Pas përfundimit të Samitit të presidentëve të rajonit Brdo-Brijun, nikoqirët e këtij takimi kanë dhënë detaje se çka është diskutuar në takim. Kundërshtimi për ndryshim të kufijve dhe mbështetja për vazhdimin e dialogu Kosovë-Serbi, ishin nga çështjet që janë diskutuar sipas nikoqirëve.
Presidenti i Sllovenisë, Barut Pahor, tha se i kundërshtojnë idetë për ndryshim të kufijve, derisa tregoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte propozuar që t’i ndalonte shteteve që ta njihnin Kosovë.
Ai tha se presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm ta njoh Kosovën, ndërsa për presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, tha se ajo ka ardhur me një agjendë shumë ambicioze dhe se ishte ambicioze edhe gjatë takimit duke insistuar në disa çështje.
“Unë jam pjesë e kryesisë së kësaj procedure tashmë 10 vite dhe çështja e kufijve shtetëror asnjëherë nuk është adresuar sepse kjo do ta cenonte vetë samitin dhe vendimet e tij. Se a do të ishte e përshtatshme të mendojmë për ndryshimin e kufijve, më duhet të them se si bashkë-nikoqir i kundërshtoj ato ide. Vuçiq nuk ishte kundër diskutimit mbi ndalimin e ndryshimit të kufijve, mirëpo ai erdhi me propozim të tillë që do t’i ndalonte shtetet që ta njihnin Kosovën. Sepse Kroacia dhe Sllovenia e kanë njohur Kosovën, si dhe shtete të tjera po ashtu e kanë njohur atë, megjithëse jo të gjitha shtetet e BE-së. Unë kam pasur dëshirë që të vijmë deri tek një rezultat i propozimit tim, dhe të kuptohej si lëvizje përpara, e jo prapa. Mirëpo presidenti Vuçiq nuk është i gatshëm ta njoh Kosovën. Do të ishin diskutime të pafund. Ne kemi pasur disa takime këtu, dhe ishte hera e parë që u takuan presidenti Vuçiq dhe presidentja Osmani. Unë e kam takuar presidenten Osmani të enjten e kaluar në Prishtinë, dhe e kam kuptuar se ajo ka ardhur me një agjendë shumë ambicioze. Dhe ishte ambicioze gjatë takimeve, duke insistuar në disa çështje. I kemi marrë parasysh disa nga kërkesat e saj, dhe kemi arritur të bëjmë një kompromis, mezi, por ia kemi dal. Samiti Brdo-Brijuni nuk është për të gjetur përgjigje por për të dhënë mbështetje”, tha ai.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, tha se agjenda e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ishte mjaftë ambicioze, por që tha se serbët ishin kundër kësaj.
“Kemi arritur deri tek një kompromis. Mendoj se agjenda e presidentes Osmani ishte mjaft ambicioze dhe serbet ishin kundër kësaj, mirëpo mendoj se marrëveshja e arritur është e pranueshme sepse ne po mundohemi t’i ndihmojmë vendet që janë në procesin e integrimit. Ne duam t’i ndihmojmë vendet e tjera ngase kjo është edhe në interesin tonë. Janë disa çështje të cilat shtetet nuk munden t’i zgjidhin vetë në procesin e Berdo-Brijuni, por sot në mënyrë tolerante e naviguese kemi arritur ta kthejmë anijen pa dëme nga stuhia në port. Nuk e di se ku do të mbahet takimi i radhës, në Prishtinë apo Beograd, mirëpo së shpejti do të takohemi diku”, tha ai.
Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë dhe të zgjidhen çështjet në mënyrë që të përfitoi i gjithë rajoni.