Vetëm në gjashtë mujorin e parë të 2023-tës sekuestrohen rreth 40 mijë euro të falsifikuara

Vetëm në gjashtë mujorin e parë të 2023-tës sekuestrohen rreth 40 mijë euro të falsifikuara

Qindra mijëra euro false në formë të kartëmonedhave dhe monedhave metalike janë duke qarkulluar në vendin tonë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kartëmonedhat 100 dhe 50 euro dhe monedha metalike prej 2 eurove janë paratë false në të cilat hasim më së shpeshti.

Ndërkaq Drejtoria për Hetime e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se vazhdimisht pranon informata ku dyshohet për qarkullim të parave false.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pranon informata në vazhdimësi ku dyshohet për qarkullim të parave të falsifikuara në vend, mirëpo nuk kemi ndonjë shifër të caktuar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kjo drejtori jep detaje për “Enigmën” se sa para false janë sekuestruar në gjashtë mujorin e parë të vitit 2023.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas angazhimeve  me intensitet të lartë në periudhën 6 mujore të vitit 2023 ka arritur të sekuestrojë rreth 40 mijë euro (40.000.00) në apoena të ndryshme”.

Tutje ata kanë njoftuar se monedha metalike që mund ta hasim më së shpeshti të falsifikuar është monedha 2 euroshe.

Në lidhje me këtë problematikë Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me ekspertin e sigurisë, Drizan Shala, i cili ka deklaruar se futja e parasë false në qarkullim në vendin tonë ka dëmtuar qytetarët dhe bizneset në masë të madhe.

“Futja e parasë false në tregun ekonomiko/financiar është duke dëmtuar në një masë të madhe qytetarët dhe bizneset e vogla dhe të mesme të vendit, ku dihet që në rast se mbrapa futjes se parasë false qëndron ndonjë strukture shtetërore siç mund të jetë Serbia atëherë këtu jemi duke folur pastaj për një pozitë të keqe që cenon sigurinë nacionale të vendit”, tha Shala.

Sipas Shalës Shteti i Kosovës respektivisht pjesa e bankave kanë një siguri të lartë në identifikimin e kartëmonedhave false por që Kosova duhet të investoj më shumë në drejtorit policore që luftën e kanë pikërisht veprat të tilla.

Policia e Kosovës i ka bërë thirrje qytetarëve që nëse hasin në para false ta raportojnë rastin. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles