“Qeveria Kurti po do t’i mashtrojë sindikatat”.
Për këtë sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, s’po e miraton Ligjin e Pagave.
“Asgjë nuk duhet të ndryshohet sa i përket asaj, sepse Ligji është i gatshëm dhe vetëm mund që të ulen të fillojnë dialogun me sindikatat”, tha Lekaj për Gazetën Enigma.
Por, deklaratën e më sipërme të Lekajt, s’pati kush ta kundërshtojë nga pozita, pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje s’qenë të gatshëm të flasin për këtë çështje për Enigmën.
Megjithatë, ligjvënësit e LVV-së, kanë paralajmëruar më herët se janë duke e shqyrtuar Ligjin nëse ka ndonjë ngecje që ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkaq ish-ministri Lekaj, potencon se “nga kjo Qeveri gjithçka është e mundur, nëse nuk miratohet Ligji i Pagave në Buxhetin për vitin 2022 kot e kanë, nuk di ka do i marrin paratë më vonë”.
Deputeti i AAK-së, madje s’është as optimist që të premten e 17 dhjetorit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit do të reflektohet mbi Ligjin e Pagave.
“Nuk pres as nesër të reflektohet mbi këtë Ligj në seancën e Kryesisë së Kuvendit”, përfundon shkurt Lekaj.
Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka premtuar të punësuarve në sektorin publik se Qeveria që ai udhëheq do të hartojë Ligjin për Paga, me të cilin do t’u bëhet zgjidhje problemeve thelbësore të pagave.
“Hartimi i këtij ligji nuk është i lehtë dhe jemi të vetëdijshëm që ajo që nuk u bë për 22 vite nuk duhet të bëhet me nguti. Ligjin për pagat do ta bëjmë, do ta bëjmë ligj që zgjidh problemet thelbësore të pagave”, ka potencuar Kurti më 14 dhjetor.
“Qeveria është e përkushtuar që t’i japë fund vendimeve të ministrave dhe të drejtorëve të agjencive sipas preferencave dhe lidhjeve familjare. Me të marrë mandatin ne kaluam nga një kabinet me 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra, në një kabinet minimalist. Kemi ulur shpenzimet qeveritare, janë rritur të hyrat”, ka shtuar ai.
Ndërkaq të pakënaqur me përmbajtjen e këtij Ligji, tashmë disa herë radhazi janë shprehur nga SBASHK-u, të cilët pakënaqësitë e tyre i kanë shprehur edhe përmes protestave.
Madje, kanë paralajmëruar edhe greva.
LEXO EDHE: Jashari – Kurtit: Arsimtarët nuk po kërkojnë rritje pagash, por miratimin e Ligjit të Pagave
Ndryshe, në seancën e Kuvendit të Kosovës, të premten ku do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022, pikë e rendit të ditës është edhe adresimi i presidentes, Vjosa Osmani para deputetëve./Gazeta Enigma/