Sot janë bërë 18 vite që kur në Kosovë filluan protestat që më vonë do të përmenden si “Trazirat e marsit”. Gjithçka nisi nga një incident në Mitrovicën e Veriut, ku mbetën të vdekur dy fëmijë shqiptar.
Rrethanat për mbytjen e këtyre fëmijëve në lumin Ibër ende nuk dihen, por ky rast bëri që në gjithë Kosovën të ketë të vrarë nga shqiptarët dhe serbët.
Protesta të cilat zgjatën dy ditë, mbetën të vrarë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa u lënduan mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë.
Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë treguan para kamerave se ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur, kur disa nga bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë.
Të nesërmen, më 17 mars 2004, filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt përshkallëzuan në dhunë.
Gjatë trazirave u dogjën disa shtëpi dhe kisha serbe. Ngjarje të ngjashme ndodhen me shtëpitë shqiptare në pjesët me shumicë serbe. Serbët u hakmorën edhe me djegien e disa xhamive në Serbi.
Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, Halit Barani, në një bisedë telefonike për Gazetën Enigma rrëfen ngjarjen e 18 viteve më parë në veri të vendit.
“Personeli mjekësor i shtëpisë së shëndetit dolën të gjithë në rrugët e qytetit me mantila të bardhë ku protestuan qetë dhe u kthyen në vendet e punës, pastaj në qytet dolën nxënës e mësimdhënës të gjimnazit “Frang Bardhi”-Mitrovicë ku edhe ata protestuan qetë”, rrëfen Barani.
“Pas një kohe relativisht të shkurtër në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës, matan urës tashmë të famshëm e cila është mbi lumin Ibër, bandat kriminele çetnike serbe fillojnë me demonstrata dhe duke fyer shqiptarët dhe brohoritur serbija, serbija dhe fillojnë edhe me shtie me armë të ndryshme zjarri”, kujton ai.
Barani beson se sipas tij i gjithë ky organizim ishte nga shtetet të cilat nuk ja duan të mirën shtetit të Kosovës.
“Dihet në Kosovë se kush vepron, veprojnë shumë institucionet të inteligjencës së shumë shteteve ndër to është edhe inteligjenca e Rusisë, Serbisë dhe Francës, dhe të gjitha këto nuk veprojnë me qëllime të mira në Kosovë dhe kjo dihet saktësisht se është e organizuar prej këtyre shteteve që nuk ja dëshirojnë të mirën Kosovës” përfundon kryetari i KMDLNJ-së në Mitrovicë.
Edhe pse vazhdimisht ka pasur spekulime se gjithë kjo situatë ka mundur të orkestrohej nga dikush, një gjë e tillë asnjëherë nuk u vërtetua.
Zhvillimet e marsit të vitit 2004 bënë që vendet ndërkombëtare të rikthejnë sytë kah Kosova.
Atëkohë, Sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i dha detyrën norvegjezit, Kai Eide, për hartimin e një raporti që do të pasqyronte situatën në Kosovë.
Eide pas shumë vizitave në Kosovë dhe Ballkan, takoi përfaqësues të të gjitha partive, komuniteteve, feve etj.
Në tetor 2005 dorëzoi raportin e për të cilin ishte deleguar. Eide rekomandon se ka ardhur koha për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës.
Disa ditë më vonë të njëjtin rekomandim për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e bën edhe Kofi Annan. Më 17 shkurt 2008, bazuar në këtë propozim, Kosova shpallet shtet i pavarur dhe sovran.
E pasojat nga moszbardhja e këtyre rasteve si shkatërrimi i objekteve fetare, Kosova ende e vuan gjatë antarësimit në organizata ndëkombëtare.
Në vitin 2015, kur Kosova tentonte të anëtarësohej në UNESCO, Beogradi e kishte akuzuar Prishtinën se nuk ka mbrojtur trashëgiminë kulturore si duhet dhe ka bashkëpunuar në shkatërrimin e disa vendeve, përfshirë këtu edhe 29 kisha dhe manastire të shkatërruara në trazirat e marsit 2004, sipas një raporti të OSBE-së./Gazeta Enigma/