Serbia vazhdon persekutimin e kosovarëve në kufi – BE-ja hesht, e Kosova pa institucione të plotfuqishme

Serbia vazhdon persekutimin e kosovarëve në kufi – BE-ja hesht, e Kosova pa institucione të plotfuqishme

Javëve të fundit, shteti i Serbisë ka bërë një valë ndalimesh të qytetarëve nga Kosova, të cilët i ka marrë në pyetje me orë të tëra, shkruan Gazeta Enigma.

Një rast më i veçantë është ndalimi i ish-deputetit Gramos Agusholli, i cili pas lirimit tregoi se u pyet me orë të tëra në lidhje me përfshirjen e tij në luftë, si dhe në lidhje me partinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverinë “Kurti”.

Megjithatë, rast edhe më tronditës ishte arrestimi i ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiut, të cilit të hënën iu caktua masa e ndalimit prej 30 ditësh, nga një gjykatë në Serbi.

Kjo shkaktoi reagime të shumta në opinionin kosovar.

Avokati Arianti Koci u angazhua për ta mbrojtur Spahiut, duke thënë se i njëjti ka tre vjet që nuk është pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani.

Ish-polici u morr në pyetje për rastin “Banjska”, sipas Kocit.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tha se Spahiu po udhëtonte me autobus së bashku me familjen, gjatë kthimit të tij nga Austria drejt Kosovës.

Ministrja në detyrë, Donika Gërvalla, tha se institucionet e Kosovës kanë njoftuar misionet ndërkombëtare, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, duke kërkuar mbështetjen e tyre për këtë rast.

Bashkimi Evropian, në ndërkohë, nuk ka reaguar ende.

Gazeta Enigma ka dërguar pyetje drejt Bashkimi Evropian në lidhje me këto arrestime, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Gërvalla: Kujdes i veçantë kur kaloni nëpër Serbi

Ministrja Gërvalla ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për të gjithë qytetarët e Kosovës, që planifikojnë të kalojnë përmes Serbisë, veçanërisht gjatë muajve të verës kur fluksi i udhëtimeve rritet.

“Më lejoni të bëj edhe një herë thirrje për një kujdes të veçantë për të gjithë ata që, tani që po afrohet vera, kalojnë nga Serbia, për shkak se rastet e ndalesave arbitrare dhe të paarsyeshme janë shtuar gjatë muajve dhe viteve të fundit”, deklaroi Gërvalla.

Haradinaj: Pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre nuk duhet të udhëtojnë nëpër Serbi

Thirrje që ish-ushtarët e UÇK-së të mos udhëtojnë nëpër Serbi, ka bërë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre nuk duhet të udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithë pjesëtarët e institucioneve të rendit dhe të sigurisë, qoftë të liruar nga detyrat dhe përgjegjësitë, si dhe familjarët e tyre të ngushtë, s’duhet të udhëtojnë nëpër Serbi. Mos e bëni këtë!”, tha Haradinaj nëpërmjet një postimi.

“Veprime shoveniste të Serbisë – shkelje e marrëveshjes së Brukselit”

Deputetit nga radhë e PDK-së, Rashit Qalaj, thotë se këto arrestime janë veprime shoveniste të shtetit të Serbisë, ku qytetarët që nuk kanë ndonjë funksion publik, të cilët lëvizin drejt shteteve Perëndimore, arrestohen pa ndonjë kuptim.

“Përveç që ndalohen, ata maltretohen psiqikisht, dërgohen nëpër burgje të Serbisë, gjë që unë mendoj se është një shkelje e marrëveshjes së Brukselit, për lëvizje të lirë mes dy shteteve”, tha Qalaj në një prononcim për Gazetën Engima.

Qalaj tha se Qeveria e Kosovës, me gjithë mekanizmat që ka, duhet të bëj presion nëpërmjet Bashkimit Evropian, që këto gjëra të mos ndodhin.

“Është fatkeqësi që qytetarët gati për ditë ndalen dhe i nënshtrohen një turture psikike, por nganjëherë edhe fizike, prej autoriteteve të Serbisë”

Heshtja e BE-së, e gabuar

Deputeti Qalaj tutje tha se heshtja e BE-së është një qasje joserioze.

“Qasja e BE-së është e gabuar… nuk mund ta kuptoj të them të drejtën… për shkak se është dëshmuar se të arrestuarit janë duke u maltretuar. Duhet t’i bëhet presion Serbisë që ta ndalojë terrorizimin e qytetarëve kosovarë, të cilët vendosin të kalojnë nëpër territorin e Serbisë. Duhet bërë trysni më shumë tek Bashkimi Evropian, që ta kemi situatën pak më ndryshe”.

Më tej, Qalaj pohoi se kriza institucionale është duke ndikuar që Serbia të mos ketë presionin e merituar, në lidhje me këto arrestime.

Formë e re e luftës së ftohtë në Ballkan

Eksperti i Sigurisë Kombëtare, Drizan Shala, thotë për Gazetën Enigma se qasja selektive dhe arbitrare ndaj qytetarëve të Kosovës që kanë kaluar apo qëndruar në Serbi, është një formë e re e luftës së ftohtë në Ballkan.

“Këto arrestime janë të motivuara politikisht dhe nuk bazohen në hetime serioze apo prova të qëndrueshme ligjore. Janë pjesë e strategjisë hibride të Serbisë, që përfshin përdorimin e sistemit të drejtësisë si instrument të kontrollit politik dhe presionit ndaj Kosovës”, deklaroi Shala.

Ai thotë se arrestimet e fundit janë pjesë e një modeli të njohur të presionit politik dhe psikologjik që Beogradi aplikon ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës.

“Këto veprime janë të karakterit represiv dhe kanë qëllim të qartë politik: të dekurajojnë qytetarët nga ushtrimi i të drejtave të tyre kushtetuese dhe të dërgojnë mesazhe frikësimi”.

“Këto arrestime janë të motivuara politikisht dhe nuk bazohen në hetime serioze apo prova të qëndrueshme ligjore. Janë pjesë e strategjisë hibride të Serbisë, që përfshin përdorimin e sistemit të drejtësisë si instrument të kontrollit politik dhe presionit ndaj Kosovës”, u shpreh tutje Shala.

A është e sigurt për qytetarët e Kosovës të kalojnë nëpër Serbi?

Në situatën aktuale, udhëtimi përmes Serbisë nuk mund të konsiderohet i sigurt për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për ish-pjesëtarë të institucioneve të sigurisë dhe administratës, si dhe ata që kanë pasur angazhim publik apo politik, thotë eksperti Shala.

“Ka rrezik real që emrat e tyre të figurojnë në lista të hartuar nga shërbimet e inteligjencës serbe, shpesh pa procedurë ligjore transparente”.

Shala hodhi kritika edhe ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se nuk ka demonstruar një strategji të koordinuar, efektive dhe të vazhdueshme për mbrojtjen konsistente të qytetarëve të saj ndaj këtyre veprimeve të Serbisë.

“Reagimet kanë qenë shpesh të vonuara dhe të fragmentuara, ndërsa mungon një platformë ndërinstitucionale që përfshin inteligjencën, diplomacinë dhe drejtësinë për të adresuar sistematikisht këto raste”

Për Gazetën Enigma, Drizan Shala sugjeroi disa hapa që duhet të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten:

– Hartimi i një liste të zezë të zyrtarëve serbë të përfshirë në arrestime politike, e ndjekur nga shpallje ‘non grata’ dhe njoftim te partnerët ndërkombëtarë.

-Zhvillimi i një mekanizmi të përhershëm ligjor dhe diplomatik, përmes MPJD-së dhe Zyrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Qytetarëve Jashtë Vendit.

-Bashkëpunim me organizata ndërkombëtare, veçanërisht me misionin e OSBE-së dhe me Komitetin Evropian për Parandalimin e Torturës, për të monitoruar trajtimin e të arrestuarve.

– Fuqizimi i kapaciteteve të inteligjencës kosovare për të monitoruar dhe parandaluar rastet e ndjekjes së qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe.

Kampanjë informuese publike, nëpërmjet mediave dhe institucioneve përkatëse, për rreziqet e udhëtimit në Serbi.

Serbia ka bërë arrestime ndër vite

Serbia në mënyrë të përsëritur ka arrestuar qytetarë të Kosovës gjatë viteve të fundit, përfshirë ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilët Beogradi i akuzon për përfshirje në krime lufte.

Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare. /GAZETA ENIGMA

Related Articles