Shaip Kamberi jep detaje për akuzën ndaj tij nga Prokuroria e Nishit

Shaip Kamberi jep detaje për akuzën ndaj tij nga Prokuroria e Nishit

Prokuroria Speciale në Nish të Serbisë, ka propozuar që të ngritet akuzë ndaj deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi për “tejkalim të apropriacioneve të buxhetit”, përderisa ka ushtruar detyrën e kryetarit të Bujanocit më 2018 dhe 2019, shkruan Gazeta Enigma.

Për këtë aktakuzë, Kamberi u njoftua zyrtarisht të mërkurën e 26 janarit.

Kamberi njihet si deputeti më i zëshëm shqiptar në parlamentin serb, ai ka treguar për Gazetën Enigma, se nuk është i befasuar nga veprimet e prokurorisë së Nishit.

Sipas tij do të ishte e palogjikshme që ky pushtet autoritar të ndalet me kaq.

“Në shtetin ku lidhjet e mafisë dhe krimit të organizuar me pushtetin po bëhen përditshmëri, Prokuroria Speciale merret me akuza absurde për një praktikë që ekziston dhe realizohet në shumë Komuna tjera të Serbisë, të cilët mundësitë buxhetorë i kufizojnë në planifikimet e projekteve infrastrukturore”, thotë Kamberi.

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë thotë se serbët po tentojnë ta sulmojnë personalitetin e tij.

“Ata e kanë të qartë se përfundimin e këtij procesi, por, se me ngritjen e dyshimeve, po tentojnë të sulmojnë personalitetin tim dhe kërkesat e drejta që kam shtruar”, vlerëson ai.

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi

I pyetur se a ka pasur presion edhe më herët nga organet e sigurt serbe, Kamberi tregon se deri më tani presionet kanë qenë në nivel meditativ të shtypit të Beogradit dhe mediave të kontrolluara nga SNS.

“Tash kjo akuzë e ngritur është presion i drejtpërdrejtë shtetëror. Por, sido që të jetë, unë do të vazhdoj betejën time, qoftë në sallën e parlamentit qoftë në sallën e gjyqit. Nuk kanë mundësi për të më ndaluar”, shprehet Kamberi.

Kamberi jep detaje për akuzë që ngriti Prokuroria Speciale e Nishit

“Është me rëndësi të dihet se këto projekte, me vlera më të mëdha, realizohen në faza, për shkak se Komunat e pazhvilluara në Serbi sikurse Bujanoci e Presheva nuk kanë buxhet të mjaftueshëm që projektet më të kushtueshme  t’i realizojnë brenda një viti. Prandaj edhe realizimin e tyre e bëjnë duke i ndarë në faza, për dy apo më shumë vite”, shpjegon ai.

“Në këtë rast, Prokuroria propozon ngritjen e akuzës duke u bazuar në faktin se në momentin e nënshkrimit të kontratës për realizimin e këtyre projekteve, në buxhetin e Komunës, nuk ka pasur mjaftueshëm mjete sa ka qenë vlera kontraktuese e këtyre projekteve”, vazhdon të tregoj ai.

Sipas tij, edhe më 2018 edhe më 2019 për këto projekte, është bërë pagesa për punët e kryera vetëm në lartësinë e mjeteve të cilat kanë qenë të planifikuara me buxhet.

“Njëkohësisht, në kontratat e lidhura, figuron paragraf i veçantë sipas të cilit Komunat obligohen që, brenda vitit buxhetor, punë kryesit ti kursejë pagesën vetëm në lartësinë e mjeteve të parapara në buxhet. As edhe një cent i vetëm më tepër. Tash na del se Prokuroria paska zbuluar se me marrjen e obligimeve në vlerë më të madhe se mjetet e planifikuara “paskam rënduar buxhetin e Komunës”, përfundon Kamberi.

Shaip Kamberi në parlamentin e Serbisë

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi thotë se veprimet e Prokurorisë Speciale ndaj Kamberit nuk mund të kuptohen ndryshe përveç se përndjekje politike e presion për të ndaluar zërin opozitar ndaj një pushteti autoritar.

“Për shkak të paralajmërimit të zgjedhjeve parlamentare, Aleksandër Vuçiq po përdor prokurorinë e Nishit për qëllime politike”, deklaron Mustafi për ‘Enigmën’.

Sipas tij me këto veprime të prokurorisë speciale po goditet rëndë politika në Luginën e Preshevës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi

“Si i akuzuari i katërfishtë për shkak të vendosjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar dhe si akuzuesi i Ministrit të Punëve të Brendshme, Aleksandër Vullin për gjuhë fashiste ndaj shqiptarëve, konsideroj se këto janë instrumente për të nxitur krizë politike dhe përçarje ndër shqiptarët”, shton ai.

Ai rikujton se në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, shqiptarët e Luginës arritën suksesin më të madh në histori.

“Mos të harrojmë se tre deputet shqiptar si dhe formimi i grupit parlamentar me deputetët boshnjak nga Novi Pazar “Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak” janë si të vetmin grup parlamentar opozitar që iu priu Shaip Kamberi”, vlerëson Mustafi /Gazeta Enigma/

Ragmi Mustafi dhe Shaip Kamberi

Related Articles