“Serbia duhet ta njohë Kosovën, mund ta ndërtojmë një rrugë të përbashkët”, thotë Edi Rama

“Serbia duhet ta njohë Kosovën, mund ta ndërtojmë një rrugë të përbashkët”, thotë Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, me rastin e vizitës së tij në Romë, ka folur, mes tjerash, për çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë dhe të ardhmen e rajonit.

I pyetur se çfarë marrëdhënie ka shqipëria me vendet përreth saj, kryeministri shqiptar u përgjigj duke theksuar nevojën për njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Marrëdhëniet tona nuk kanë qenë kurrë më të mira, sigurisht që mbeten probleme siç është njohja e Kosovës nga Serbia, por mendoj se ekziston mundësia e ndërtimit të një rruge të përbashkët. Atëherë varet nga ne nëse ia dalim apo duam të biem në grackat e së shkuarës”, tha Rama.

Në pyetjen se a do të mund të realizohet “Ballkani i Hapur” me përfshirjen e Kosovës dhe vendeve tjera në të, Rama tha se po punojnë për ta arritur këtë.

“Ne jemi duke punuar për këtë, por, siç thashë, kjo varet vetëm nga ne”, u shpreh Rama.

Rama ka shkuar në Itali, së bashku me gjysmën e qeverisë shqiptare. Ai e nisi ditën në Palazzo Chigi ku tha se ka “privilegjin” ta takonte homologun e tij Mario Draghi, “një personazh – siç tha ai – që ka dalë nga faqet më të mira të historisë politike të Evropës”, ​​për të përfunduar më pas me takimin e Komitetit të Përbashkët të Bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio.

/Gazeta Enigma/

Related Articles