Si ka evoluar roli i grave në politik që nga shpallja e pavarësisë? Deputetet shpalosin rrëfimet e tyre

<strong>Si ka evoluar roli i grave në politik që nga shpallja e pavarësisë? Deputetet shpalosin rrëfimet e tyre</strong>

Në një shoqëri veçmas si ajo kosovare, e cila akoma nuk e ka gjetur ekuilibrin e duhur, të jesh model pozitiv, e aq më tepër një grua e suksesshme në politikë apo në jetën publike është një sfidë jo edhe lehtë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kur flitet për gruan dhe angazhimin e saj politik, me ose pa vetëdije ekziston një tendencë që të diskutohen si dy kategori të ndara.

Kosova feston 15 vjetorin e Pavarësisë, por sa është fuqizuar figura e gruas në skenën politike nga 2008 e deri sot?!.

Gazeta Enigma në kuadër të 17 shkurtit, sjell rrëfimet e disa prej deputeteve të Kuvendit të Kosovës.

Si rrjedhojë, vërehet se tash e një kohë shoqëria ka arritur në shkallë-shkallë që të largohet nga mentaliteti stigmatizues.

“ Pa koutën gjinore, do kishim një ‘Kuvend burrash”

Njëra nga deputetet e cila e ushtron këtë detyrë tash e një kohë të gjatë është Time Kadriaj, nga Aleanca për Ardhmërin e Kosovës, e cila njiherit është edhe nënkryetare e kësaj partie.

Deputete e AAK-së, Time Kadriaj

Lidhur me zhvillimin ndër vite të figurës së gruas sa i përket skenës politike, Kadrijaj për Gazetën Enigma” potencoi se po të mos ishte kuota gjinore, Parlamenti i Kosovës, do të ishte një gjinor ku vetëm burrat do të fitonin mandatet.

“Dua të theksoj se po të mos kishte qenë kuota gjinore, Parlamenti do të kishte qenë një gjinorë, dhe mandatet do t’i fitonin vetëm burrat. Por me kalimin e kohës figura e gruas u rrit, dhe tani nuk është më vetëm kuotë por gratë fitojnë vota si personalitete, si individ, ku çdo vite e më shumë rritet numri i grave të cilat fitojnë pa kuotë gjinore”, theksoi Kadriaj.

Deputetja gjithashtu tha se AAK-ja, e ka brenda partisë një lloj organizimi të grave, ku sipas saj fjala e tyre dëgjohet mjaft shumë.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka brenda partisë aleancën e gruas si një lloj departamenti, organizimi që ka struktura udhëheqëse dhe këshillin drejtues. Gratë sot kanë hapësira të mjaftueshme si në nivelin lokal edhe atë qendror”, vazhdoi Kadriaj.

Kadriaj gjithashtu e përmendi edhe Grupin e Grave Deputete, ku përmes të cilit komunikojnë dhe bashkëpunojnë me gratë asambleiste në vende të ndryshme të Kosovës.

“Në Kuvendin e Kosovës, ekziston Grupi i Grave Deputete, përmes të cilit bashkëpunojmë në nivele lokale, me gratë asambleiste, ku kemi insistuar që të ndihmohemi edhe nga OSBE dhe disa organiziata të tjera, sepse vendi ynë ka shumë gra profesioniste”, tha ndër të tjera Kadriaj.

Sipas saj gratë të cilat veprojnë në Kuvendin e Kosovës janë shumë më përgjegjëse se burrat në shumë aspekte.

“Në Kuvend gratë janë më përgjegjëse se burrat, qoftë në Komisionet Parlamentare, gjatë amandamentimit të ligjeve, apo edhe çdo ndërmarrje tjetër brenda Kuvendit, gratë janë shumgratë janë shumë korrekte dhe e kryejnë punën në mënyrën më të mirë të mundshme”, citoi deputetja e AAK-së.

Një kërkesë e deputetes Kadriaj karshi mediave ishte që t’u jepet më shumë hapsirë prononcimeve, deklaratave, të grave sesa përleshjeve që bëhen në Kuvend mes deputetëve.

“Unë kam kërkuar nga mediat që të kenë më shumë hapsirë deklaratat ose prononcimet e grave sesa përleshjet mes deputetëve në Kuvend, gjë që ndodh vazhdimisht dhe mendoj se nuk është një gjë e mirë. Pasi që më ka ndodhur disa herë kur unë kam ngritur ndonjë çështje mjaft me rëndësi dhe është aktualizuar krejt mbas 2-3 jave nga gazetarët të cilë u kanë dhënë hapësirë përleshjeve në Kuvend”, ka thënë Kadriaj.

Ndërkohë, deputetja e AAK-së deklaroi se barazinë gjinore nuk e sheh me skepticizëm si shumë të tjerë, pasi që në partinë e saj asaj i është besuar pozita e nënkryetares dhe pozita e deputetes në Kuvend.

Tutje ajo shtoi se “Secila grua ka një përgatitje profesionale dhe nuk është marrë nga askush nga rruga që të vendoset në Kuvendin e Kosovës, ose në strukturat politike e çdo fushë tjetër”, përfundoi Kadriaj.

Kurti: Kuota gjinore po bëhet e panevojshme

Ndërsa, në anën tjetër deputetja e Lëvizjes së Vetëvendosjes, Tinka Kurti, e cila ndër të tjera është edhe kryesuese e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, nuk e sheh kuotën prej 30 për qind të nevojshme.

Deputete e VV-së, Tinka Kurti

“Kuota ka filluar të jetë e panevojshme tek një subjekt, ku LVV në dy zgjedhjet e fundit e ka tejkaluar 30 për qindëshin”, theksoi Kurti për Enigmën.

Ajo vlerëson kështu sepse sipas saj në secilën parti politike ka gra të zgjedhura pa kuotë dhe se në dallim me 15 vite më parë kjo është një arritje demokratike.

“Pozitive është se në secilën parti ka gra të zgjedhura pa kuotë, e nëse krahasohet me 15 vite më herët, kjo është një arritje demokratike. E cila është bërë falë punës së madhe të grave aktiviste e politikane pavarësisht sfidave ndër vite”, potencoi deputetja e VV-së.

Roli i zbehët i grave në politikbërje, sipas Bunjaku – Rexhepit

Krejtësisht ndryshe e sheh pozitën e grave në politikbërje deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina BunjakuRexhepi, e cila thotë kjo pozitë garantohet vetëm falë kuotës gjinore.

Deputete e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi

“Gruaja kosovare ka arritur shumë krahasuar me periudhën para 15 viteve, por fatëkeqësisht është larg standarteve evropiane, e në disa fusha edhe larg avancimit të pozitës së saj edhe në nivelin rajonal. Pozita e gruas mbetet vetëm falë kuotës gjinore”, theksoi Bunjaku-Rexhepi për Enigmën.

Deputetja potencon faktin se përveç në Gjakovë që ka qenë kyetare e Komunës, Mimoza Kusari-Lila, asnjë tjetër nuk e morri këtë pozitë.

“Asnjë grua nuk u bë Kryetare Komune përveç në Gjakovë. Rrallë dëgjon kandidate grua për këtë poztië, sa Kryetare Kuvendi kemi pasur?!”, u shpreh ajo.

Ndër të tjera deputetja e LDK-së thekson se Atifete Jahjaga dhe Vjosa Osmani, si Presidente e kanë krijuar një përshtypje për gëzim të barazisë gjinore.

“Vetëm Atfiete Jahjaga dhe Vjosa Osmani si Presidente, e kanë krijuar përshtypjen për gëzim lidhur me barazinë gjinore, por kjo është shumë pak. Prandaj kemi nevojë për kuotën gjinore nëse vazhdon kështu”, përfundoi Bunjaku-Rexhepi.

Të njëjtin qëndrim e ka edhe deputetja e koalicionit VAKAT, Duda Balje, e cila e paraqet rrugën e gruas në politikë jo të lehtë.

Deputete e VAKAT, Duda Balje

“Ne gratë shkojmë me taka në gurë. Lufta për pozitën e gruas së merituar ka qenë dhe është ende e pranishme në vendin tonë. Po punojmë për të gjitha të drejtat dhe mbrojtjen e grave çdo-ditë”, tha deputetja për “Enigmën”.

Sipas saj instrumenti i cili u mundëson të “barazohen” me kolegët burra është kuota prej 30 për qind.

“Kuota prej 30 për qind është instrumenti me të cilin ne shtyjmë vetën me kolegët tanë meshkuj si në festa ashtu edhe në punë. Fuqia dhe aftësia e grave të vendit tonë është shumë më e madhe se të gjitha numrat dhe përqindjet. Kushdo mund të më vendosë mua në një pozitë inferiore vetëm nëse unë e lejoj. Diskriminimi ndaj grave ekziston akoma”, përfundoi Balje për Enigmën.

Kontributi shumëdimensional i grave që nga paslufta e deri sot

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, theksoi se kontributi i gruas nuk ka munguar së shkëlqyeri edhe në kohën e luftës, e që tani progresi vërehet çdo vit e më shumë.

Deputete e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra

“Kosova shënon 15 vjetorin si shtet, dhe natyrisht ky rrugëtim por edhe para tij padyshim që është bërë progres i theksuar, dhe nuk mund assesi të mohohet kontributi i patjetërsueshëm dhe gjithë mundi i gruas në të gjitha dimensionet, që nga organizimet e para me ilegalitet formimi i saj në luftëm e UÇK-së,në integrimin e saj në procesin e ndërtimit të paqes dhe shtetit të pavarur e deri te gruaja në biznes, në politik, e gazetari që e kemi një dimension shumë të fortë, dhe shumë gra që e qojnë këtë shoqëri përpara”, theksoi Deliu për Enigmën.

Deputetja u shpreh se kontributi i gruas në shtetndërtimin e Kosovës nuk mund të mohohet dhe që sipas saj vendi ynë ka një shoqëri të barabartë mes burrave dhe grave.

“Kosova synon një shoqëri të barabartë në mes burrave dhe grave  dhe është tejet emocionuese çdo vit të shohësh progresin që gratë po e bëjnë vazhdimisht. Ka shumë gra që i kanë shërbyer dhe vazhdojnë t’i shërbejnë këtij vendi. Sot kemi gra nëpër pozita të ndryshme, në organizime institucionale,pavarësisht kësaj kemi hapësirë për përmirësim të vazhdueshëm për shance të barabarta.

Nga 120 deputetë në Kuvendin e Kosovës, 40 prej tyre, rreth 30 përqind janë gra./GAZETAENIGMA/

Related Articles