Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të hënën arritën pajtueshmëri për nënshkrimin e 19 marrëveshjeve në sektorë të ndryshëm.
Mbledhja e së hënës mes këtyre dy qeverive ishte takimi i tetë i tillë ndërmjet dy qeverive, ku protagonist kryesor ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama.
Edi Rama vizitën e tij e nisi një ditë më herët duke i takuar njerëzit e biznesit dhe duke i ftuar që të investojnë në Shqipëri.
Pasi e kishte mbaruar vizitën me biznesmenët kosovarë, Rama shkoi në Skenderaj, më saktësisht në fshatin Burojë, në shtëpinë e ish-presidentit Hashim Thaçi për t’a takuar familjen e tij. Ai aty u prit nga familja Thaçi dhe të afërm të tij si kryetari i Skenderajt dhe persona të rëndësishëm të PDK-së siç është Sami Lushtaku.
Të hënën në mëngjes para mbledhjes se dy qeverive, Rama u takua fillimisht me liderët opozitarë të LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe atë të PDK-së, Memli Krasniqin.
“Kafen e mëngjesit e pimë bashkë në Prishtinë; afër Sheshit Skenderbeu. Kosova dhe Shqipëria kanë të ardhme të mirë kur trajtojnë hapur e afër çdo temë e rrugëtim”, kishte shkruar Abdixhiku për takimin me Edi Ramën.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kurti dhe Rama dolën në një konferencë të përbashkët, ku nuk munguan pyetjet e gazetarëve në lidhje me raportet jo të mira mes këtyre dy të fundit.
Rama deklaroi se nuk është i interesuar që të përfshihet në jetën politike të Kosovë, bile ai u shpreh se Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm një proteste e Albinit.
“Jam tërësisht i papërfshirë dhe i painteresuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës. Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë një protestë e Albinit, për sa kohë Albini nuk del në protestë kundër qeverisë së vet, nuk ka kush e rrëzon”, u shpreh Edi Rama në konferencën e përbashkët.
Kurse, Albin Kurti tha se marrëdhëniet bilaterale mes tij dhe Edi Ramës janë të shkëlqyera dhe vëllazërore.
“Së pari duhet të theksojmë që arritëm marrëveshje protokollare, memorandume, gjithsej 19. Kjo është për t’u përshëndetur. Marrëdhëniet tona bilaterale janë të shkëlqyera dhe vëllazërore”, shtoi ai.
SI PO CILËSOHEN VEPRIMET E KURTIT DHE RAMËS NË TAKIMIN E DJESHËM
Gazeta Enigma ka biseduar me analistët politikë Gazmir Raci dhe Imer Mushkolaj për takimin e djeshëm dhe marrëdhëniet mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës.
Analisti politik, Gazmir Raci thotë se hierarkia e takimeve është përcaktuar nga vet Rama e jo nga protokolli i shtetit të Kosovës.
“Kjo nuk ishte vizitë bilaterale që zakonisht organizohen me protokolle shtetërore, ishte vizite me rastin e takimit të radhës në mes të dy qeverive të shteteve tona andaj konsideroj se hierarkia e takimeve tjera është përcaktuar nga vet Rama e jo nga Protokolli i Shtetit të Kosovës. Nëse do ishte vizitë shtetërore atëherë ai fillimisht do ta takonte Shefen e shtetit, pastaj kryeministrin dhe me radhë”, ka komentuar Raci vizitat e Edi Ramës i cili i takoi liderët opozitarë e biznesmenët para Kryeminsitrit Albin Kurti.
Kurse, analisti politik, Imer Mushkolaj thotë se Edi Rama këto takime i ka bërë me planifikim për t’i treguar Kurtit se i ka raportet e mira me opozitën.
“Çfarëdo që ka vepru Edi Rama, në këtë rast takimet me liderët nuk ka vepru rastësisht e ka bërë me shumë planifikim, qoftë takimi me biznismen, qoftë pastaj me opozitarë. Këto veprime i ka bërë me qëllim edhe në mënyrë të planifikuar edhe në njëfar forme ka dasht me i tregu Kurtit se sa i ka raportet e mira me liderët opozitarë dhe me e dërgu një mesazh që i ka raportet e mira me opozitën në Kosovë”, thotë Imer Mushkolaj për Gazetën Enigma.
“Ky është një mesazh direkt për Kurtin, që ka raporte të acaruara, pavarësisht se përpjekjet me u paraqit se nuk kanë probleme nuk kanë hatërmbetje mesvete”, vlerëson Mushkolaj.
Raci thotë se është normale nëse dy kryeministra nuk pajtohen për teka të caktuara në politikën e jashtme.
“Tashmë dihen dhe shihen dallimet ne mes tyre dhe konsideroj që në këtë drejtim nuk ka asgjë të keqe nëse dy kryeministra nuk pajtohen për tema të caktuara në politiken e jashtme sidomos atë rajonale. Në fund të fundit Kosova është shtet dhe ka të drejt qe edhe ajo te mos pajtohet me iniciativa te ndryshme rajonale nëse ajo konsideron qe nuk po trajtohet si shtet i pavarur. Shqipëria nuk duhet ta shtyjë Kosovën në diçka që Kosova e konsideron si të pafavorshme për momentin e tanishëm që jemi”, thotë Raci për Gazetën Enigma.
Ai thotë se raportet ndërshtetorore mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të thjeshtëzohen në marrëdhënie mes individeve, por duhet të jenë të qëndrueshme. Ai thotë se Kosova dhe Shqipëria dueht të vazhdojnë bashkarisht të shtyjnë përpara rrugën për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Raportet tona ndërshtetërore nuk duhet të thjeshtëzohen në marrëdhënie në mes të individëve, ato duhet të jenë të qëndrueshme ashtu siç ka qëndruar kombi shqiptar me shekuj. Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë që bashkërisht të shtyjnë përpara rrugët tona drejt anëtarësimit ne Bashkimin Evropian dhe Kosova te jete edhe pjese e NATO. Shqipëria në këtë drejtim duhet ta dëshmoj dashurinë vëllazërore qe ka ndaj Kosovës”, thotë ai.
“Shqipëria dhe Kosova po ashtu duhet të mos e harrojnë Luginën e Preshevës dhe për këtë arsye unë pres nga Rama qe të angazhohet më shumë me Presidentin serb për t’i avancuar të drejtat e shqiptareve në Serbi, le t’ia nisin pra për barazi në kuadër të Open Ballkan sepse nuk ka mundësi që një minoritet shqiptar në Serbi t’i mohohet adresa e banimit”.
Raci thotë se arsyeja kryesore që vazhdon t’i ftohë marrëdhëniet mes Kurtit dhe Ramës është që kryeministri i Kosovës u përfshi në zgjedhjet e kaluara në Tiranë dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në Open Ballkan”.
“Është për tu habitur kjo ftohje por kjo mund te ketë ardhur edhe për shkak të angazhimit të LVV edhe ne Shqipëri dhe përfshirjes se z.Kurti ne zgjedhjet e kaluara në Tiranë. Por ndikim të madh ka edhe çështja e raporteve në mes te Kosovës dhe Serbisë. Ne këtë rast çasja e z. Rama ndaj Serbisë është më shumë se qe do duhet të ishte. Open Ballkan poashtu është pika kryesore e tanishme qe vazhdon të i ftohë këto marrëdhënie përderisa Kosova konsideron qe është e panevojshme që të kemi edhe një iniciativë tjetër rajonal përderisa e kemi Nismën e Berlinit dhe procesin e integrimit ne BE dhe NATO”, vlerëson Gazmir Raci.
Po ashtu edhe Imer Mushkolaj thotë se arsyet që Edi Rama dhe Albin Kurti i kanë mardhëniet jo të mira është pjesëmarrja e Kurtit në zgjedhjet e Shqipërisë dhe Open Ballkani, që Kosova është kundër kësaj nisme e që kryeministri shqiptar shihet krahë për krahë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Përtej pamjes ose makiazhit që u shfaqë në konferencë për media dhe në mbledhjen e dy qeverive, problemet mes tij edhe Kurtit mbeten të thella, nuk kanë të bëjnë aspektin ideologjik sa kanë të bëjnë me inatet mesvete, pra për shkak edhe të pjesmarrjes së Kurtit në zgjedhjet e kaluara në Shqipëri, e Kurti për shkak situatës së vazhdueshme për Ballkanin e Hapur që është në kundërshtim të plotë me qëndrimin që e ka Qeveria e Kurtit”, thotë Mushkolaj.
Mushkolaj thotë se gjithçka çka ndodhi dje në mbledhjen e dy qeverive dhe në konferencën për media mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës ka qenë një spektakël.
“Gjithçka çka e kemi pa dje ka qenë një spektakël, njëfarë shfaqje që është dukur bukur si formë, në fakt përmbajtja ka lënë shumë për me dëshiru, pavarësisht shkëmbimit të lëvdatave për njëri-tjetrin, ose përpjekjet për me e bind opinionin publik se gjithçka është në rregull. Nuk është gjithçka në rregull, madje nuk është më rregull hiç në raportet mes Ramës dhe Kurtit”, thotë Imer Mushkolaj.
Ai thotë se kjo vizitë në Kosovë, Edi Ramës iu ka dashur për t’a përmirsuar imazhin e tij te kosovarët për shkak të përshtypjeve të krijuara negative ndaj tij për arsye të Ballkanit të Hapur.
“Ramës iu ka dasht kjo vizitë për me injeksion patriotik sidomos për qytetarët në Kosovë, pas përshtypje të krijuara negative karshi tij për Ballkanin e Hapur, kjo ka qenë qëllimi kryesor se pse ka ndodhur kjo vizitë edhe kjo mbledhje, pa i hedh poshtë marrëveshjet që janë nënshkruar është përpjekje për piar të mirë nga ana e tij në kohën kur ai cilësohet si bashkëpuntorë të raporteve të mira që i ka me Vuçiqin dhe një kryeministër i Shqipërisë që është kundër Kosovës, për shkak se është pro Ballkanit të Hapur”, thotë Imer Mushkolaj.
/GAZETA ENIGMA/