Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, në një intervistë ekskluzive për Gazetën “Enigma” ka folur për problemet strukturore, politike dhe institucionale me të cilat përballen qytetarët shqiptarë në këtë rajon tash e sa vite, shkruan Gazeta Enigma.
Ajo përmes kësaj interviste ka theksuar se mungesa e barazisë dhe sigurisë juridike, pasivizimi i adresave, arsimi dhe ruatja e identitetit kombëtar janë disa nga çështjet që prekin qytetarër në Luginë.
Po ashtu Sinani ka folur edhe për sfidat e bashkëpunimit institucional në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar.
Ajo ka vlerëson rolin dhe mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës. Po ashtu ka folur edhe për bashkëpunimin me përfaqësuaesit lokalë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Tutje Sinani ka theksuar se vetëm përmes barazisë, zhvillimit dhe kordinimit politik mund të ndërtohet një e ardhme më e qëndrueshme për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Gazeta “Enigma”: Cilat janë problemet kryesore me të cilat përballen sot shqiptarët në Luginë?
Ardita Sinani: Shqiptarët në Luginën e Preshevës përballen me një kombinim të padrejtësive strukturore dhe diskriminimit institucional të vazhdueshëm. Problemet kryesore përfshijnë mosnjohjen e diplomave të Republikës së Kosovës, pasivizimin e adresave që po çon në zhdukjen administrative të qytetarëve shqiptarë, përjashtimin sistematik nga institucionet shtetërore, mungesën e investimeve publike dhe një situatë ekonomike gjithnjë e më të rëndë.
Këtyre u shtohet rikthimi i ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, i cili në kontekstin e Luginës shndërrohet në një mekanizëm shtesë presioni dhe frikësimi, duke nxitur largimin e të rinjve shqiptarë dhe duke kontribuar në atë që ne e quajmë pastrim të heshtur demografik.
Diskriminimi është i theksuar edhe në sektorin e shëndetësisë. Shembull domethënës është Spitali i Vranjës, ku rreth 40% e pacientëve janë shqiptarë, ndërsa vetëm një i punësuar është shqiptar. Ky disproporcion i skajshëm dëshmon përjashtimin sistematik nga punësimi dhe mungesën e barazisë reale në shërbimet publike bazë.
Një problem tjetër serioz mbetet mosintegrimi i shqiptarëve në institucionet qendrore të shtetit, përfshirë gjyqësorin, policinë, doganat, shërbimet tatimore, zjarrfikësit dhe administratën publike, pavarësisht se bëhet fjalë për popullsi autoktone në këtë rajon.
Situata në arsim është po ashtu alarmante. Përveç mungesës së investimeve në objektet shkollore – ku shumë shkolla janë ndërtuar që në vitet ’60 dhe funksionojnë pa renovime thelbësore – ekziston një mungesë serioze e librave shkollorë. Nxënësit e shkollave të mesme vazhdojnë të mos kenë libra në gjuhën shqipe. Për lëndë kyçe si historia, gjeografia, arti figurativ dhe arti muzikor mungojnë tekstet mësimore edhe për nxënësit e shkollave fillore, pikërisht në ato lëndë ku trajtohen historia, tradita dhe trashëgimia kombëtare shqiptare. Këtij realiteti i shtohet edhe ndalimi i përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar.
Në të njëjtën kohë, Serbia vazhdon të mos zbatojë tre marrëveshje kyçe të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar: Marrëveshjen e Konçulit (2001), Marrëveshjen për restrukturimin e Trupit Koordinues (2009) dhe Planin 7-pikësh (2013). Moszbatimi i këtyre marrëveshjeve dëshmon qartë se problemi nuk është mungesa e dokumenteve apo e kornizës ligjore, por mungesa e vullnetit politik për t’i trajtuar shqiptarët si qytetarë të barabartë.
Të gjitha këto nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një politike sistematike që cenon drejtpërdrejt të drejtat themelore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Gazeta “Enigma”: Sa i ndjeni institucionet e Kosovës të pranishme dhe mbështetëse për Luginën?
Ardita Sinani: Qeveria e Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti, ka qenë konkretisht dhe vazhdimisht e pranishme në mbështetjen e Luginës së Preshevës, jo vetëm në aspektin politik, por edhe përmes veprimeve të matshme financiare dhe institucionale. Për herë të parë, mbështetja ndaj Luginës është strukturuar përmes një buxheti të dedikuar prej rreth 4 milionë euro, i orientuar drejtpërdrejt në arsim, kulturë, rini, sport dhe zhvillim socio-ekonomik.
Në fushën e arsimit, Qeveria e Kosovës ka financuar furnizimin me libra për nxënësit e shkollave fillore në gjuhën shqipe, duke ndihmuar drejtpërdrejt mijëra familje dhe duke garantuar të drejtën elementare për arsim në gjuhën amtare. Po ashtu, janë financuar bursa për studentët nga Lugina që studiojnë në Kosovë dhe jashtë saj, si investim strategjik për të ardhmen e këtij rajoni.
Mbështetje konkrete është dhënë edhe për shoqatat joqeveritare, klubet sportive dhe iniciativat rinore, të cilat luajnë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e identitetit, kohezionit social dhe angazhimit të të rinjve. Në aspektin e kulturës dhe trashëgimisë, Qeveria e Kosovës ka financuar projekte kapitale, përfshirë ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut, duke e trajtuar kulturën jo si luks, por si shtyllë të qëndrueshmërisë shoqërore.
Një mbështetje e veçantë është planifikuar edhe për sektorin e bujqësisë, me një paketë ndihme në vlerë prej 1 milion euro për bujqit e Luginës. Fatkeqësisht, kjo ndihmë është bllokuar nga Qeveria e Serbisë, çka dëshmon se pengesat kryesore nuk qëndrojnë te mungesa e vullnetit nga Kosova, por te politikat penguese të Beogradit.
Përtej aspektit financiar, ndihma e Qeverisë Kurti ka qenë e fuqishme edhe në planin politik dhe diplomatik. Çështja e Luginës është ngritur vazhdimisht në nivel ndërkombëtar, duke u trajtuar si çështje e të drejtave të njeriut dhe e respektimit të standardeve evropiane, e jo si temë periferike apo simbolike.
Kjo qasje e re, e bazuar në parime, transparencë dhe veprim konkret, e bën mbështetjen e Kosovës reale dhe të ndjeshme për qytetarët e Luginës së Preshevës, edhe pse përgjegjësia primare për garantimin e të drejtave të tyre mbetet tek shteti i Serbisë.
Gazeta “Enigma”: A mendoni se çështja e Luginës trajtohet seriozisht në agjendat politike rajonale?
Ardita Sinani: Jo, çështja e Luginës së Preshevës nuk trajtohet ende me seriozitetin dhe peshën që meriton në agjendat politike rajonale. Ajo shpesh përmendet në mënyrë deklarative, por rrallë shndërrohet në prioritet real politik apo diplomatik, veçanërisht kur bëhet fjalë për kërkimin e përgjegjësisë nga shteti i Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve.
Paradoksi është i qartë: Serbia kërkon standarde të larta për pakicën serbe në rajon, ndërkohë që brenda kufijve të saj nuk zbaton as standardet minimale për shqiptarët në Luginë. Ky standard i dyfishtë vazhdon të tolerohet, duke e mbajtur çështjen e Luginës jashtë fokusit real të politikave rajonale.
Çështja e Luginës duhet të trajtohet si çështje e të drejtave të njeriut dhe e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, e jo si temë e brendshme e Serbisë. Moszbatimi i Marrëveshjes së Konçulit, i marrëveshjes për Trupin Koordinues dhe i Planit 7-pikësh duhet të ketë pasoja konkrete për shtetin e Serbisë, përfshirë masa ndëshkuese dhe penale në raport me obligimet ndërkombëtare që ajo ka marrë përsipër.
Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare duhet të rikthejë një qasje aktive dhe të strukturuar ndaj Luginës së Preshevës, të ngjashme me periudhën 2001–2005, kur u ndërtua një agjendë e qartë zhvillimore dhe u siguruan fonde të dedikuara për stabilizimin dhe zhvillimin e rajonit. Kjo agjendë duhet të përfshijë investime konkrete infrastrukturore, si sigurimi i ujit të pijshëm, investime në sistemin e kanalizimit fekal, ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve, investime në objekte arsimore, si dhe financime për subvencione në bujqësi dhe blegtori.
Po ashtu, është e domosdoshme mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe familjare përmes subvencioneve dhe programeve zhvillimore, si mënyra më e qëndrueshme për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe për të ndalur shpërnguljen e popullsisë.
Pa një qasje të tillë serioze, të lidhur drejtpërdrejt me përgjegjësi politike dhe mbështetje konkrete zhvillimore, çështja e Luginës do të vazhdojë të mbetet në margjinat e agjendave rajonale, me pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin dhe bashkëjetesën në rajon.
Gazeta “Enigma’: Çfarë pengesash hasni më shpesh në punën tuaj në këtë zonë?
Ardita Sinai: Pengesat me të cilat përballemi janë kryesisht strukturore dhe burojnë nga mungesa e vullnetit politik të institucioneve qendrore të shtetit serb për ta trajtuar Luginën e Preshevës në mënyrë të barabartë. Një nga pengesat më të shpeshta është diskriminimi financiar dhe administrativ, i cili manifestohet përmes mosrritjes së transfereve shtetërore për më shumë se një dekadë, pavarësisht rritjes së inflacionit dhe rritjes së pagave në sektorin publik me mbi 30% brenda dy viteve të fundit. Kjo e vë funksionimin e komunave shqiptare nën presion të vazhdueshëm.
Pengesa më e madhe dhe më serioze mbetet mospranimi i diplomave nga universitetet e Republikës së Kosovës. Ky problem nuk është vetëm çështje administrative, por ka pasoja të drejtpërdrejta strukturore, sepse çon në mungesë të resurseve njerëzore profesionale në institucionet lokale dhe publike, si dhe nxit dëbimin e të rinjve të arsimuar drejt Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo përbën një humbje të madhe për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e komunës.
Një tjetër pengesë e vazhdueshme është bllokimi ose mosmbështetja e projekteve që Komuna e Preshevës i konkurron në ministritë përkatëse të Qeverisë së Serbisë, edhe atëherë kur hapen konkurse publike. Projektet e komunës shpesh refuzohen ose mbesin pa përgjigje, duke krijuar pabarazi të qartë në qasjen ndaj fondeve shtetërore dhe duke penguar realizimin e investimeve zhvillimore.
Hasim gjithashtu pengesa të vazhdueshme në integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, në sistemin e drejtësisë, polici, dogana dhe administratë publike, si dhe në zbatimin e plotë të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Këto barriera e kufizojnë seriozisht përfaqësimin real dhe ndikimin institucional të shqiptarëve.
Një problem shtesë është pasiguria juridike që shkaktohet nga pasivizimi i adresave, e cila ndikon drejtpërdrejt në ushtrimin e të drejtave qytetare dhe në qasjen në shërbime publike.
Pavarësisht këtyre pengesave, ne vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi dhe transparencë, duke ndërtuar bashkëpunime me Kosovën, Shqipërinë dhe partnerët ndërkombëtarë, sepse besojmë se këmbëngulja institucionale dhe përfaqësimi i qëndrueshëm janë të vetmet rrugë për mbrojtjen e interesit të qytetarëve tanë.
Gazeta “Enigma”: A ka bashkëpunim real me përfaqësuesit lokalë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë?
Ardita Sinani: Bashkëpunimi mes përfaqësuesve lokalë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk është ideal, por ekziston dhe zhvillohet mbi disa parime dhe tema nga të cilat nuk guxojmë të largohemi. Përkundër dallimeve politike apo qasjeve të ndryshme, ka çështje themelore që përbëjnë strumbullarin e qëndrimit të përbashkët shqiptar në Luginë.
Një nga këto është respektimi dhe realizimi i vullnetit politik të shprehur në referendumin e vitit 1991, veçanërisht në çdo skenar që lidhet me ndryshimin e territoreve apo rikonfigurime politike në rajon. Ky referendum mbetet bazë legjitime dhe politike e qëndrimit tonë kolektiv.
Po ashtu, ekziston një bashkëpunim dhe bashkërendim i domosdoshëm i aktivitetit politik me Republikën e Kosovës, Republikën e Shqipërisë dhe me faktorin ndërkombëtar. Ky koordinim është jetik për ta mbajtur çështjen e Luginës në agjendat politike dhe diplomatike dhe për të shmangur izolimin institucional.
Një tjetër shtyllë nga e cila nuk guxojmë të largohemi është mbështetja e plotë për realizimin e tre marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar: Marrëveshja e Konçulit, marrëveshja për Trupin Koordinues dhe Plani 7-pikësh. Këto marrëveshje përfaqësojnë minimumin e të drejtave të garantuara dhe bazën për barazi reale.
Në këtë kuptim, bashkëpunimi ndërshqiptar në nivel lokal nuk është gjithmonë i lehtë, por është i domosdoshëm. Ai duhet të vazhdojë të forcohet mbi këto parime thelbësore, sepse vetëm përmes një qëndrimi të përbashkët dhe të koordinuar mund të mbrohen interesat afatgjata të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Gazeta “Enigma”: Si e vlerësoni situatën aktuale të të drejtave të shqiptarëve atje?
Ardita Sinani: Situata aktuale e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është shqetësuese dhe, në shumë aspekte, e përkeqësuar. Të drejtat që janë të garantuara në letër nuk zbatohen në praktikë, ndërsa diskriminimi institucional vazhdon të jetë i pranishëm në pothuajse të gjitha fushat e jetës publike.
Pasivizimi i adresave ka prodhuar pasoja të rënda juridike dhe sociale, duke ua mohuar qytetarëve të drejtën e votës, qasjen në shërbime publike dhe sigurinë juridike. Mosnjohja e diplomave të Republikës së Kosovës vazhdon të pengojë punësimin dhe integrimin profesional të të rinjve shqiptarë, duke nxitur shpërnguljen dhe humbjen e kapitalit njerëzor.
Diskriminimi në punësim mbetet i theksuar, veçanërisht në institucionet shtetërore, në shëndetësi, polici, gjyqësor dhe administratë publike, ku përfaqësimi i shqiptarëve është minimal ose simbolik. Në arsim, mungesa e librave, infrastruktura e amortizuar dhe kufizimet në përdorimin e simboleve kombëtare cenojnë drejtpërdrejt të drejtën për arsim cilësor në gjuhën amtare.
Për më tepër, moszbatimi i Marrëveshjes së Konçulit, marrëveshjes për Trupin Koordinues dhe Planit 7-pikësh tregon se ekziston një hendek i madh mes zotimeve politike dhe realitetit në terren. Këto shkelje nuk mund të trajtohen më si probleme të përkohshme, por si çështje strukturore që kërkojnë reagim serioz institucional.
Në këtë kontekst, është e domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare të luajë një rol më aktiv në monitorimin dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Pa zbatim real të standardeve evropiane dhe pa presion të qëndrueshëm ndaj institucioneve përgjegjëse, situata rrezikon të mbetet e pandryshuar, me pasoja afatgjata për stabilitetin dhe bashkëjetesën në rajon.
Gazeta “Enigma”: Mesazhi juaj?
Ardita Sinani: Përballë diskriminimit të organizuar shtetëror dhe politikave të pasivizimit që synojnë zbrazjen e trojeve tona stërgjyshore, mbrojtja e identitetit kombëtar, e dinjitetit njerëzor dhe e barazisë institucionale mbetet beteja jonë më e drejtë dhe më ekzistenciale në Luginën e Preshevës. Kjo nuk është vetëm një çështje politike, por një mision historik për mbijetesën dhe të ardhmen e shqiptarëve në këto troje.
Në unitet dhe koordinim të plotë me deputetin Shaip Kamberi, me partnerët e koalicionit – z. Ragmi Mustafa (PDSH), z. Armend Aliu (AL) dhe z. Naser Haziri (UDSH) – si dhe në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe z. Enkël Rexhepin, jemi të vendosur që ta forcojmë edhe më tej frontin e përbashkët politik dhe institucional. Synimi ynë është i qartë: realizimi i projekteve konkrete, mbrojtja e të drejtave kolektive dhe shndërrimi i planeve në vepra të prekshme për qytetarët tanë.
Me mirënjohje të thellë për mbështetjen vëllazërore dhe të vazhdueshme, falënderojmë Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, dhe Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama. Ky unitet politik dhe kombëtar është garancia jonë më e fortë se shqiptarët e Luginës nuk janë vetëm, se zëri i tyre dëgjohet dhe se e ardhmja e tyre do të ndërtohet me dinjitet, zhvillim dhe shpresë të sigurt në trojet e veta. / Gazeta Enigma.
