Rreth 200 persona me aftësi të kufizuara mbeten pa ‘strehë’ në Gjilan

Rreth 200 persona me aftësi të kufizuara mbeten pa ‘strehë’ në Gjilan


Arlinda Kqiku


“Përpara Andi nuk ka mundur hiç me lëviz, po prej se e kemi qu në ‘Handikos’ me ja bo terapitë, ka fillu nga pak”, kështu shprehet nëna e 8 vjeçarit, Andi Beqiri, nga Gjilani i cili përpos ngecjeve në zhvillimin e trurit, nuk mund të ecë e as të flas.

Andi bashkë me 40 fëmijë të tjerë me aftësi të kufizuara, që nga qershori i këtij viti nuk po i merr më terapitë në “Handikos”.  Në mungesë të subvencioneve nga Komuna e Gjilanit, udhëheqësit e kësaj shoqate janë detyruar që t’i pezullojnë shërbimet, deri kur të ndodhë përkrahja financiare ndaj tyre.

E nëna e Andit, Afërdita Beqiri, e dëshpëruar nga situata e krijuar thotë se shpreson që kjo qendër të hapet sërish, që djali i saj t’i rikthehet terapive.

“Shumë më mirë u kon djali, më i qet rrike kur i merrke terapiat. Nëse hapet prapë aty e qoj se nuk mundemi me dërgu diku tjetër jemi me social”, tha ajo për Kosovo 2.0.

Shërbimet e Handikos janë pa pagesë dhe rastet që trajtohen janë kryesisht fëmijë që vijnë nga familjet në nevojë. Por organizata e ka të pamundur funksionimin pa stafin e vet i cili paguhet në baza mujore. 

Fatmir Shurdhani menaxher i “Handikos”, thotë se përkundër nevojës së madhe të fëmijëve për shërbimet që ofron organizata, Komuna ende s’i ka ndarë fondet e nevojshme për ta.

Ai thotë se në takimet e zhvilluara me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni ka marrë zotimin e tij se ndarja e fondeve për Handikos do të ndodhë, porse një gjë e tillë nuk është bërë.

“Janë bërë dy vendime të ndryshme prej kuvendit komunal, por kanë një qëllim, mbështetjen e Handikos, por konkretisht diçka nuk ka. Nuk mund t’i lë pa faj asnjërën. Ata e kanë kuptuar që gjendja është kaotike për fëmijët por vazhdojnë përsëri të bëjnë politik, dhe të shtyhen mes vete mirëpo fajin kryesor e ka pozita ngase ajo nuk ka planifikuar buxhet sado simbolik që ka qenë me vite, por për vitin 2024 nuk ka paraparë subvencione për organizatat që ofrojnë shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe unë po konsideroj që ky është defekti kryesor”, ka thënë Shurdhani për Kosovo 2.0.

Edhe Shoqata e të Verbërve pa fonde

Në mesin e organizatave që nuk janë subvencionuar nga Qeveria është edhe Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve në Komunën e Gjilanit.

Bajram Spahiu, kryetar i shoqatës Ndërkomunale të të Verbërve, thotë se rreth 100 persona janë duke e pësuar, për shkak të mosmiratimit të vendimit të kuvendit nga komuna.

“Shërbime në vit marrin diku rreth 70 diku 100 persona, këtë vit shërbimet trajnuese që në ofrojmë në orientim dhe mobilitet në teknologjinë informative për grupmoshat e rriturat që humbasin shikimin me vonesë nuk kanë marr asnjë shërbim që nga janari kemi qenë në bllokim total. Deri në muajin maj jemi munduar të përthekojmë ndonjë shërbim, por fatkeqësisht këshilli i shoqatës ka marr vendim që zyra të mbyllet dhe nuk ofrohet më  asnjë shërbim”, ka thënë ai.

Por të heshtur karshi kësaj problematike po qëndrojnë ekzekutivi i Gjilanit. Kosovo 2.0 ka adresuar pyetje në këtë institucion porse të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndërkohë asamblisti nga partia udhëheqëse në Gjilan, Ismajl Kurteshi fajëson ekzekutivin por edhe opozitën, të cilët siç thotë ai “nuk po ulen që ta gjejnë një zgjidhje kompromisi”.

“Faji nuk është i panjohur, fajtor është Kuvendi në përgjithësi e sidomos opozita dhe ekzekutivi. Ata duhet me u ul dhe me e gjetë një zgjidhje kompromisi, e ato mjete që janë rreth 2.5 milion mjete që kanë tepru nga viti i kalum me ju shku organizatave të cilat kanë shumë nevojë për to, e në mesin e tyre është edhe HANDIKOS edhe shoqata e të verbërve dhe Pema, e shumë organizata të tjera”, thotë Kurteshi nga LVV-ja.

Krejt kjo situatë sipas tij “është papërgjegjësi e strukturave udhëheqëse të Gjilanit, edhe ekzekutiv edhe legjislativ”.

“Duhet patjetër me u ul me kry këtë punë përndryshe ju hyjmë në hak krejt atyre njerëzve të cilët po vuajnë për shkak të kësaj. Fondet ekzistojnë, po të mos egzistonin ajo do ishte çështje tjetër, por s’ka vullnet për një marrëveshje që është në interes të gjithë qytetarëve të Gjilanit”, shton tutje ai.

“Komuna po shkel të drejtat e fëmijëve me aftësi të veçanta”

E Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, thotë për Kosovo 2.0 se me mos mbështetjen financiare të organizatave, Komuna e Gjilanit po shkel të drejtat e gjithë personave me aftësi të kufizuar.

“Komuna e Gjilanit ka përgjegjësi të sigurojë kushte për të gjithë qytetarët , në përgjithësi e në veçanti për grupet e cenueshme ose me angazhim të drejtorisë përkatëse të komunës, ose duke përkrahur organizata që kanë kapacitet profesional për  të ofruar shërbime e që HANDIKOS i plotëson të gjitha kushtet e domosdoshme. Nëse kjo nuk ndodhë nënkuptohet se po pamundësohet ofrimi i shërbimeve për këtë kategori dhe në këtë mënyrë ua shkelë të drejtat e njeriut”, theksoi ai.

“Të drejtat e njeriut nënkuptojnë shërbime cilësore shëndetësore , arsim në të gjitha nivelet, qasje të lirë në institucione , liri të lëvizjes , siguri dhe , për më keq ndonëse kjo kategori ka nevojë për ndihmë nga personi shoqërues, kjo e drejtë po u mohohet”, theksoi Shala duke i bërë thirrje institucioneve komunale të Gjilanit t’i lirojnë mjetet për shoqatat në fjalë.   

Ndërkohë në një përgjigje të mëhershme Komuna e Gjilanit, fajin për gjithë situatën e krijuar e kishin hedhur tek partitë opozitare.

“Pikërisht për shkak se opozita, e cila përbën shumicën në Kuvend Komunal, ka marrë vendime që ngarkojnë buxhetin e drejtorisë sonë në kategorinë e subvencioneve për pagesa të paplanifikuara – na ka sjellë në një situatë në të cilën e kemi pasur të pamundur, për shkak të mungesës së buxhetit, të hapim thirrje publike për mbështetje të OJQ-ve.”, thuhej në përgjigjen e Komunës.

Nga kjo komunë ishte potencuar se “Ne si institucione, nuk mund te favorizojmë dhe as diskriminojmë asnjë organizatë. Organizatat e tilla funksionojnë në bazë të projekteve që kanë dhe fondeve që realizojnë përmes tyre”.


Pse s’ka fonde për organizatat?

Organizata e HANDIKOS është mbështetur nga Komuna që nga viti 2005, sikurse edhe organizatat e tjera që operojnë në Gjilan. Por ekzekutivi i kësaj komune nuk ka planifikuar buxhet për vitin 2024 për këto organizata.

“Nuk ka parashikim të buxhetit për këtë vit për subvencione për organizatat që ofrojnë shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuara. Unë nuk e di qëllimin pse, pse nuk janë paraparë. Për këto shërbime Komuna na ka mbështetur që nga viti 2005”, ka thënë menaxheri i Handikos, Fatmir Shurdhani.

Në ndërkohë në mars të këtij viti, Kuvendi Komunal i Gjilani ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për shoqatën Handikos prej afër 29 mijë eurosh dhe 19 mijë euro për  Shoqatën Ndërkomunale të të Verbërve.

Një vendim i dytë i dalur nga Zyra e Kryetarit Alban Hyseni, parasheh rritje të buxhetit për disa organizata përfshirë “Handikos”, por as ky vendim ende nuk ka kaluar në Kuvendin Komunal.

Ndonëse në seancën e fundit të Kuvendit, të mbajtur me 26 shtator, kishte vullnet nga subjektet politike që të votohej për ndarjen e mjeteve financiare për këto kategori, ishte partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës ajo që e bllokoi procesin.

Kjo e fundit ka lëshuar sallën e Kuvendin për shkak të siç thanë ata “mos ofrimit të transparencës minimale” gjatë mbajtes së seancës.

Kosovo 2.0 ka provuar të kontaktoj me përfaqësues të këtij subjekti, por të njëjtin nuk janë përgjigjur.

Qendrat e “Hendikosit” nëpër komuna ofrojnë shërbime të rehabilitimit, fizioterapisë, psikologjisë, ergorterapisë, logopedisë dhe edukimit joformal.

Ky artikull financohet nga Bashkimi Evropian dhe projekti rajonal “SMART Balkans – Shoqëria civile për shoqërinë e përbashkët në Ballkanin Perëndimor” që zbatohet nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë (NMFA).

Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e zbatuesve të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA), Qendrës për Promovimin e Shoqërisë Civile (CPCD), Qendrës për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) apo Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).




Related Articles