Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka prezantuar masat e reja anti-COVID, si dhe ka njoftuar se masat e deritanishme do të mbeten në fuqi deri më 26 shtator të këtij viti, raporton Gazeta “Enigma”.
“Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitar të zbutjes së rënies epidemiologjike. Por fatkeqësisht kemi ende një numër të lartë të njerëzve të vdekur nga COVID-19. Analiza e situatës epidemiologjike nga IKSHPK, takimet me kryetarët e komunave, me palët e interesit, u konstatua se përkundër një përmirësimi të situatës epidemiologjike u konstatua se duhet vazhduar me masat që kanë qenë në fuqi, dhe me disa masa shtesë me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik”, tha Vitia.
Tutje ai theksoi se vaksinimi po shkon siç duhet dhe sipas tij me dozën e parë janë vaksinuar tashmë 50% e qytetarëve.
“Procesi i vaksinimit po vijon komplet sipas planit të vaksinimit. Tanimë janë administruar mbi 1 milion doza dhe më së paku një dozë janë vaksinuar mbi 50% e qytetarëve që mund ta marrin vaksinën. Ky është një lajm shumë i mirë”, shtoi Vitia në një konferencë për media.
Tutje ai paralajmëroi edhe valë të reja të COVID-19. “Valë të reja natyrisht se do të ketë, dhe numri i hospitalizimit normalisht do të rritet. Këtë nuk po e themi ne por gjithë shkencëtarët, e këtë po e thotë edhe terreni, prandaj edhe vaksinimi është i domosdoshëm”, deklaroi ai.
I pari i Ministrisë së Shëndetësisë, njoftoi se “Është vendosur që një pjesë e masave do të vazhdojnë deri më 26 shtator të këtij viti, kurse disa do të shtohen ashtu siç kemi paralajmëruar”.
Disa nga masat e reja janë:
– Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk fillon para datës 26 shtator.
– Lejohen takimet vetëm deri në 20 persona duke mbajtur distancën 1.5 metra.
– Institucionet publike punojnë vetëm me staf esencial.
– Gastronomia vazhdon si edhe masat e deritashme.
– Në pikat kufitare nga 13 shtatori mbi moshën 16 vjeçare janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testet relevante si deri më tani.
– Qendrat kulturore dhe institucionet e kulturës në varësi të MKRS dhe Komunave pezullojnë aktivitetet deri me 26 shtator.
– Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private pezullohet deri më 26 shtator, 2021. Për familjet me fëmijët të regjistruar në institucionet parashkollore, me dy prindërit e punësuar njëri prind lirohet nga obligimi që të paraqitet në punë gjatë periudhës 13-26 shtator, 2021.
Ndryshe masat tjera vazhdojnë siç kanë qenë në këto dy javët e fundit./Gazeta Enigma.