“Ushqim i dobët e telefonata të shtrenjta” – me çka po ballafaqohen çdo ditë ish krerët e UÇK-së në Hagë?

“Ushqim i dobët e telefonata të shtrenjta” – me çka po ballafaqohen çdo ditë ish krerët e UÇK-së në Hagë?


Në Tribunalin e Hagës ka nisur tashmë faza e gjykimit ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, shkruan Gazeta Enigma.


Aktualisht po dëgjohet dëshmitarja e parë e cila është grua. Dëshmia e saj po bëhet në seanca private.

Por nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut po vlerësojnë se në Hagë është duke u zhvilluar një proces jo transparent për publikun, i cili mbi të gjitha po shkel të drejtat themelore të ish krerëve të UÇK-së.

I pari i KMDLNj, Behxhet Shala për Gazetën Enigma ka theksuar se një nga kriteret që dëshmon jotransparencën e kësaj gjykate është mos përkthimi i materialeve në kohë dhe në tërësi,

“Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies nga kjo Gykatë ishte dhe mbetet shqetësim për KMDLNj. Mos përkthimi i materialeve me kohë dhe në tërësi ishte identifikuar në fillim që pengon një mbrojtje efektive dhe është shkelje e të drejtave të njeriut. Mos ofrimi i shërbimeve shëndetësore me kohë për Salih Mustafën dhe Hysni Gucatin ishte një vërejtje tjetër”, theksoi ai.

Tutje ai si thekson se pamundësia e ruajtjes së një mjedisi social dhe familjar ishte një problem shkaku se personat e moshuar dhe fëmijët nuk kishin mundësi t’i vizitonin familjarët e arrestuar.

Mungesa e një mekanizmi të pavarur monitorues, sipas Shalës mbetet njëra ndër shkeljet më të rënda të drejtave të njeriut në këtë Gjykatë.

Po ashtu sipas tij mbajtja në paraburgim për një kohë aq të gjatë është në kundërshtim me rekomandimet e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Ai ka folur edhe për kushtet në të cilat gjenden krerët e UÇK-së brenda Hagës, teksa një aspekt negativ sipas tij është edhe ushqimi jo i përshtatshëm për ta.

“Redaktimi i madh i materialeve pakëson dhe cenon mundësitë për një mbrojtje efektive. Kushtet poshtëruese gjatë të ashtuquajtura vizita humanitare janë në një nivel shumë më të ulët se që kishte Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish – Jugosllavinë. Ushqimi jo i përshtatsëm për të burgosurit dhe çmimet e larta të bisedave telefonike”, shtoi ai.

“Specialja nuk është e Kosovës”

Ndërkohë kritika për formën se si po zhvillohet Trubunali Special pati edhe avokati, Tomë Gashi, i cili thotë se kjo gjykatë nuk po i respekton ligjet e Kosovës.

“Gjykata Speciale nuk është e Kosovës. Kjo Gjykatë, fatkeqësisht, ka qenë vetëm një ditë Gjykate e Kosovës – me 3 gusht 2015, kur është votuar Ligji për të. Përveç që nuk ka asnjë shenjë të Republikës së Kosovës, për t’i hyre në hatër Serbisë, kjo Gjykatë haptazi nuk po e respekton asnjë Ligj të Kosovës”, shtoi ai.

Për cka po akuzohen ish krerët e UÇK-së?

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).

ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet.

Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022. Më 22 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale.

Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejt të krimeve, viktimave dhe vendndodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.

Më 29 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022.

Një version më pak i redaktuar i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje.

“Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së”, njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës. / GAZETA ENIGMA.

Related Articles