Qeveria e Kosovës të hënën prezantuoi platformën “Super Puna” ku u potencua se synohet që këtë vit të punësohen 10 mijë të rinj deri 25 vjeç, raporton Gazeta “Enigma”.
Ekzekutivi beson se ka mjaft sipërmarrës që janë të gatshëm t’i punësojnë të rinjtë deri në 25 vjet, me subvencionim nga Qeveria në lartësinë e pagës minimale, 264 euro.
“Synimi ynë do të jetë që përmes kësaj platforme të automatizuar, të mundësohet që qysh në vitin e parë të kemi mbështetjen e deri në 10 mijë vendeve të punës për të rinjtë tanë prej 18 deri në 25 vjeç”, tha ministri Hekuran Murati.
I pranishëm ishte edhe kreu i Qeverisë, Albin Kurti i cili deklaroi se lansimi i platformës “Super Puna” e shënon “përmbushjen edhe të një tjetër premtimi për qytetarët e Republikës”.