Projeksioni i draftit të Projektligjit të Pagave për sektorin publik, i publikuar në media së fundmi ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në opinion, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ndonëse ende nuk është finalizuar drafti nga ana e ekzekutivit, sindikatat që mbrojnë të drejtat e punëtorëve të sektorit publik kanë paralajmëruar protesta, e madje edhe grevë.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, në një intervistë për Gazetën “Enigma”, ka konfirmuar se nëse nuk merret parasysh kritikat e tyre nga ekzekutivi, atëherë në fillim të marsit do të ketë protesta. “Komisioni është duke punuar dhe ne do ta dërgojmë versionin përfundimtar tek MASHT-i, por edhe tek kryeministri Kurti. Deri atëherë Këshilli drejtues, duke e parë edhe ngritjen marramendëse të çmimeve të artikujve elementar, na ka autorizuar që t’i drejtohemi qeverisë me kërkesën që në mënyrë lineare me vlerën nga 100 euro që nga cikli fillor e deri në Universitet t’i shtojë në paga deri në momentin kur të aprovohet dhe filloj të implementohet ligji i pagave, i cili do të jetë i pranueshëm vetëm kur të pranohet kërkesat dhe rekomandimet tona”, ka thënë Jashari.
Nëse as kjo nuk merret parasysh, Jashari ka thënë se ekziston rreziku që të ripërsëritet greva tre javëshe e sistemit arsimor, që kishte ndodhur vite më parë.
“Nëse këto nuk ndodhin, Këshill drejtues si paralajmërim të fundit do ta organizoj një protestë me numër të kufizuar, që do të kishte një numër të 800 deri 900 pjesëmarrës, e nëse edhe kjo nuk ndikon protesta do të shtohet edhe me Këshillin e prindërve. Pastaj me 2 prill është Kongresi i SBASHK-ut, dhe nëse gjërat shkojnë kështu dhe nuk përfillet kërkesat e argumentet tona, atëherë Kongresi do të sjell vendim për të filluar me grevën, dhe kam frikë se do të përsëritet greva 3 javore e para disa viteve, kur u paralizua tërë sistemi arsimor”, ka potencuar ai.
Tutje ai theksoi se “Në versionin që e kemi ne nuk është precizuar vlera e koeficienteve, kështu që e kemi vështirë t’i përgjigjemi pyetjeve të kryesisë, por ne jemi te pakënaqur dhe do ta ofrojmë versionin tonë të argumentuara, por pyetjet që po na bëhen ne s’kemi ende përgjigje, ngase vlera s’përmendet fare”.
Edhe infermierët të pakënaqur me pagat e përcaktuara në draft-ligj, më 1 mars protestojnë
Ndryshe nga SBASHK-u, që ende po deklarohet pro protestave, por pa një organizim konkret, Sindikata e Infermierëve të Kosovës tashmë e ka pasqyrën e qartë se si dhe kur do të mbahet protesta, që kundërshton draft ligjin e pagave.
Kjo sindikatë ka planifikuar që më 1 mars të protestoj, së bashku me Odën e Infermierëve të Kosovës, Shoqatën e Infermierëve të Urologjisë së Kosovës, Shoqatën e Instrumentareve të Kosovës dhe Shoqatën e Infermierëve të Psikiatrisë së Kosovës.
Nën moton “ Paga dinjitoze, jo diskriminimit” infermierët thonë se do të kundërshtohet çdo koeficient që infermierëve u jep me pak se 70% të pagës së specialistëve.
“Do t’a kundërshtojmë me të gjitha mjetet ligjore çdo koeficient i cili është më i ulët se 70% e pagës së një mjeku specialist”, kanë thënë nga kjo sindikatë.
Probleme edhe në sektorin privat, s’pranojnë pagë minimale nën 400 euro
Përpos në sektorin publik, pagat aktuale përbëjnë problem më së shumti për sektorin privat.
Ndonëse Ligji për Shërbyesit Civil, nuk përfshin këtë kategori, ata po kërkojnë nga ekzekutivi që paga minimale të mos jetë nën 400 euro.
Kryetari i Sindikatës së Punëtoreve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka bërë dy propozime për ekzekutivin.
“Nuk guxoj të them se cila do të jetë propozimi pagës së kryeministrit të Kosovës. kemi dy propozime. Propozimi i parë që ka qenë në vitin 2021 që paga minimale të jetë 350 euro dhe propozimi i dytë që tani ka ra në 250 euro. Ne nuk dojmë të flasim se për cilën shumë e ka pasur fjalën por kemi informacione se do të lëviz diçka për pagën minimale, por sa është reale kjo mbetet të shihet me kohë.
Më tutje Azemi tha se nuk do të pranojnë asnjë pagë minimale nën 400 euro.
“Ne bëjmë me dije që nëse duhet biseduar me pagën minimale, për pagën minimale nuk janë të thirrur që të bisedojnë të tjerët, por përfaqësuesit e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës, e ka përfaqësuesin e vet dhe vetëm ata kur japin pëlqimin dhe vendimin paga minimale mund ta ketë vendimin e vet. Përndryshe tash me këtë përbërje që është Këshilli Ekonomik Social që bisedon edhe për pagën minimale nuk e njohim dhe nuk na obligon çfarëdo page që do të jetë nën 400 euro edhe pse për ne është pagë jashtëzakonisht e vogël”, ka thënë ai.
Ndërkohë pas kritikave publike, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se Projektligji për pagat e sektorit publik ende nuk është gati, dhe nuk është publik. / Gazeta Enigma.