe Spanjës, deri sa një ditë kur ishte rreth të 16-tave, takoi njeriun që ia ndryshoi jetën përgjithmonë. Por jo për të mirë.

Bëhet fjalë për ish-bashkëshortin i cili vinte nga fshati Fushticë në Drenas.

E.H duke menduar se kishte gjetur dashurinë e jetës së saj mirëpo në fakt realiteti ishte krejt ndryshe.

“Me bashkëshortin jam martuar krye një muaji pasi e njoha, nuk jam martuar në mënyrë tradicionale si të tjerët që martohen e fejohen, po thjesht më ka ikë”, tregoi ajo.

Ndonëse prindërit nuk ishin të pajtimit në fillim që ajo të vazhdonte jetën me ish-bashkëshortin, E.H tregon se ajo kishte vendosur ta dëgjonte zemrën e saj, gjë për të cilën thotë se tash është penduar.

“Babi ka dashtë që unë me u nda sepse kur kam ikë e kam pasë biletën kthyese për në Spanjë, por mami insistoi që unë të mos ndahesha se i mendonte fjalët e hallkut, babi deshti që unë të bëhesha e pavarur”, shtoi ajo.

Historia e E.H është shumë e ndërlikuar, ishte ndarë e ribashkuar me ish-burrin disa herë për ‘hatër’ të fëmijëve si dhe nga frika e kërcënimet se familjarët e saj do t’i gjente diçka, nga familja e ish-bashkëshortit.

“Prej fillimit ai kishte pas synim tjetër çka, ka mendu se jetoj jashtë vendit dhe e marrë ia bëj letrat, shkuan katër-pesë muaj i vërejta ndryshimet e tij dhe e pash se nuk është ashtu siç kam mendu, më bën si shërbëtore, e prej momentit që mbeta shtatzënë dhe e linda vajzën, nuk më është ndalë asnjëherë dhuna as fizike as psiqike”

“Gruaja nuk bën me fol, nuk bën me lyp, gruaja veç me pastru, kishin menduar familjarët dhe ai”, tregon E.H, për Gazeta Enigma.

E.H thotë se e duroi dhunën për vite me radhë e nuk morri guximin t’ia thoshte familjes pasi nuk dëshironte t’i fuste në probleme ndonëse e dinte se babai i saj do ta përkrahte ndërsa për të tjerët dyshon.

Ky mos guxim i kushtoi asaj me 10-vite dhunë fizike e psiqike, derisa pikërisht pas një dekade, raportoi për herë të parë ish-burrin në polici.

“Tu e ngu mamin mos mu nda, tu e shty, e tu e shty, hajt një fëmijë, hajt edhe një tjetër derisa u bën 10 vite martesë dhe i thash vetës stop, u kaluan krejt limitet, në vitin 2017-të e denoncova në polici, edhe me thanë të drejtën asgjë nuk i bën policia”, tregon ajo.

“Kur e mori vesh se e lajmërova në polici, me babanë e tij morën pushkën dhe u nisën drejt familjes temë, po në atë moment i tregova policisë se u nis tek familja jem, pasi e lajmëruan familjarët e ish-bashkëshortit, e ka ndërru rrugën”, rrëfen mes emocioneve viktima e dhunës.

E.H shkoi me fëmijët tek prindërit e saj për t’i dhënë fund lidhjes, mirëpo një ditë më pas si rrjedhojë e kërcënimeve ajo i ktheu ata tek babai i tyre.

Nuk vonoi shumë edhe E.H u kthye sërish, për t’ia dhënë një shancë të dytë, për fëmijët, bashkëshortit të saj. E kjo i kushtoi edhe me 4-vite të tjera dhunë.

Madje siç tregon ajo në këtë periudhë ngeli shtatzënë pa dëshirën e saj, me fëmijën e katërt që më pas erdhi në jetë.

“Policia më dha urdhër mbrojtës, kur u kry urdhëri mbrojtës, gjykata e kishe dënuar me një shumë të madhe, sa kisha urdhër mbrojtës ishte i qetë, por kur përfundoi dhe mori dënimin nga gjykata, u bë më agresiv dhe filloi njëjtë, me të vjetrën”, shton më tej.

Aspak e kënaqur nuk ishte me institucionet E.H, thotë se nuk e ndihmuan dhe sipas saj ata “ia lanë dhunuesin në shtëpi”.
Pas katër vitesh, viktima lajmëroi sërish policinë për situatën në të cilën gjendej, dhe kjo shënon deri diku fundin e vuajtjeve fizike për të. Por, vuajtjet psiqike të saj vazhduan ende.

Ndonëse e ndarë përfundimisht, ajo thotë se me urdhër të gjykatës u rikthye në shtëpinë e ish-bashkëshortit për t’i rritur fëmijët, vetëm se tash pa praninë e atij që ushtroi dhunë në të.

“Momentin që u ktheva në shtëpi, vazhdoi dhuna psiqike nga familjarët e tij por edhe veti ai. Me ushqimet e vajzës së vogël, pampersat dhe gjithçka hyshin dhe i merrnin”, thotë ajo derisa shton se kjo situatë zgjati edhe dy vite të tjera.

Por në këtë rrugëtim ndonëse pa përkrahjen e mjaftueshme të familjes, jo të gjitha dyert ishin të mbyllura për E.H.

Arjeta Gashi nga Shoqata e Prindërve Vetëushqyes dhe organizata “Rrjeti Grave”, i qëndruan pas kësaj nëne e cila 16 vite të jetës së saj i kaloi siç thotë ajo si më së keqi.

“Ka qenë Arjeta Gashi, e cila më tha eja në Prishtinë, komuna e ka bërë të mundshme që viktimat e dhunës t’i marrin nga 500 euro, ta paguajnë banesën dhe të ndihmojnë me disa gjëra ushqimore, dhe në bazë të Arjetës, u ktheva në Prishtinë. Gjatë kësaj kohe u lodha shumë rashë në 40 kilogram”.

Jeta e kësaj viktime e cila i mbijetoi dhunës në familje, ndryshoi kur erdhi në kryeqytet.

Ndonëse me shumë vështirësi ajo thekson se filloi të punonte nga pak kudo që kishte nevojë për të pastruar, në shtëpi private. Derisa i duhej që me vete ta merrte edhe vajzën e vogël, se nuk kishte ku ta linte.

Tash E.H, rrëfen se jeton e vetme me vajzën, kurse tre fëmijët e tjerë jetojnë me babain e tyre por që kjo ruan kontaktet dhe takohet me ta shpeshherë. Ajo madje thotë gëzohet shumë kur ata i bëjnë dhurata.

Ndonëse E.H, pati përkrahjen e familjarëve, ajo thotë se nëna e saj asnjëherë se përkrahu vendimin e saj për tu ndarë nga bashkëshorti dhunues.

Ajo tash ka disa kohë që nuk flet me të ëmën, pasi kjo e fundit ishte kundër ndarjes. E.H tregon se e ka të vështirë e gati e sheh si të pamundshme t’i përmirësoj raportet me gruan që e lindi.

Por, tani për tani për të mjafton që më nuk është nën një streh me burrin i cili për 14 vite ushtroi dhunë fizike e psiqike ndaj saj. /Gazeta Enigma

Ky rrëfim i E.H vjen si sensibilizim gjatë ditëve të fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”.

Related Articles