Ligji i Pagave u miratua në Kuvend.
Ky ligj u dekretua edhe nga presidentja e vendit Vjosa Osmani.
Ndërsa nga Qeveria kanë thënë se i njëjti do të hyjë në fuqi nga 1 shkurti.
Por, pavarësisht kësaj ajo që vazhdon t’i shqetësojë punëtorët e sektorit publik vazhdon të jetë vlera e koeficientit.
Qeveria Kurti ende nuk e ka bërë të ditur këtë të fundit, për çka ka marrë kritika edhe nga opozita e po ashtu edhe nga sindikatat.
Kurse, është thënë se vlera e koeficientit do të bëhet e ditur këtë muaj.
Ky premtim i Kurtit po vazhdon t’i lë në shqetësim të gjithë punëtorët, e po ashtu edhe ata të arsimit.
Kështu ka thënë kryetari i së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj.
“Nuk kemi asnjë informacion zyrtar se sa do të jetë vlera e koeficientit. Kjo mungesë e këtij informacioni na ka lënë edhe neve në stres. Uroj të jetë së paku ajo që është përfol ajo vlera 120 euro”, është shprehur Jasharaj.
Sipas Jasharajt, vlera më e lartë se 120 euro do të ishte e mirëpritur nga ta, por thotë se shpreson që së paku të jetë 120 e jo nën këtë shifër.
“Ne do të ishim të lumtur sikurse vlera të jetë më e lartë, por të jetë së paku 120 sepse kemi bërë analiza që 120 euro e bën një lëvizje të pagave që besoj se do të ishte e pranueshme edhe për punëtorët në çerdhe, për ata të arsimit para universitar dhe për të tjerët”, ka deklaruar ai.
I, pyetur se a do ta kundërshtojnë këtë ligj nëse vlera e koeficientit do të jetë nën 120 euro, ai ka thënë se do të reagojnë, duke shtuar se përderisa ligji është dekretuar nuk kanë hapësirë për ndonjë veprim sindikal.
“Ne do të reagojmë dhe do ta shprehim pakënaqësinë tonë, por po them se vet fakti që është votuar në parlament dhe vet fakti që është dekretuar nuk ka në hapësirë për ndonjë veprim sindikal lidhur me Ligjin e Pagave, por ajo që dihet vlera e koeficientit do të jetë e njëjtë për të gjithë dhe pastaj të shohim si do të rrjedhin çështjet por uroj që edhe Qeveria Kurti ta bëjë më të mirën e mundur ngaqë besoj se edhe ata kanë mësuar mjaftë nga ajo greva që ishte dhe besoj që Qeveria nuk do të bëjë më veprime që do të krijonin shqetësime dhe tensione as në arsim e as në sektorët tjerë”, është shprehur Jasharaj.
Sipas Ligjit për Buxhetin e vitit 2023, i cili u miratua në dhjetor të vitit 2022, totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro.
Ligji për Pagat në Sektorin Publik është miratuar më 22 dhjetor 2022.
Ndërsa, pas dekretimit nga presidentja, ky ligj është publikuar në gazetën zyrtare.
Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.