“Zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale është thelbësor për drejtësinë në Kosovë”

“Zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale është thelbësor për drejtësinë në Kosovë”

Kryeministri Albin Kurti, ka marrë pjesë në tryezën e organizuar në shënim të 14 prillit – Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.

Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë tha se në një ditë kujtese e përgjegjësie, nderohen të gjitha ato gra dhe ata burra që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, një nga plagët më të rënda dhe më të heshtura të luftës, dhimbje kjo që për aq shumë vite u fsheh për shkak të frikës, stigmatizimit dhe mungesës së hapësirës për të folur.

“Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit ekziston pikërisht për këtë qëllim, për të siguruar që çdo i mbijetuar dhe e mbijetuar, të ketë mundësinë të njihet, të dëgjohet dhe të trajtohet me respektin që meriton. Që çdo e mbijetuar të ketë një derë ku mund të trokasë pa frikë, një proces që garanton konfidencialitet, dhe një shtet që dëgjon seriozisht”, tha ai, duke treguar se deri më tani janë 1925 raste që u është njohur statusi nga Komisioni.

Më tej, kryeministri Kurti theksoi se rrëfimet e të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dëshmojnë se të gjitha plagët kërkojnë edhe kujdes shoqëror edhe drejtësi shtetërore, dhe po ashtu na përkujtojnë se mbështetja ndaj të mbijetuarave është obligim e detyrë e përbashkët e të gjithë neve, e cila kërkon përkushtim të përhershëm.

“Zëri i tyre është thelbësor në proceset tona të drejtësisë tranzicionale, që njohin vuajtjet e së kaluarës dhe inkurajojnë për shpresë drejtë së ardhmes”, tha ai.

Related Articles