Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nuk ka ndryshime në praninë e NATO-s në Kosovë, e as që pritet të ketë, pasi, sipas tij, të 30 vendet anëtare janë të përkushtuara për vazhdimin e mandatit.
Stoltenberg i bëri komentet pas takimit që zhvilloi të hënën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Ditë më parë, Vuçiq tha se ka “ka informacione se një shtet i madh i NATO-s do të kërkojë largimin e misionit të NATO-s, KFOR, nga Kosova”.
“Nuk ka ndryshime në misionin e NATO-s dhe të 30 aleatët, përfshirë edhe SHBA-në, janë të përkushtuar për misionin e KFOR-it. KFOR-i është atje për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë dhe aleatët janë të përkushtuar. Ky mision është i bazuar qartë në mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka ndryshime”, tha Stoltenberg.
Ai tha se cilido ndryshim në mandatin e KFOR-it duhet të ndodhë vetëm me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare të NATO-s.
Vuçiq tha se “është i kënaqur me këto sqarime” dhe se shpreson që ky deklarim i Stoltenbergut do të konfirmohet edhe në samitin e NATO-s, në muajin qershor.