“Tension për Asociacionin”, PSD me aksion simbolik për takimin Kurti – Vuçiq

“Tension për Asociacionin”, PSD me aksion simbolik për takimin Kurti – Vuçiq

Partia Socialdemokrate ka mbajtur të hënën një aksion simbolik, para takimit të kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në objektin e Qeverisë aktivistët e PSD-së kanë vendosur një baner ku shkruan “Tension për Asociacionin”, e ku shihen Kurti dhe Vuçiq me dorëza boksi mbi tavolinë, ndërkohë që poshtë tavolinës “shtrëngojnë” duart.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se tensionet në veri kanë pasur një synim, formimin e Asociacionit. Sipas tij, Kurti e Vuçiqi janë dukur sikur janë në konflikt, por që në Bruksel nënshkruajnë marrëveshje.

Ai tha se është hera e parë që Kosova nënshkruan një marrëveshje të cilën, siç tha ai e kanë lexuar vetëm 2-3 njerëz.

“Ajo që shihet ne ilustrim është e vërteta që ka ndodhur në dialogun Kosovë-Serbi, që ka kaluar nga dialogu për marrëveshje finale në pranimin e Asociacionit. Të gjitha tensionet në veri, kanë qenë tensione për krijimin e Asociacionit. Dialog më të mbyllur, më jo demokratik më jo transparent, nuk ka pasur kurrë në Kosovë. Qytetarët dhe deputetët, nuk e dinë se çfarë po diskutohet e as çfarë po nënshkruhet. Kurti dhe Vuçiqi gjatë gjithë kohës janë dukur se janë në konflikt, por në Bruksel kanë nënshkruar marrëveshje. Pra, neve na u është jep imazhi i konfliktit, e Vuçiqit koncesioni”, tha Molliqaj.

Related Articles