Zgjedhjet lokale: Shkaku i COVID-19, fushata fillon në mënyrë digjitale

Zgjedhjet lokale: Shkaku i COVID-19, fushata fillon në mënyrë digjitale

Me 16 shtator ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë, pavarësisht rrethanave të krijuara nga COVID-19, fushata zgjedhore prej një muaji u konsiderua si çështje e rregulluar me ligj dhe se nuk mund të ndryshohet, shkruan Gazeta “Enigma”.

Për dallim nga herët e tjera, kësaj radhe fushata ka filluar në mënyrë online (digjitale) dhe jo tubime me qytetarët.

Pas vendimit që Zgjedhjet Lokale të mos shtyhen, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdoi përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

I pari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi u ka bërë thirrje subjekteve politike të çertifikuara për zgjedhjet e 17 tetorit që ti respektojnë masat kundër COVID-19, gjatë fushatës zgjedhore.

Radoniqi ka thënë se periudha e fushatës është 30 ditë, e cila është e përcaktuar me ligj dhe nuk ndryshohet.

“E shoh të nevojshme që ti adresohem subjekteve politike pasi që nga 16 shtator fillon fushata zgjedhore. Siç e thash edhe dje periudha e fushatës zgjedhore për këto zgjedhje është 30 ditë dhe kjo periudhë është ligjore dhe nuk mund të ndryshohet, dhe i bëj thirrje subjekteve politike që gjatë kësaj periudhe ti mbahen rregullave të KQZ-së. Gjithashtu ajo që është e rëndësishme gjendja e rëndë e pandemisë i bëjë thirrje subjekteve që të respektojnë masat për mbrojtje”, ka thënë ai.

Ndërkohë që shkak i pandemisë COVID-19 pati rekomandime për shtyre të zgjedhjeve dhe rekomandim për shkurtim të fushatës.

Por Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit që ka mbajtur me partitë politike ka deklaruar se në mungesë të konsensusit të partive politike nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve lokale dhe se ato do të mbahen me 17 tetor.

Megjithëkëtë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj kishte njoftuar se ka vendosur që fushatën konvencionale për zgjedhjet lokale ta mbajë vetëm në pesë ditë.

Haradinaj tha se vendimi për këtë erdhi pas situatës së rëndë epidemiologjike me COVID-19.

Gjithashtu edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kishte bërë të ditur para mediave se në mbledhjen e Kryesisë të kësaj partie, kanë diskutuar që fushata zgjedhore të shkurtohet në pesë ditë të vetme.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor ku qytetarët do të mund të votojnë për kandidatin që do ta kenë për katër vitet kryetar.

Ndërsa, nga 15 shtatori (të mërkurën) ka filluar votimi me postë për mërgimtarët. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbledhjen e fundit ka miratuar edhe numri e saktë të fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet e 17 tetorit.

Në ditën e zgjedhjeve, më 17 tetor do të jenë në dispozicion 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime për kandidatët për kryetar të komunave, ndërsa e njëjta do të jenë edhe për asambletë komunale.

Ani pse numri i qytetarëve që kanë të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë, KQZ ka shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se votues apo në përqindje 9,91 % dhe kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Vlenë të theksohet se vetëm këtë javë në Kosovë janë shënuar 117 viktima nga COVID-19.

Related Articles