Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për pamjet që vijnë nga lufta e Ukrainës, derisa thotë se po ia ngjallin kosovarëve tmerret e tyre të përjetuara nga lufta e Kosovës.
Ajo shton se krimet serbe në Kosovë kanë mbetur të pandëshkuara.
Ajo tha se qytetarët e Kosovës duke qenë vetë viktima të vrasjeve e shpërnguljes ka ofruar ndihmën e menjëhershme për popullin ukrainas dhe jo vetëm që shfaqi solidaritetin me të, por se ishte e para në Ballkanin Perëndimor që u radhit mes shteteve perëndimore që vendosën sanksione.
Presidentja kosovare foli edhe për pasojat që mund të shkaktojë konflikti në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor.
“Qartë që për rajonin tonë mund të ketë pasoja, sidomos që lidhen me sigurinë. Rusia vazhdon ta ketë satelit në rajonin tonë, Serbinë. Serbia i ka shërbyer interesave ruse për një kohë, e ka rritur bashkëpunimin ekonomik e ushtarak me Rusinë gjatë viteve të fundit në një masë aq të madhe sa është shqetësim jo vetëm për shtetet e rajonit, të cilat e duan paqen, por edhe për partnerët tanë nëpër botë”, ka thënë Osmani.
Për një ndërhyrje të njëjtë të NATO-s në Ukrainë sikurse ajo që ishte në Kosovë, Osmani tha se NATO s’ka të bëjë me të njëjtin agresor, sepse rreziku i përballjes me Rusinë është shumë më i madh sesa me Jugosllavinë.
Megjithatë, Osmani tha se shtetet aleate duhet ta ndihmojnë më shumë “popullin trim ukrainas” dhe të mbyllin çdo hapësirë që ndihmon ekonominë ruse, si dhe të rrisin ndihmën ushtarake.
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë, por edhe aleatët e Rusisë që i ka nëpër botë. Gjithashtu, besoj që Ukraina duhet të ndihmohet më tepër me armë shtesë, sidomos me aeroplanë luftarakë”.
“Pamjet që ne pamë nga Bucha, Irpin dhe qytetet e tjera të Ukrainës janë pamje të cilat i kemi përjetuar, ferri që ne e pamë me sytë tone”.
“Për ne sigurisht që këto janë pamje që na kthejnë pas nga një luftë e tmerrshme dhe tani që po e shohim një luftë tjetër të tmerrshme që po ndodh në territorin e kontinentit tonë, ne po mundohemi të përdorim zërin tonë në mbarë botën për të dërguar një mesazh të rëndësishëm që “kurrë më” nuk duhet të jetë vetëm një slogan, por duhet të jenë veprime”.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka në kapacitetin tonë që të ndalim vuajtjen nga lufta e paprovokuar që Rusia po e shkakton”.
Osmani ka thënë se presidenti rus, Vladimit Putin, kishte treguar qysh herët synimin e tij gjenocidal për të shkatërruar popullin e Ukrainës.
“Besoj se qysh në fillim, Putin ka shfaqur qëllimet për gjenocid. Qëllimet e tij kanë qenë të qarta që kur ai përdori termin e ashtuquajtur “denazifikim”. Bota duhet të reagojë tani”.