Zjarri në IML, a është skenari i dytë për tentim-zhdukjen e provave mbi rastin e Astrit Deharit?

Zjarri në IML, a është skenari i dytë për tentim-zhdukjen e provave mbi rastin e Astrit Deharit?

Një zjarr i madh ka shpërthyer mëngjesin e së martës në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Institut në të cilin ruhen raportet e autopsive dhe ekzaminimet e ndryshme që kryhen nga ekspertë të këtij instituti, përfshirë këtu edhe mostrat e Astrit Deharit.

Instituti u kaplua nga një zjarr sot në mëngjes, vetëm një ditë pas intervistimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për rastin e Astrit Deharit, shkruan Gazeta Enigma.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dje, më 20 nëntor, u ftua për intervistë nga Prokuroria Speciale pas një postimi të saj në rrjete sociale të datës 5 nëntor 2023, ku ndër të tjera ka thënë se provat për rastin e Astrit Deharit ekzistojnë dhe krejt çka duhet është vullneti i organeve të rendit e drejtësisë.

“Nuk ka qenë hera e parë që kam thënë një gjë të tillë. Shtrohet pyetja pse prokurori reagoi tash dhe jo atëherë? A ka reaguar njësoj prokurori special ndaj deklaratave të zyrtarëve të shtetit që kishin thënë se Astrit Dehari është vetëvrarë? A ka reaguar po aq shpejt ndaj veprimeve të kundërligjshme të zyrtarëve përgjegjës në rastin Dehari? Një sërë episodesh janë zhvilluar gjatë këtyre viteve por prokurori nuk ka treguar të njëjtin zell” – deklaroi Haxhiu.

Ajo tha se po ta kishte emrin e kryerësit apo kryerësve nuk do ta priste ftesën e kryeprokurorit për ta thënë atë emër.

Ajo tha se ato janë deklaratat kundërthënëse nga ish-Kryeprokurori Sylë Hoxha dhe ish-Komandanti për rajonin, Nexhmi Krasniqi, që Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje, publikimi i video-incizimeve, ngjarjet që lidhen me shokët e dhomës së Deharit, e të tjera.

Ministrja e Drejtësisë tha se në raportin e fundit të Insitutit Zviceran thuhet se trupi i Deharit është prova më e papërdorur, ndërsa në raportin e parë të Institutit Zviceran thuhet se kanë munguar mostrat e thonjve.

“Tentativa e parë për zhdukjen e provave në rastin e Astrit Deharit”

Një vit më parë, pikërisht nga IML-ja, objekti i së cilës është kapluar sot nga zjarri, ishin zhdukur mostrat e Astrit Deharit.

Në konferencën kur kishte njoftuar për këtë rast, Haxhiu kishte treguar edhe se në atë hapësirë të IML-së kishin qasje vetëm tre persona, derisa ishte zotuar se autorët që kanë zhdukur mostrat nga laboratori i IML-së, do të gjinden dhe se rasti do të zbardhet.

Për këtë rast, Ministria e Drejtësisë kishte pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Edhe në fund të muajit mars të këtij viti, kishte shpërthyer një zjarr në një pjesë të objektit që ishte shfrytëzuar për qëllime logjistike.

Ky rast dyshohej se ka ndodhur si pasojë e dështimit të Ministrisë së Drejtësisë për lidhjen e kontratës për mirëmbajtjen e aparateve kundër zjarrit në këtë institucion.

Atë kohë, nga MD e patën konfirmuar se nuk kanë lidhur kontratë, duke u arsyetuar se kanë qenë ankesat e operatorëve ato që e kanë pamundësuar të përfundojë një proces i tillë.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka nisur hetimet rreth shkaqeve që e kanë shkaktuar zjarrin në Institutin e Mjekësisë Ligjore ditën e sotme.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën “Enigma”, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Prokuroria e Shteti gjithashtu ka nisur hetimet për të gjetur shkaktarin e zjarrit që përfshiu sot dy zyre brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.

PSH ka njoftuar se me urdhër të prokurorit janë lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes për të parë nëse ka elemente të veprës penale.

“Zjarri në IML – jo rastësi” opozita vë pikëpyetje mbi përfshirjen e pushtetit mbi rastin, pozita “e shqetësuar”

Sekretari për organizim i PDK-së, Betim Gjoshi, ka reaguar ndaj zjarrit që sot ka përfshirë Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Në profilin e tij në “Facebook”, Gjoshi ka shkruar se ky zjarr është një rastësi jo e vogël.

“Rastësi jo e vogël kjo ngjarje, një ditë pas intervistimit nga prokuroria të ministres Albulena Haxhiu. Nën vëzhgimin e saj, me 8 dhjetor të vitit të kaluar, ishin zhdukur edhe mostrat e Astrit Deharit”, ka shkruar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar gjithashtu ndaj djegies së IML-së.

Ai ka thënë se “pushteti që vjen nga flaka veç flakë prodhon”.

“Në opozitë i kallnin institucionet, ndaj dhe në pushtet po u kallen institucionet”, ka shkruar Gashi.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili e ka cilësuar si “tmerr i tmerrit”, zjarrin që dogji një hapësirë të Institutit të Mjekësisë Ligjore mëngjesit të sotëm.

Ajo këtë e ka lidhur me dhënien e dëshmisë së Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë së hënës për rastin e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Ajo tha se kjo ngrit dyshime e frikë për përfshirje të rrezikshme të pushtetit mbi këtë rast.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reguar pas zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, duke thënë se dyshimet janë edhe më të mëdha se për qëllime të caktuara të pushtetit aktual, ky Institut është rikthyer në cak dhe në instrument politik.

Tutje, ai ka kërkuar nga ministria e Drejtësisë të dal me detaje konkrete mbi rastin.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi ka hedhur akuza se ky objekt është djegur nga pushteti.

Ai tha se objekti u djeg pas marrjes në pyetje të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dalur me një reagim mbi djegien e zyreve në IML.

Ajo tha se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mostrave, dhe se Policia dhe Prokuroria janë duke e bërë punën e tyre.

Tutje, ajo tha se qytetarët me të drejtë janë shqetësuar mbi rastin, duke pasur parasysh se cfarë ka ndodhur ndër vite, mirëpo pa e kuptuar shkakun e zjarrit, ajo tha se nuk mund të jep tjera informacione.

Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka reaguar mbi rastin e sotëm dhe mundësinë e zhdukjeve të provave mbi rastin e Astrit Deharit.

Manxhuka tha se provat mbi rastin e Astrit Deharit nuk mund të dëmtohen më, pasi që mbi to janë bërë ekspertiza.

Ai tha se të shqetësuar janë vetëm mbi padrejtësinë, moszbardhjen ende të atij rasti.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi,  tha se kriminelët, pas një krimi, i djegin veturat duke theksuar “24 vite aktivitet kriminal”, duke iu referuar partisë që ishte në pushtet në kohën kur ndodhi vdekja e Astrit Deharit.

Për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astritit, prindërit dhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Në raportin e bërë më 24 dhjetor, Instituti i Mjekësisë Ligjore i Lozanës në Zvicër pati dhënë dhënë komentet se vdekja e Deharit ka pak mundësi të jetë vetëvrasje.

Prindërit e Deharit së bashku me avokatin dhe subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit aso-kohe, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

/GazetaEnigma/

Related Articles